Nesër promovohet “48 Piano” nga shkrimtari Arbër Selmani

Nesër promovohet libri më i ri i shkrimtarit Arbër Selmani, me fillim nga ora 19:00 në hapësirën e Kino Armatës, përcjellë KultPlus.

Libri përmban 48 poezi dhe copëza prozë poetike të shkruara nga Arbër Selmani në një periudhë 15 vjeçare. Ky është libri i katërt i Arbër Selmanit (Pse hidhërohet gjyshi, 2005 | Kosova në 14 tregime kulturore 1, 2019 | Kosova në 14 tregime kulturore 2, 2021), i cili për disa vite ka punuar si gazetar në disa media brenda e jashtë Kosovës.

Ky është libri më personal dhe intim nga Arbër Selmani, me copëza të cilat zbulojnë disa ngarkesa emocionale të autorit në më shumë se një dekadë.

Në promovim do të marrin pjesë edhe Rebeka Qena, Maylinda Kasumoviq, Arta Jashari, Armend Smajli dhe Pranvera Hoxha.

Libri është prodhim i Qendrës Multimedia. / KultPlus.com

Arbër Selmani sjell librin e ri poetik, dedikim për babin

Shkrimtari dhe gazetari Arbër Selmani, së shpejti do të promovojë librin e tij më të ri me poezi dhe prozë poetike, shkruan KultPlus.

Ky është libri i tij i dytë me poezi e prozë. Ndërkaq, Selmani deri më tani ka botuar tri libra, njërin me poezi për fëmijë (Pse hidhërohet gjyshi – 2005), librin me shkrime gazetareske ‘Kosova në 14 tregime kulturore’ – 2019, dhe librin me shkrime gazetareske ‘Kosova në 14 tregime kulturore – 2’.

Lajmin e bëri të ditur vetë shkrimtari Selmani nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Librin me poezi e prozë poetike po e promovoj me 7 qershor, në Kino ARMATA në Prishtinë, prej orës 19:00. Kjo është faqja e tretë në libër, dedikimi im. Ky është libri im i dytë me poezi e prozë, të parin e pata botu në vitin 2005, pra i bjen që po kthehem me libër me poezi pas 17 vitesh. Librin e parë ma pat’ sjellë babi në shpi, pa e ditë unë hiç. Këtë libër, po ia dedikoj unë babit, njeriut që më motivoi deri ditën e fundit të jetës së tij….askujt tjetër….”, ka shkruar ai.

Ai gjithashtu është shumë i njohur edhe për poezinë e tij ‘Kur vdiq baba’, e cila deri më sot është përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe ka marrë një shpërndarje të madhe në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Dy poezi të Arbër Selmanit botohen në revistën indiane ‘Rhodora’

Dy poezi të Arbër Selmanit janë botuar edhe në Indi, duke u njohur kështu puna e tij edhe në nivel ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, poeti Selmani ka bërë të ditur se poezia “‘Zoti shëron’ dhe ‘E kam vendosur burrin në shitje’, janë botuar në revistën Rhodora në Indi.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Dy poezi të miat botohen në Indi! Two poems of mine, part of Rhodora Magazine in India!

Në numrin e fundit të Rhodora Magazine, janar 2022, redaktoret i kanë botuar dy poezitë e mia ‘Zoti shëron’ (God Heals) dhe ‘E kam vendosur burrin në shitje’ (I put my husband up for sale), në gjuhën angleze, bashkë me poetë të tjerë nga mbarë bota (https://bit.ly/3oQPPQE).

Në këtë numër të revistës, e cila e ka marrë emrin prej poezisë “The Rhodora, On Being Asked, Whence is the Flower” nga Ralph Emerson, ka edhe prozë dhe dy drama.

Në parathënie shkruhet: This issue features work from a talented lot. Arbër Selmani tackles irreconcilable differences with wit in “I Put My Husband Up for Sale” (Ky numër ka brenda punë të plot poetëve të talentuar. Arbër Selmani trajton me zgjuarsi dallimet e papajtueshme në poezinë ‘E kam vendosur burrin në shitje). / KultPlus.com