“POETI ME SHTAT TË VOGËL…”
Nga Xhahid Bushati
Kam filluar ta kujtoj më shpesh Frederikun ose Fredin, siç e thërrisnim për shkurt. Kujtoj at’ rrugicë që mbante emrin e patriotit Dedë Gjo’ Luli. Jam kthyer shumë herë, e shumë herë do të kthehem, e do të kthehem, aty. Hera ime e parë ka qenë, kur isha gjimnazist.
Ajo rrugicë ka fiksuar në kujtesë ecjen e shpejtë e pa zhurmë, shpesh vetmitare të Fredit. Ajo ecje, si një gjurmë poetike, mbarte në vetvete kontrastin mes njohjes dhe mosnjohjes së këtij njeriu me shtat të vogël e të mençur, nga banorët e kësaj rrugice. Mbarte deri diku edhe indiferencën e tyre për komshiun e heshtur. Nuk e di pse kjo frazë më kujtoi psikologjinë e mentalitetin e amullt, të mbylljes në vetvete e të asaj ‘matanë murit’, të shumë personazheve të tregimeve realiste e moderne, të trishtuar dhe ekzistencialë të E. Koliqit për Shkodrën dhe mjedisin e saj me gjithë nënshtresat, që i njohu aq mirë.
Bota e Frederikut, nuk përkonte me ‘botën’ e lagjes ku banonte. Planeti i tij poetik, edhe pse shpesh i përjashtuar, tharmin, thelbin e tij e kishte ‘Në këtë rrugicë…’, ku Fredi me përulësi dhe nderim kishte vënë shpirtin e vet si një gur qëndrese, lavdie e jetese, e më vonë si muranë. Kishte vënë lirikat si dëshmi, tregimet, legjendat dhe përrallat si ëndrra magjiplote.
Ai me talentin dhe personalitetin e tij të spikatur po i shtonte gjurmët e vlerta rrugicës së tij të dashur.
Është një rrugicë-muze. Rrugicë plot histori, ku personalitete të fuqishme, gjurmë të thella lanë aty. Është një rrugicë, që në të shkuarën e largët të saj kishte fiksuar gjurmët e atdhetarit, poetit e dramaturgut Hilë Mosi, i cili pati mbjellë aty, shumë e shumë vite më parë, një shegë për djalin e tij të vdekur. Historia e tij, akti i tij na kujton motivin e dhimbshëm të baladave të moçme, ku vdekja animizohet përmes një simboli, ku personazhi bëhet i gjallë dhe i përjetshëm. Është një rrugicë, ku shkeli e la gjurmët e tij personaliteti i shquar poliedrik, piktori, arkitekti, fotografi… Kolë Idromeno.
Gjurmët e kësaj rrugice, janë pjesë e lavdishme e historisë së kulturës së vendit tonë.
… e pikërisht në këtë rrugicë shëtiti, u mbrujt dhe lulëzoi fëmijëria e më pas personaliteti i Frederikut. Ishte një fëmijëri e vështirë, por me një përkujdesje të ëmbël mëmësie. Ishte një fëmijëri brenda mureve të gurta të asaj rrugice, ku lulëzonin e gjallonin kopshte trëndafilash.
Ishte kjo rrugicë dhe fëmijëria, që do të linin gjurmë të pashlyeshme në kujtesën dhe shpirtin e tij, të cilat do të përbënin më pas kodet e poezisë së Fredit. Ishte fëmijëria në këtë rrugicë, me një botë plot ëndrra, ku edhe ‘ngjyrat ishin shpirtra’, siç shprehej Fredi, për të cilat poeti trishtohej e qante, vetmohej dhe ndiente mall, se ishte fëmijëri e “vizatuar” përmes ngjyrave të trëndafilave, të pëllumbit, të lotit të nënës e të harresës. Në kontekstin poetik simbolika e trëndafilit lë “shenjën” më të thellë, shenjën më të spikatur, aq sa bëhet personazh i poezisë së tij, kthehet në simbol. Po në këtë kontekst, në të shumtën e herës humbet përftesa e elementit zbukurues, si kuptim i parë etimologjik. Kështu që, prej tij përftojmë rrjedha të tjera, e të tjera ngjyrime. Nga i gjithë cikli me poezi, “rrënjën” e ruan ajo me titull “Trëndafilat e fëmijërisë”. Veç shpirtëzimit të fëmijërisë së autorit, jetesa e tyre bëhet e mundur në saje të lidhjes ngushtësisht me mitiken. Ato sjellin në mënyrë biblike një modelim përrallor, të cilin e gjejmë si truall në krijimet dhe në kujtesën popullore. Autori shkon më tej. E shenjtëron, duke pohuar: “Në fund të kopshtit banonte mitologjia / në një Olimp prej trëndafilash.” Kjo figurë gjatë gjithë ciklit përfaqësohet në dy mënyra: a) përdorimi i njëjësit për shumësin për t’i dhënë më shumë frymëmarrje, dhe b) përdorimi i shumësit për njëjësin për t’i dhënë konkretësi.
Si në rastin e parë, ashtu edhe në rastin e dytë, raportet e konkretes me abstrakten sjellin dhe ruajnë imazhe e përfytyrime ireale. Spektri i krahasimeve, me objekt të vetëm dhe në qendër trëndafilin, (që nga psherëtimat, e deri te drurët e vdekur) nuk është gjë tjetër veçse vibracion i gjendjes shpirtërore të Fredit.
Në finale, pasi ka mbartur gjatë gjithë “udhës” përjetime poetike, mendoj se nuk bën gjë tjetër veçse përvijon dukshëm elemente të profilit të tij. E thellon atë. Në komunikimin artistik, këtë gjendje emocionale, këto akuarele nga bota floreale, i ruajnë dhe i shprehin “me fanatizëm” e bukuri të rrallë faqe të tëra të romanit “Zëri i largët i kasolles”. Një roman që është i dallueshëm në letërsinë tonë shqipe për tiparet e një proze poetike. Një roman që kritika letrare pati shumë ngurrime dhe nuk ishte aspak entuziaste në gjykimet e saj. Zakonisht kështu ndodh prej këtyre soj dogmash, të cilat në mënyrë diktatoriale e të sforcuar i krijoi metoda e realizmit socialist.
Nuk gaboj po të them se poezia e Fredit lulëzoi së pari te ai gjelbërim spontan që shfaqej në oborrin e tij, gjelbërim që i ngjante një mrekullie të pashoqe. Kjo mrekulli i ngjante një pikture surreale, veçanërisht netëve kur hëna vinte mike e hidhte rrezet e saj lodërtare. Kjo mrekulli kishte “çelur” edhe në shpirtin e Fredit dhe ruhej po e tillë në lirizmin e poezisë së tij. Lulëzoi edhe te ato trëndafila, që u bënë metafora ëndrrash e dhembjesh, heshtjesh e pikëllimesh. Çelën, lulëzuan e kurrë s’u thanë në vetminë poetike të Fredit; u dha jetë talenti i tij. Jo më kot “Në pjesën dërmuese të vargjeve të lirikave të Frederik Rreshpjes, jepet një dramë e brendshme përvëluese. Lirizmi i këtij poeti rrëshqet prore brigjeve të revoltës. Poezia e tij është përplot shqetësime, shqetësime të mëdha që buronin nga përditshmëria e jetës së tij. Vargjet e lirikave të Rreshpjes rrëfejnë botën e tij personale, me ngarkesa shqetësuese shpirtërore. Duke gjurmuar finesat e artit të Rreshpjes, pahetueshëm rrëshqasin në të dhënat e tij jetëshkrimore, që përbëjnë këpujën lidhëse: krijuesi-vepra e tij.”
Veçanërisht vitet e fundit, në konceptin filozofik e poetik të krijuesit Frederik Rreshpja, metafora e VETMISË u bë domethënëse dhe e dukshme, gjalluese, ripërtëritëse, duke u bërë lajtmotiv i krijimtarisë tij, siç ishte edhe lajtmotiv i jetës së Fredit. Shpërfaqja e tij e plotë u duk në vëllimet e fundit poetike “Në vetmi” e “Vetmi”, vëllime që i ngjajnë një testamenti lamtumire, që në fakt është një gur i çmuar dhe i rrallë në fondin e lirikës shqiptare.
(Shkodër, shtator 2019)
Marrë nga Hejza (faqe për kulturë, art, letërsi). / KultPlus.com