Poetika amerikane e anktheve

Louise Glück (1943) është njëra ndër poetet më fundamentale bashkëkohore amerikane. Njihet për precizitetin diskursiv, ndjeshmërinë e thellë dhe depërtimet shumështresore përbrenda temave të vetmisë, dëshpërimit ekzistencial, agonisë, krizave në raportet familjare, dështimeve në dashuri dhe vdekjes.

Autore e 14 veprave me poezi: “Firstborn”, (1968); “The House on Marshland”, (1975); “Descending Figure”, (1980); “The Triumph of Achilles”, (1985); “Ararat”, (1990); “The Wild Iris”, (1992); “Meadowlands”, (1997); “Vita Nova”, (1999); “The Seven Ages”, (2001); “Averno”, (2006); “A Village Life”, (2009); “Poems: 1962–2012”, (2012); “Faithful and Virtuous Night”, (2014), si dhe “Winter Recipes from the Collective”, (2021).

Gjithashtu i ka botuar edhe dy përmbledhje me ese: “Proofs and Theories: Essays on Poetry”, (1994) dhe “American Originality: Essays on Poetry”, (2017).

Fituese e shumë çmimeve dhe nderimeve: Çmimi për Letërsi i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Letrave (1981), Çmimi Pulicer për “Wild Iris” (1993), anëtarësim në Akademinë Amerikane të Arteve dhe Shkencave (1993), Poete Laureate e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (2003 – 2004), Çmimi Kombëtar i Librit për “Faithful and Virtuous Night” (2014), anëtarësim në Shoqatën Amerikane të Filozofisë (2014), Medalja Kombëtare për Shkenca Humanistike (2015), etj.

Në vitin 2020 u shpërblye me Çmimin Nobel për Letërsi, “për zërin e saj jashtëzakonisht autentik poetik, i cili me bukuri të ashpër ekzistencën individuale e shndërron në universale”.

Louise Glück:  3 & 3

Tri poezi dhe tri tregime

Përktheu nga anglishtja: Artan Muhaxhiri

Triumfi i Akilit

Në rrëfimin e Patroklit

askush nuk mbijeton, bile as Akili

i cili pothuajse ishte perëndi.

Patrokli i ngjante atij; ata vishnin

parzmore të njëjtë.


Gjithmonë në këso miqësish

njëri i shërben tjetrit, njëri është më pak se tjetri:

hierarkia

është përherë e dukshme, ndonëse legjendave

s’mund t’iu zihet besë –

burimi i tyre është mbijetuesi,

dikush që është braktisur.

Çfarë ishin anijet e kallura greke

krahasuar me këtë humbje?

Në tendën e tij, Akili

vuante me tërë qenien

dhe perënditë panë

se ai ishte një njeri tashmë i vdekur, viktimë

e pjesës që e donte,

pjesës që ishte e mortshme.

The Triumph of Achilles, 1985.

I egri iris

Në fund të vuajtjes sime

ishte një derë.

Dëgjoni këtu: ç’quani ju vdekje

unë e mbaj mend.

Përmbi, zhurmat, degë pishe

që lëvizin.

Pastaj asgjë. Dielli i ligshtë

regëtinte mbi sipërfaqen e thatë.

Është e tmerrshme të mbijetosh

si vetëdije

e varrosur në tokën e errët.

Atëherë mbaroi: nga çfarë ke frikë,

të qenit

shpirt dhe pamundshëm

të flasësh, me fund të befshëm, toka e ngjeshur

që lakohet paksa.

Ç’pandeha të ishin

zogj, yryshnin drejt kaçubave të ulëta.

Ty që nuk të kujtohet

kalimi prej botës tjetër,

të them që mund të flas përsëri: çfarëdo që

kthehet nga harresa, kthehet

për të gjetur zë:

Nga qendra e jetës sime buroi

një shatërvan i madh, hije kaltërmbyllta 

mbi ujin e detit kaltërçelë.

The Wild Iris, 1992.

Kinseportokalli

S’është hëna, po të them.

Janë këto lule

që po e ndriçojnë oborrin.

I urrej ato.

I urrej, njëjtë siç e urrej seksin,

gojën e burrit

që ma mbyll gojën mua, trupin

paralizues të burrit –

dhe britmën që gjithmonë e bishtnon,

të ulëtin, ofenduesin,

parakusht të bashkimit –  

Në mendjen time sonte

dëgjoj pyetjen dhe gjurmimin e përgjigjes

të shkrira në një tingull

që bymehet e bymehet dhe pastaj

ndahet në vetje të vjetra,

antagonizma të lodhur. A e sheh?

Na kanë mashtruar.

Dhe aroma e kinseportokallit

rrymon tejpërtej dritares.

Si mund të prehem?

Si mund të jem e paqësuar

kur ai kundërmim ende

është i pranishëm në botë?

The Triumph of Achilles, 1985.

*     *     *

Teoria e kujtesës

Shumë, shumë kohë më parë, para se të isha artiste e dërrmuar, e vrerosur me mall, por e paaftë për të krijuar lidhje të qëndrueshme, shumë kohë para kësaj, unë isha sundimtare lavdiplote, përbashkuese e gjithë vendit të ndarë. Kështu më tha fallxhorja që ma këqyri pëllëmbën. Gjëra të mrekullueshme, më tha, do të të ndodhin – ose ndoshta të kanë ndodhur: është e vështirë të jem e sigurt. Sidoqoftë, shtoi ajo, cili është dallimi? Në këtë çast ti je një fëmijë që i ka duart e kapura me fallxhoren. Gjithçka tjetër është hipotezë dhe ëndërr.

Vepra e prozës

Kur e shfletova faqen e fundit, pas shumë netëve, më mbërtheu një valë pikëllimi. Ku u zhdukën të gjithë, njerëzit që dukeshin aq të vërtetë? Për ta shpërqendruar veten, dola jashtë në natë: instinktivisht, ndeza një cigare. Në errësirë, cigarja flakëronte si zjarr i ndezur nga një i mbijetuar. Por, kush do ta shohë këtë dritë, këtë pikë të vogël mes yjesh pafund? Qëndrova për pak në terr, me cigaren që shndriste dhe zvogëlohej, ndërsa çdo frymëmarrje më shkatërronte qetësisht. Sa e vogël ishte, sa e shkurtër. E shkurtër, e shkurtër, por tash brenda meje, ku yjet s’mund të jenë kurrë.

Çifti në park

Një burrë ec i vetëm në park dhe pranë tij ec një grua, po ashtu e vetme. Si mund ta dihet kjo? Duket sikur ekziston një vijë mes tyre, si vija në fushën e lojës. Dhe prapë, në një fotografi ata mund të shfaqen si çift bashkëshortor, të rraskapitur me njëri-tjetrin dhe shumë dimrat e duruar së bashku. Në një kohë tjetër, ata mund të jenë të huaj gati për t’u takuar rastësisht. Asaj i bie libri i vet: përkulet për ta marrë, e prek, padashur, dorën e tij dhe zemra e saj shpërthen si kuti muzikore fëmijësh. Prej kutisë del një balerinë e vogël, e drunjtë. Unë e kam krijuar këtë, mendon burri; ndonëse ajo mund të rrotullohet vetëm në vend, prapëseprapë është njëfarë valltare, jo vetëm copë e thjeshtë druri. Ky duhet të jetë shpjegimi i muzikës enigmatike që vjen prej drurëve.

Faithful and Virtuous Night, 2014.

KultPlus.com