‘O Zot, ç’po digjet kështu në vargun tim’

Poezi nga Azem Shkreli

Kënga si ti

Njëherë vjen e të hyn mes fletëve
Kënga si ti

Vjen e trembur nga terri, e
Rrahur nga juga, e gjoltë

Vjen me zimbil të kaltër, me
Frymë të dridhur, më një ofshamë

Të hyn në algjebrën e gjakut si
Ekuacion me të gjitha të panjohura

Siç hyhet përpjetësisht në
Shqetësimin e bukur të dikujt

Tỉ thua o Zot
Ç’po digjet kështu në vargun tim / KultPlus.com

Arkivi Rilindja

“Rusia ra në të dyja gjunjtë, ra në dy, po u ngrit në katër”

Nga Azem Shkreli

Populli bardhezi

Është krejtësisht e mundur të jetë i tillë edhe ky cilësim imi. Ani. Nga degë tjetër nuk kam zbritur as unë që të jem tjetër. Do të ishte një përjashtim shpërfillës, një çrregullim.

Cilësimi nuk është edhe i pasaktë. Është ca i rrebtë e i pakëndshëm, po nuk është se nuk na rri.

Populli bardh e zi..

Bardhezi.

Nuk ka të bëjë me spektër dyngjyrësh /se dyngjyrësh e kemi spektrin ne/, e as me të bardhën epike të tirkut e të qeleshes tradicionale të veriut kombëtar, as me të zezën e krahut të shqiponjës, zogut tonë të flamurit. E ngjara që ky spektër, trishtues prej së pastri e brengosës prej së ngushti, të mos jetë i pashpiegim, madje t’i gjasojë konstitucionit tonë psikoetik, domethënë shpirtit tonë, mund të jetë me të drejtë brengosëse. Tragjike, jo. Këta jemi dhe nuk jemi me pahir këta që jemi. Diç na ka bërë të tillë.

Me ca zell më të fortë amator për të filosofuar mbi femonenin tonë, e të pazellshëm nuk jemi, mund të bëhen gërmime e përpushje interesante nëpër përbërësit historikë e shpirtërorë të qenies sonë. Për të hetuar sado pak pse jemi, nëmos kryekëput – atëherë kryesisht, domethënë fort e shpesh, bardh e zi.

Ma ha mendja, se çka s’i ha mendja njeriut, se mund të provohen njëmijë gjasë e shpiegime pse është kështu dhe asnjë, pothuaj asnjë, pse nuk është ndryshe. Ndryshe mbase edhe mund të ishte, por pa ne.

Ç’janë tani këto shpiegime bardh e zi?, do të thotë kush.

Po filosofojmë pakëz, ç`të keqe ka këtu?

Duhet guxim ekstrem për të thënë pse jemi ekstremisht të skajshëm dhe pse, mes skajeve, pas të cilave mbahemi, ka kaq zbraztësirë, kaq djerrinë. Mesi s`na ka e as s`e kemi.

Teorira s`po shtrojmë, dy a tri teza po i hedhim. U mbajtën, le të mbahen, ranë, le të bien. S`janë më shumë se teza:

U jemi trembur fundeve, greminave, kemi lakmuar kulmet, lartësitë.

Na është ndërsyer e zeza, kemi gjakuar të bardhën.

Na ka dashur e keqja, kemi adshur të mirën.

Asnjërën nga altërnativat e dyta, nga të mirat, nuk e kemi pasur në dorë ta zgjedhim. Ose nuk e kemi pasur në dorë, ose nuk i kemi shkuar ndoresh.

Ç’tjetër mund të jetë shkaku pse jemi cilët jemi?

Mos është kjo mënyrë imja e konkludimit jashtë spektrit tonë të të gjykuarit? A  mund të përshkohen të gjitha nëpër këtë spektër? Politika, shkenca, kultura, artet, mendimi ynë kërkimor e kritik?

Mundet, vini vesh:

Perëndimi nuk është me ne. Evropa jo. Amerika, ndoshta.

Amerika sheh punët e veta.

Të gjithë, në të gjitha kongreset, në të gjitha konferencat e luftës dhe të paqes, ishin kundër nesh. Gjermania e Bizmarkut, po ashtu. Të rrojë krahu ynë dhe qarku ynë!

Ngrihu i vdekur, ha mish të pjekur! Kush jemi ne t’i kryejmë vetë punët tona? Me krah e me qark tonin? Mençuria jonë është t’i dimë hallin vetes. Strategjia jonë – durimi. Me durim ta mundim kundërshtarin. Tjetër kush e ka punën tonë në dorë dhe ai e di se ç’duhet, si duhet, kur duhet. Ai e di kur vie radha e çasti ynë. Çasti do të vijë. Amerika është Amerikë.

Gjermania, Evropë.

Evropë s`ka pa Amerikë.

Rusia ra në të dyja gjunjtë.

Ra në dy, po u ngrit në katër. Drinën e kapërceu. Po i preku turiri në Adriatik, e piu.

S`e piu, nuk e lënë.

E piu, moti i pihet ujë në Adriatik.

Ç`është Drina, në hartë të Evropës?

Në Drinë, shkelet Evropa. Ajo vu shputën në Drinë. Si shputën e vet, si të Serbisë.

Në Bosnje, mbrohet krishterimi.

Në Bosnje, islamizmi mbrohet.

Feja nuk është naftë.

Nafta ishte gjaku i kryqzatës në Gji.

Katër Trepça ka Trepça, fund s`ka Trepça. Gjysmën e japim dhe e shpëtojmë.

Trepça është çborduar e çfunduar tej më tej, është gërryer e zbrazur. Turshi mund të blesh me të për Kosovën, lëre më liri për Kosovën.

Sali Berisha na dha, lëshoi pe në Gjermani.

Nuk është në një pe Kosova dhe nuk e ka ai perin në dorë.

Ai i zbuti fjalët. Ç’do ai ashtu?

Ai do një Shqipëri të fortë, ajo i bën të tjerat.

Shqipëri të fortë pa Kosovë të lirë nuk ka.

Kosovë të lirë pa Shqipëri të fortë nuk ka.

A e di ky presidenti ynë, Ibra ynë, nga po na prin dhe ku do të dalim? Kush është me ne e kush rreth tij? Shtëpitë tona shtëpi ishin, as komunë as republikë, por i zoti i shtëpisë i kuvendonte me meshkuj punët.

I di të gjitha presidenti. Ç’e do që ne nuk e dimë ç’di ai. Në kokë i ka të gjitha, në xhep të vogël. Tekefundit, kur i kanë ditur të gjithë të gjitha? Cila politikë a diplomaci, cila filozofi thotë ashtu? Janë të ndara punët.

Më i madhi Kadarea. Kadaren një. Të gjithë të tjerët janë shfaqur që të shfaqej ai. Tani e kemi edhe kemi letërsi.

Letërsia me një nuk është letërsi. Një mund të ketë edhe me pahir.

Ai u dallua dhe u fenomenizua rastësisht. Ai është në majë, sepse e zu majën. U ndodh ku mund të zirej edhe u zu. Po të mos qe ai, secili nga të tjerët mund të ishte Kadare.

S`mundet.

Mundet.

Kështu mendojnë ata që s`kanë mundur të jenë Kadare.

Libri i këtij e këtij, më i miri, libri i atij tjetrit, pesë para libër.

Libri i këtij që thoni, as libër as vlerë. Nuk e kam lexuar vetë, më tha një mik imi. As ai s`e kishte lexuar, i kishte thënë një që e kishte lexuar…

Kështu e kemi ne.

Më i madhi dhe të tjerët.

Më i miri dhe të tjerët.

Më i bardhi dhe të tjerët.

Kaq zë qielli ynë. Një dhe të tjerët. Nuk ka vend për më shumë të mirë, për më shumë të mëdhenj, për më shumë të dalluar. Për veçori, për specifika, për veçanti.

Duhet ta zbritësh, duhet ta rrëzosh njërin që ta ngritësh, ta hypësh, ta madhërosh tjetrin.

Kaq ka spektri ynë, Bardh e zi.

Të gjitha ngjyrat tjera mes këtyre të dyjave, tërë ai ylber i madh mrekullish prej ngjyrërash e nuancash të cilat bëjnë gjakun dhe gjallimin e jetës e të botës, qofshin sa malet, por nuk na duhen. Kush ka durim për cikërrime nuancash, altërnativash? Gjërat janë ose kështu, ose ashtu.

Kurse ne jemi kështu.

Bardh e zi.

Bardhezi.

(Nga ‘Zoti nuk është shqiptar’) / KultPlus.com

‘Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua’

Poezi nga Azem Shkreli

Në vend të përshëndetjes

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur. / KultPlus.com

“Vetë po nisem një mendimi që s’na e fle moshën te premteve”

Poezi nga Azem Shkreli

Nga ditari i së premtes

Natën mirë, asgjë s’mundi të ndodhë

gjithë ditën, mezi qe e premte, mezi lindi

pak diell vonë pasdreke sa të jetë

data katërmbëdhjetë, sa të flenë

mbi barin e urtë të Tafr Toskes

xixëllonjat, natën e mirë mundime

sendesh të vogla, flini, unë sonte

vetëm do ta vë një gur fjale nën kokën

e lodhur te ditës, vetëm ujë të verdhë

do të derdh për shëndetin e bimëve

të verdha e do t’vete se asgjë  s’mundi

të ndodhi pos të jetë e premte sa të flene

mbi barin e urtë të Tafr Toskes

xixëllonjat , datë e lënguar, nëse fyshkesh sate

s’do te pershkohesh lakuriq si krimbi

datë e lënguar, po të lë mes numrash

harrimit po të lë dhe vetë po nisem

një mendimi që s’na e fle moshën te premteve. / KultPlus.com

Përkujtohet poeti Azem Shkreli, Demaku: Nuk ka magji që mund ta fisnikërojë më shumë shpirtin e njeriut se vargjet e tij

Era Berisha

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, u përkujtua figura e poetit e kritikut letrar shqiptar, Azem Shkreli, i cili erdhi për publikun në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës, siç është projekti “Ora e Shkrimtarit 2”. Ndërkaq, për të nderuar këtë figurë të madhe të krijimtarisë shqipe, të ftuar në panel ishin ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, Avni Spahiu, poetja Naime Beqiraj, nën udhëheqjen e shkrimtarit dhe publicistit, Ibrahim Berishës, të cilët me analizat e kujtimet personale të tyre, shpalosën figurën e paharrueshme të një shkrimtari të mirënjohur siç është Azem Shkreli, shkruan KultPlus.

Për Shkrelin, i cili dikur ishte kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit, diskutimin e nisi moderatori Ibrahim Berisha i cili fillimisht foli për jetën e autorit e më pas edhe për nderin e krenarinë që ky shkrimtar ia dhuron shqiptarëve.

“Zgjedhja e Azemit si një nga personalitetet më të njohura të letërsisë shqipe dhe më të angazhuar në proceset kulturore dhe artistike në Kosovë, na nderon dhe na obligon që përherë të kemi në vëmendje Azemin. Ai gjithmonë ka lënë shenja të dallueshme në krijimtarinë e tij e veçmas edhe në kulturën e filmit ”, thotë Berisha.

Sipas tij, Azemi ka qenë shumë i lidhur me Kosovë, Rugovën dhe botën shqiptare në përgjithësi.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për aspektet e krijimtarisë së Shkrelit, foli ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, Avni Spahiu.

“Adhuruesit e Azem Shkrelit, në gjurmimin e kujtimeve për të, patjetër do ta kujtojnë si një poet që kërkonte lirinë e popullit të vet, rebelueshëm në jetë dhe në letërsi. E kam njohur Azem Shkrelin për shumë vite dhe në dekadën e nëntëdhjetë të shekullit njëzet kemi kaluar momente të shumta së bashku të rënduar me ndjenjën e persekutimit dhe të pasigurisë të kohës së dramës së madhe të Kosovës. Azem Shkreli shprehte poezinë e tij të angazhuar dhe thellësisht personale që zinte fill që nga fëmijëria e tij e hershme dhe vetmitare”, thotë Spahiu.

Sipas tij, poezitë e tij të fundit dukeshin shumë profetike, parë në dritën e perspektivës nga e sotmja, poezitë që lartësonin Kosovën, ankthin e poetit kundruall atdheut të shkelur, ndërkohë që Shkreli vetë i ngjante një metafore të tokës, gjithnjë më fytyrëzbehur, gjithnjë më i goditur nga koha, gjithnjë më i ligështuar fizikisht, me skeptik dhe më i dëshpëruar, derisa kur arriti në aeroport dhe shkeli në tokën e Kosovës nuk qëndroi më dot dhe përftoi.

“Vdekja e hershme dhe e papritur e poetit dhe intelektualit, Azem Shkreli, vente para nesh një pyetje të rëndë, atë të përballimit të testit të kohës. Sfida e kohës ishte, pa dyshim, gjithëpërfshirëse dhe nuk ishte assesi e kufizuar vetëm në politikë. Ajo kalonte përtej kufijve të mbretërisë së politikës dhe të gjendjes aktuale të çastit. Ajo që zbulonim atëherë ishte çështja se a do të mundte një komb, që kishte provuar të gjitha llojet e pezmit dhe pasojat e tij, edhe mbi intelektualët dhe inteligjencien, të ndeshej me agresivitetin e kohës dhe prapë të ruante qartësinë e mendjes dhe të shpirtit, si dhe vazhdimësinë e jetës. Kjo, në radhë të parë, kishte të bënte me intelektualin”, thotë ai.

Për Spahiun, vdekja e intelektualit, nuk kuptohej më vetëm si përmbyllje e qenësisë së tij të natyrshme, por si një pasojë, si një perëndim alegorik viktimizues i rrethanave që përshpejtonin tragjiken e tundimit të padurueshëm.

“Azem Shkreli ishte si një zjarr që vlon, një harmoni midis formës dhe shpirtit poetik, një intelektual i preokupuar me fatin e njeriut dhe të atdheut të tij. Si intelektual nuk besonte në varësinë esenciale të botës materiale ndaj mendimit dhe ndjenjës dhe çonte një jetë si gjithë të tjerët, në shoqëri me intelektualët e kohës që përpëliteshin në përpjekjet e saj. Edhe ai si poet ishte i detyruar të kënaqej me mënyrën civile dhe të konformuar dhe të shkruante poezi në një ekuidistancë të sigurt me përvojën e vet jetësore”, përfundon Spahiu.

Tutje, poetja Naime Beqiraj foli rreth poezisë së Shkrelit, duke e cilësuar atë si një liri pa hijezime.

“Azemi u takon autorëve të rrallë që e stërholloi fjalën deri në finesa të imta pa kaluar në rregullat e ngurta e të rrepta të ligjërimit libror e lakonik të cilat poezinë dinë ta bëjnë edhe të pashpirt. Ai mbetet ekzemplar i poetit që e thelloi urtinë e mendimit – në gjuhë të zgjedhur. E heshtura e tij, nuk mbërthehet as zbërthehet”, thotë Beqirja.

Sipas saj, poezia e Shkrelit është liri, e liria nuk ka hijezime.

“Mendim i tërhequr me pak fjalë e thellësi, ai ndërton skele të fuqishme të fjalës që e mbajnë në tokë dhe e mbajnë pezull një shkëmb të tërë. Poezia e tij ka ndjesi, ka edhe spontanitet. Te Azemi, shpërthimet emocionale janë të rralla, të thella; të zbërthyera e të strukturuara poetikisht me gjuhë që ngritet nga libri në libër. Shqipja e sofistikuar në verbin poetik të Shkrelit, është metaforike, metaforike foljore”, përfundon Beqiraj.

Ndërkohë, në këtë mbrëmje letrare, përveç mendimeve dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga paneli, tutje nga të pranishmit u recituan edhe poezi të autorit duke bërë që poezia e Shkrelit të jehojë në muret e KultPlus Caffe Gallery, e njëkohësisht duke hyrë thellë brenda shpirtit të pranishëm e kapluar vëmendjen e tyre me magjinë e poezive të papërsëritshme.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari, Daut Demaku, i cili foli para pjesëmarrësve për vargjet poetike të Shkrelit, të cilat me magjinë e tyre e kaplojnë shpirtin njerëzor.

“Është interesante dhe e çuditshme se si një Kosovë nuk di ta lexojë magjinë e mençurisë së një shkrimtari. Azem Shkreli ka qenë një njeri që oqeanin e ka bërë pikë vese, studiuesit e tij pikën e vesës mund ta bëjnë oqean të fjalëve. Unë jetoj në dy vargje të tij dhe në ato vargje shihet mënyra se si oqeani shndërrohet në pikë vese: ‘Kur përmallimet në këtë mall, m’harro bukur dhe thuaj u takuan n’prrallë’. Nuk ka magji e mençuri që mund ta fisnikërojë më shumë shpirtin e njeriut se këto vargje”, thotë ai.

Sipas tij, vargu ‘Kur t’vish, rrugën merre me veti që të mos ketë kthim’, krejt ajo që quhet pendim, pikëllim, dridhje e shpirtit, është shndërruar në atë varg.

“Azem Shkreli është margaritar në përmasa botërore që nuk e njohim as ne. Ne e kemi për detyrë, jo që ta shpjegojmë e interpretojmë por thjesht e shkurt; ta përjetojmë poezinë e Shkrelit”, përfundon Demaku.

Pastaj, nën atmosferën e ngrohtë e poetike, të pranishmit vazhdonin të ndanin kujtime të veçanta e krejtësisht origjinale nga jeta e Shkrelit, poeti i cili do të qëndrojë gjatë në zemrat e tona e ndoshta do të na shoqërojë neve edhe deri në momentet e fundit të jetës njerëzore.

Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si: Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com