Botohet libri “Poeti i Detit”, kushtuar jetës dhe veprës së Basri Çapriqit

Këto ditë Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe PEN Qendra e Kosovës, botuan  librin me titullin, “Poeti i Detit”, i cili është përmbledhje e materialeve nga sesioni shkencor dhe ora letrare, mbajtur në Ulqin, më 17-18 janar 2020, përcjell KultPlus.

Aktiviteti është organizuar me rastin e 60-vjetorit të lindjes së poetit, profesorit dhe studiuesit të letërsisë, prof. dr. Basri Çapriqi, si dhe dy vjetorit të vdekjes së tij.

Duke filluar me shkrimet në formë të parathënies nga Ismet Kallaba, kryetar i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” të Ulqinit dhe Binak Kelmendi, kryetar i PEN Qendrës së Kosovës, në këtë botim përfshihen kumtesat e studiuesve dhe të shkrimtarëve: Bashkim Kuçuku, Zuvdija Hoxhiq, Milazim Krasniqi, Sadik Bejko, Sali Bashota, Anton Gojçaj, Haxhi Shabani, Ibrahim Berisha, Avni Spahiu, Arben Prendi, Eljon Doçe, Liridona Sinishtaj, Nail Draga dhe Rrok Gjolaj. Po kështu, janë botuar edhe poezitë kushtuar poetit, Basri Çapriqi, nga autorët: Ibrahim Berjashi, Sali Bashota, Milazim Krasniqi, Asllan Bisha, Hajredin Kovaçi dhe Argëzon Sulejmani.

Libri “Poeti i Detit”, përfshin edhe fotoalbumin, duke prezantuar aktivitetet kryesore të sesionit shkencor dhe të orës letrare, si dhe shënimet bio-bibliografike të Basri Çapriqit. / KultPlus.com