Arbër Selmani shpalos poezitë e tij nga shtëpia

Nesër duke filluar nga ora 19:00, Arbër Selmani do të lexojë disa nga poezitë e tij nga shtëpia, në kuadër të Poetry Night të organiuar nga Project Space Shtatëmbëdhjetë, shkruan KultPlus.

Në këto ditë të pandemisë, më e lehtë për Arbër Selmanin ka qenë përballja me poezinë. Këtyre ditëve, Arbëri ka shkruar e ka reflektuar mbi momente të ndryshme të jetës sot, dhe të jetës dikur.

Prej familjes, deri te dashuritë e rrugëve të Evropës, me kishën e xhaminë, me burrat e me gratë, me Adamin e me Rafaelin e me Silvian, Arbëri do t’i lexojë disa prej poezive të tij të reja por edhe atyre që tanimë i ka ndarë në rrjete sociale dhe të cilat janë përkthyer në sllovenisht, anglisht, turqisht, italisht e serbokroatisht

Arbër Selmani është gazetar ndërsa lidhja e tij me poezinë, siç thotë ai vet, është ndër lidhjet më të forta të 28 viteve të jetës së tij. Poezitë e tij janë kaq personale, dhe po kaq personal dhe i ndijshëm do të na vije edhe në këtë natë të leximit të poezive. / KultPlus.com