Një zemër e gëzuar është pasoja normale e një zemre që digjet dashurie. Gëzimi nuk është thjesht çështje personaliteti është gjithnjë e vështirë të shfaqesh i gëzuar: Një arsye më tepër për të kërkuar arritjen e gazit e për ta rritur në zemrat tona. Gëzimi është lutja; gëzimi është forca, gëzimi është dashuria. E më shumë jep ai që jep me gëzim.
Fëmijëve dhe të varfërve, të gjithë atyre që vuajnë dhe janë vetëm, jepini gjithnjë një buzëqeshje të ëmbël; Jepuni atyre jo vetëm kujdesin, por dhe zemrën tuaj. Ka të ngjarë të mos kemi mundësi për të dhënë shumë, por mundemi gjithnjë të japim gëzim që nxit nga një zemër valë dashurie. Nëse në punën tuaj hasni vështirësi dhe e pranoni me gëzim, me një buzëqeshje, në këtë, krahasuar me shumë gjëra të tjera, do të shihni veprat tuaja të mira.
Dhe mënyra më e mirë për të treguar mirënjohjen tuaj qëndron në të pranuarit e çdo gjëje me gëzim. Po qetë të mbuluar me gëzim, gëzimi do të shkëlqejë në sytë tuaj e në pamjen tuaj, në të folurit tuaj dhe në shpagimin tuaj. Nuk do të arrini ta fshihni dot, pasi gëzimi shpërthen. Gëzimi është shumë ngjitës. Kërkoni pra, të rrethoheni gjithnjë prej gëzimit kudo që të shkoni.
…
Gëzimi duhet të jetë një nga engjëjt e jetës sonë. është virtyt i një personaliteti zemërgjerë Ndonjëherë është manteli që mbulon një jetë sakrificash dhe vetëdhëniesh. Një njeri që këtë dhunti posedon, shpesh arrin maja të larta Shkëlqen si diell në gji të shoqërisë.
…
E Zoti ua ktheftë në dashuri gjithë dashurinë që keni dhënë e gjithë gëzimin e paqen që keni mbjellur rreth jush, nga njëra anë e botës në tjetrën.
Nëse dhomat e shpirtit tim do vizitoje Çfarë pretendon se do shikoje? Cilin përbindësh mendon se fsheh? Po të zhgënjej, por nuk më njeh. Nuk ka nevojë për të trokitur Hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur. Mure të zbrazët lyer pa ngjyra Fotografi, por pa fytyra. Diku e hedhur afër shtratit Është nje kuti e tersit, e fatit. E mbushur plot është me kujtime.
Brenda gjithë historia ime. Janë fjalët që kam thënë aty, gjithkush që njoha, përfshi ty. Gjithçka që bëra, e që vetëm i ëndërrova Vendet ku shkela, ku jetova. Janë zënkat tona dhe mëritë Janë puthjet netëve pa dritë. Veset e mia që aq urreve Mërgimi i ngadaltë i reve.
Dënimet që vuajta për ty Herët kur s’të pash në sy. Jetët që pa ty jetova Të tjera femra që dashurova. Janë dhe sekretet që s’të kam thënë E amanetet që të kam lënë.
Fëmijet që kurrë nuk më lindën Epshet që vrava se nuk mu bindën. Ka letra, që për ty i shkrova Në zarfet që kurrë s’ti dërgova. E nëse gjithcka përmbys do kthesh Sekretin më të madh do gjesh. E kam fshehur në fund fare Po s’e zbulove, s’ke pare gjë fare.
Nxirre mes duarsh në shtrëngim Atë më të shtrenjtin sendin tim. Balsamin që plagët shëronte kur kjo djall jete më kafshonte. Para fytyrës ngadalë afroje Dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje. E kur ngadalë ta kesh zbuluar. Veç një pasqyrë do gjesh në duar. Do shohësh veten, reflektim Se ti , ishe thesari im! / KultPlus.com
Poezi nga José Saramago Përkthimi: Orjela Stafasani
Në fund të minierës ma sekrete Në brendësi të thelbit të frutit që ha Në dridhjen e notës ma diskrete Në guaskën e përdredhun që lshon zâ
N’shtresën ma t’dendun që piktura mund t’ketë Në venën ku gjaku ma shumë gurgullon, Në fjalën që për ma së shumti butësi flet Në rranjën që fshihet sa ma thellë që shkon.
Në heshtjen ma të thellë të ksaj pauze Në të cilën jeta shndrrohet në përjetësi Kërkoj dorën tande, t’ia zgjidh nyjen ksaj kauz Me dashtë, pa besu’, ma n’fund, këtë privatësi./ KultPlus.com
Le të piqen pemët kur të kesh ardhur sërish bari i zverdhur fare le të jetë nën çatitë e kullës le të pikojë shi le të vërë trashë cipa e tëmblit në kusi
le t’i marrë lumi urat e trerët le të thyhen në cung le të ketë një shtëpi për dru lulet e verës le t’i ketë prerë me barë kostari le të ftohet ka stinë kur veç parzma e nënës do të ngrohet./ KultPlus.com
Poezi nga Nicanor Parra Përktheu: Orjela Stafasani
Para se t’përshëndetem kam të drejtë me e shprehë nji dëshirë t’fundit: Lexues bujar …………………………. digje kët’ libër nuk tregon at’ që doja me thanë. Edhe pse qe shkrue me gjak, nuk tregon at’ që doja me thanë. Gjendja ime nuk mundet me qenë ma e trishtë, u munda prej hijes sime: fjalët morën hak n’mu’. Falëm lexues lexues miqësor që s’mundem me u përshëndetë me ty me nji përqafim t’ngrohtë: Por po t’them lamtumirë me nji buzëqeshje t’detyrueme e të trishtë. Ka gjasë që s’jam ma tepër se kaq, por dëgjoji fjalët e mia të fundit: E tërheq mbrapsht gjithçka që kam thanë. Me hidhërimin ma të madh n’botë, e tërheq mbrapsht gjithçka që kam thanë./ KultPlus.com
Të falem ty, o gjuhë-shkëmb, me rrënjët thellë në shkëmbenj, që çave qiellinkur t’ u vrënj dhe shembe bisha e shtërpënj, po mbete prapë: shkrep e shtëng: të falem, gjuhë shkrepëtim, që shkrep në qiej e vrungullon, me bujë pyjesh bubullon, me gjëmë detesh uturon, dhe je, siç ishe: vetëtim; të falem ty, o gjuhë – hoj, ty, zëth i nënës – qetësi, ty, këngë e foshnjës – kaltësi, ty afsh’ i zemrës – dashuri gjithmon e ëmbël mjaltë zgjoi. Të falem ty o gjuhë e fisit tim, siç nuk i falem asnjë perëndi – se tempull i përjetshëm më je ti, dhe ti mburoje nëpër mot të zi ti, dritë e krirtë nëpër errësi, ti, perëndi, që nuk ke perëndim./ KultPlus.com
Po shkrihet bora, Dimri po shkon; Bylbyl i vorfën, Pse po gjimon?
Pushoi murrlani Me duhi t’vet; Bylbyl i vorfën, Çou, mos rri shkret.
Gjith’ fushët e malet Blerimi i mbëloi; Livadhi e pema Gjithkah lulzoi.
Ndër pyje e ograja, N’ma t’mirin vend, Me rreze dielli Po e gëzon gjithkend.
E tuj gjimue Shkon rreth e rreth Nji prrue që veret Rrjedh nëpër gjeth.
A çilë kafazi, Bylbyl flutro; Ndër pyje e ograja, Bylbyl, shpejto.
Kurrkush ma hovin Atje s’ta pret; Me zeher hajen Kurrkush s’ta qet.
Kafaz ke qiellin, Epshin pengim; E gjith’ ku t’rreshket Shkon fluturim.
Nëpër lamie, Ke me gjrtë mel; Për gjith’ prendverën Njajo buk’ t’del.
E kur t’zit edi Ndër prroje pi; Te njato prroje Që ti vetë di.
Tash pa frikë çerdhen E mban n’ndo’j lis; Nuk je si ‘i nieri Që nuk ka fis.
E kur t’vij’ zhegu, Kur dielli shkon, Ti ke me këndue Si ke zakon.
Rreth e rreth gjindja Me t’ndie rri; Prej asi vendit Ndahen me zi.
A çilë kafazi, Bylbyl, fluturo; Ndër pyje e ograja, Bylbyl, shpejto.
Ndër drandofille, Ndër zambakë nga; Ku qeshte kopshti, Idhnim mos mba.
Po shkrihet bora, Dimni po shkon; Bylbyl i vorfen, Pse po gjimon?
II
Por vaj! Se ‘i dimën tjetrë Paske, o bylbyl i shkreti; Pa da ty zemra t’treti Mbas vajit që t’rrethon.
Me lulzim t’vet prendvera Ty s’ta përtrin gazmendin: Jo kurrë s’e njifke shendin, Bylbyl, që po vajton.
A thue po kjan, se çerdhen Ta ka shkatrrue skyfteri? A thue po kjan, o i mjeri, Se me rrnue gjallë s’ke mel?
Ndrrojn’ edhe stinët e motit, E për çdo herë ndron era. Mbas dimrit vjen prendvera, Mbas borës blerimi del.
Veç ti me idhnime t’tuja N’zemër gjithmonë po pihe, E ditë e natë po shkrihe Mbas vajit që t’mundon.
Kur a tuj ardhun drita Ndihet tuj këndue shpendi, E n’këngë i duket shendi, Që zemrën ia gazmon.
Gjetiu ndër pem, ndër lule Shkon e fluturon bylbyli; N’at erë që jep zymbyli Vjollca e zambaku nget.
Por ty, n’kafaz t’shtrëngueshëm, Ty t’paska ndry mizori, E kurrnjiherë nuk t’nxori Me t’lëshue ku zemra t’thrret.
Ti kurr, nji kangë s’ia këndove Diellit kur nadje çohet; Zemra me vaj t’coptohet E me pajtue nuk don.
Ndoshta kujdesi i t’tujve Gjith’ ket hidhnim ta qiti, E shendin ta shutiti E vshtira që i mundon.
T’burguem i bani gjindja Veç përse donë me ndie Njat za që lëshojnë me hije Që t’knaq e që t’ban rob.
Çdo krajl i madh ndër shpija Ty t’mba m’u thanë i veti; Vetë bukuria, o i shkreti, Kena për ju nji kob.
Përse tu ndeja e t’mëdhajve Nji shpend i vogël s’ndalet; Shpendit i kande malet, Çerdhen e t’parve do.
Me at zanin tand t’përmallshëm Ndoshta ti ankon këto t’vështira; Derisa t’kthejn’ e mira, Bylbyl, papra gjimo.
III
Por njaj vaj që je tuj lëshue, Bylbyl, zemrën ma copton; Ditë e natë rri tuj prigjue, Vaj për mue! Kush mund t’ngushëllon?
Gjama jote a porsi ankimi I nji fëmijës që vetun mbet; Gjama jote a si shungllimi I nji t’zezës që gja s’ pre.
Porsi dnesë me futë në krye Nana e shkretë që mbet pa djelm; Njashtu tine rri tuj shfrye Njat idhnim që t’u ba helm.
Puna jote, o i mjeri, m’mbyti E kurrkund nuk m’len pushim, Shkoi nji muej, po shkon i dyti T’zezat t’tua s’kanë mbarim.
Tash ndër arë lulzoi qershia E me borë dimni po shkon: Kurr s’mbarojn’ t’zezat e mia, Gjama jote kurr s’mbaron.
Si t’burguemit n’ishull t’detit, Ku tallazi i thekshëm vrret, O t’vijë t’ftoftit, o t’vijë t’nxetit, Vaji zemrën ia pëlset;
E papra n’ankime t’veta Vajton fisin që larg la; E tu fëmija i shkon si zgjeta Mendja e shkretë se mbet pa ta;
Njashtu ti rri tuj vajtue N’njat kafaz që shungullon; Fisin tand rri tuj mendue T’zinë atdhe që s’e harron.
Për fat tand, për zogj që kishe Ndoshta zemra, i mjeri, t’dhemb; Me e pat dit’ të mjerët ku rrishe Kërkue t’kishin gemb mbi gemb.
Me e pasë ndie njat za që lëshoshe, Me e pasë ndie njat vajin tand, Kishin ardhë kudo që t’shkoshe, T’kishin lypun kand e kand.
Njat vaj tandin tuj kujtue Pa mbyllë syt’ kan’ shkue sa net; Pveshtin hanën tuj gjimue, Pvetshin hyjt për prind të vet.
Por aj kob që hana e diti E njaj vaj që ylli pau, T’shkretve n’vesh kurr nuk iu mbrriti, E kurr zemra nuk ju ndau.
Me ditë hyjt me bisedue, Me pasë sy që me derdhë lot, Vajin tand ju kishin prue T’kishin kja për jet’e mot.
Nëpër fush’ e nëpër shpija, Me kujdes që s’nep afat, Rreth e rreth t’kishin ardhun fëmija, Kjamun t’kishte i ngriti fat…
IV
Por ça ka toka, bylbyl, ndrron moti; Ankimi e vaji nuk asht i zoti Përgjithmonë zemrën me na coptue; Fillo me gëzue.
Mbas boret t’dimnit çilet prendvera; Nji ditë nuk gjindet që s’po ndrron era; Sendet që patmë nuk janë tuj mbarue; Fillo me gëzue.
Tuj dnes’ i vorfni se e mbluene t’kqijat, Me ankime t’veta mbush rrugët e shpijat; Lehtsim por s’mbramit gjen tuj punue; Fillo me gëzue.
Kjajnë fëmijn e dekun prindt e shkretnuem Me ‘j vaj që duket se s’ka t’pajtuem! Por zemrën moti jua ndrron tuj shkue: Fillo me gëzue.
Ndër ishujt t’detit kjan i burguemi Për fmij, për grue që s’shef i shuemi, Por prap durimi ka me ja prue, Fillo me gëzue.
Shpend tjerë burgosi sa herë mizori, E rishtas jashtë dikur i nxori; Ndër fushë e male janë tuj fluturue; Fillo me gëzue.
Flutrojnë ndër male, flutrojnë ndër lule, Flutrojnë ku çerdhen motit e ngule, E kangët e parshme nisin me këndue: Fillo me gëzue.
Ndër zogj që kishe ndonjëherë do t’hasin, Ndër pemë, ndër lule bashkë me ta ngasin; Për ty t’vorfnuemit rrijnë tuj shpnesue: Fillo me gëzue.
Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet: Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet; Edhe natyra po don m’u ndrrue: Fillo me gëzue.
Porsi motmoti ndrrojmë dhe na vetë, Herë-herë gazmohna, herë rrijmë të shkretë, Por vaji e ankimi kanë për t’u shue; Fillo me gëzue.
Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi, Ka me ta shëndodhun zemrën gazmendi, Për mall, si motit, zanë ke me e lëshue: Fillo me gëzue.
Kur t’shkojsh ndër fush, kur t’shkojsh ndër male, Afër shpisë seme hovin tand ndale; Mahnit’ at zanin tand tuj prigjue Kam për t’u gëzue.
Forma e përkyer, gjatësie e vargut nis me katër-gjashtë rrokësh në pjesën e parë, tetë në të dytën, nëntë në të tretën, dhejtë dymbëdhjetë dhe gjashtë rroksh në të katërtën. Rrima abcb në pjesën e parë, abbc në të dytën, abab në të tretën, aabb në të katërtën. A ka bylbyl të këndojë më larmishëm e më gjatë pa iu dridhur zëri një herë të vetme? Vargje shekspiriane: Me ditë hyjt me bisedue, Me pasë sy që me derdhë lot, Vajin tand ju kishin prue T’kishin kja për jet’e mot. për Bylbylin, presje mbas çdo shkrimi të fjalës si një përulje të thellë për të. Dymbëdhjetë herë, aq sa muaj ka viti, grishje “Fillo me gëzue”, e mbas tyre një mbyllje e papritur “Kam për t’u gëzue” që na bën ta nisim recitimin (leximi është i pakët) nga e para e nëse gjendet bylbyl të na shoqërojë të shohim kush i vajton më bukur fitores së jetës ndaj vdekjes, gazmendit ndaj idhnimit, lirisë ndaj burgut. Me e pasë ndie njat za që lëshoshe, Me e pasë ndie njat vajin tand, Kishin ardhë kudo që t’shkoshe, T’kishin lypun kand e kand.
“Duke ardhur” nga Philip Larkin vlerësohet si një nga poezitë më të bukura dhe motivuese. Autori edhe pse shprehet i mërzitur prej ngjarjeve të jetës së tij, beson se së shpejti do të vijë pranvera dhe do të ndihet si një fëmijë, do të jetë më i lumtur. Besime të tilla janë ato që dallojnë një optimist nga pesimisti dhe teksa kalon nga vargu në varg, e ndien se autori këmbëngul tek idetë optimiste, duke na bindur se duhet të jemi të tillë.
“Duke ardhur” Sa shumë po zgjaten mbrëmjet, Drita e verdhë dhe e ftohtë Lag ballin e qetë të shtëpive. Te pema e dafinës, Në kopshtin e zhveshur Këndon një mëllenjë. Zëri i saj i ri të befason, Muri me tulla.
Së shpejti do të vijë pranvera, Së shpejti do të vijë pranvera. Dhe unë me fëmijërinë time për dore, Harruar prej mërzisë, E ndiej veten si një fëmijë, Që vjen pikërisht Kur të rriturit bëjnë paqe, Dhe nuk kupton asgjë, Përveç një buzëqeshje të pazakontë, Dhe fillon të jetë i lumtur.
Sonte hëna ëndërron e lodhur, e mërzitur Si një grua e bukur që mes jastëkësh t’butë Përkëdhel gjijt butësisht e lehtë, e dremitur, Ndërsa ledhatimi ëmbël në ëndrra e fut.
Mbi supin –saten të reshmeve të bardheme, Syri i saj mashtrohet me pamje të rreme Ajo tretet e tëra në prehrin e zalisë, Që lulëzojnë , ngjitjen e drejt kaltërisisë.
N’këtë molisje t’ëmbël, ashtu tinës e kot, Kur ajo ndonjëherë lëshon një pikë lot, Një poet besnik, që tërë natën s’ka fjetur,
Në dorën e vet na e merr lotin e trishtimit, Me një shkëlqim ylberi si t’ish prej rrezatimit, Dhe e shtrëngon në zemër, nga sytë e djellit fshehur./ KultPlus.com
S’kam nevojë për para, kam nevojë për ndjenja, fjalë, fjalë të zgjedhura mençurisht. Lule mendimesh, trëndafila pranie, pemë banuar me ëndrra. Këngë që bëjnë të vallëzojnë statujat, yje që u pëshpërisin në vesh të dashuruarve. Kam nevojë për poezi, këtë magji që përvëlon thellësinë e fjalës, që rizgjon e ngjyros emocionet./ KultPlus.com
Sa herë matem me kohën që rend, në çdo rast ndihem i humbur. S’i kam jetuar, i kam shpenzuar më kot, mijëra ditë e net të ikura, nga shkujdesja, në të shkuarën…
Shpesh më bëhet në ëndërr se pres, në një stacion të shkretë një tren imagjinar, për kthim në të shkuarën.
Sado që rend të mos humb një sekondë, përherë mbërrij vonë, tepër vonë, në stacion. Por s’e humb shpresën, pres. Një tren tjetër do të vijë, treni i fundit me ndalesë, që mbledh të vonuarit. … S’dua ta humb atë tren, i vetëm të mbes, si Mohikani i fundit, në mes të askundit…
Ndoshta, më mirë të harrohesh, shkujdesur, në pakohë, nëpër vagonë vitesh, pa e ditur se në ç’stacion të largët ndal treni që ke pritur…/ KultPlus.com
Këndojnë’ s’bashku n’mëngjes pes’ kumbanore Këndojnë’ n’ajri mbi Shkodër ende fjetë: Mbi Maranaj qet vetllen kureshtare agimi e hjedh n’liqe synin e qetë.
Përhap lajmin e zgjimit rrezja e parë T’parat përshëndetje dridhen n’heshti letë, E shpejt n’at lavdi, që e vesh’ fare, Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.
E ai diell pranvere i ri shprazet n’shtëpija, Udha e lulishta, tue ngjall’ ngjyra e shkëndija, Tue mbshtjell’ gjithçka si nji tis ari, i hollë,
skaj n’skaj si lum gzimi tue rrëshqitë n’sytë e vashave qeshë, e mbush’ me dritë kaçurrelat e tyne kur shkojn’ n’shkollë./KultPlus.com
Do të pëshpëritë era ndaj mbrëmje si nj’herë, prej valësh do ngrohet hëna si sot, me iskra prej bryme do mbuloj’ mermere dhe bota do jetë si ish dhe qemot Si nesër do shtrihet lëndina për mbi varr Valë-dheu do zënë t’palosen ngadalë, do ende parevera e lule e bar, dhe zile do rrëshqasin që prej male. Do qeshë dielli në qoshen e një reje, do thajë lotët mbi lulet e qershisë, larg, mbytur do ndjehet gjëmimi i një rrufeje, permbi mal do hapet brez’i Perëndisë. Do shtrojë dhe dimri qilim të argjendtë mbi pllocën e tretur, mbi kryqn’e anuar, do rritet harrimi me dhërin e rëndë dhe unë do fle, ty duke t’ëndërruar…. (dhe të t’harruar)./KultPlus.com
Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije. Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije, Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…
E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim: Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë… Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë… Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.
Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi… Zotëroj më katër anë errësira… Po tashi: Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri, Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…/ KultPlus.com
Fryn erë e dimrit, fishkëllen si bishë Që nga Gjykatë e Lartë në Parlament. Tirana gdhin, aq pabesisht e hijshme, Sa s’di ç’ta marrësh, delir apo qytet.
Zgjohet sërish, me atë emër të tmerrshëm, Që një mijë vite rreh ta heqë më kot. Vërtetin gjethet dantealigershëm Si shpirtra që nuk patën trupa dot.
Përballë tyre, zyrtarë të pashpirt, Në varg veturash rendin, s’dihet ku. E verbër si të tjerat ngjan kjo ditë Ngaqë askush s’beson askënd, askund.
2 Në një mëngjes të tillë ç’të bësh më mirë, Se sa të shkosh në klubin “Davidoff”? Të zësh një kënd mu te qelqnajë e ngrirë Dhe mendjen mundësisht ta çosh në off.
Në kafene ka për çdo punë një qasje, Të tillë që kurrkënd nuk e gjen dot. Për tri mijë euro porosit një vrasje, Për katër mijë, titullin vikont.
Për gjithçka flitet, pronat, asgjëkundin, Çmimin Nobel a një veturë të re, Për zgjedhjet dhe dekretet krejt të fundit Të zotit president me emër hebre.
Flitet për mllefe, për kupën që u mbush, Për Jezu Krishtin a ndjesën fill pas kobit. Në njërën nga tryezat shpall dikush Një skicë të re të historisë së kombit.
Pas tij, kur etërit tanë një vjeshtë dolën për pre, Një shkabë rrëmbyen në trojet e mëdha. Më lehtë u merrje shpirtin se atë shpend, Ndaj bota u lodh e shkabën ua la.
Krenarë që Romën e Bizantin zhvatën, Jo një kasolle vllahu në Ballkan, E vunë në flamur të tyre shkabën Dhe bij të saj u shpallën anembanë.
Kështu në kafene kjo punë merr qasje Me “kundra” e “pro” të bujshme, natyrisht. Okej, për tri mijë euro, thotë vrasësi, Për dukën dhe dukeshën bashkë, dyfish. 3 Mesdita ia beh, si grua e dehur tapë. Temperatura e dollari zbresin prap. Po shqyhen celularët: okej, shkërdhatë, Rrofsh, je yll bote, e tung, e top, e ****.
A shqip është kjo llahtarë apo dreqnisht? Për gjithçka flitet, heshtet për gjithçka. Ja të dy palët, xhelatë, viktima e ish, Kujtime shkruajnë netëve me mllefe të mëdha.
Po ç’është ky popull që në gropë i shtrirë Kujton aq krenarisht se është në majë? Dhe kur përkunër, nga gropa del i lirë, Jam i rrëzuar! Klith me thirravaj?
Një makth i dalë nga një gjumë i marrë Më i zbërthyeshëm se ky komb do të qe. Ca trumba zogjsh me curle e celularë Që nëpër mjegull klithin, nëpër re.
4 Pse gjethet befas prarim kurore marrin, Tek shtrohen si qilim mbi bulevard? Kambana e katedrales së Shën Palit Trishtueshëm bie si me peng e aht.
Ç’nuk pjell ky vend, horra, shenjtorë e tmerr, Zonja Makbeth e pranga e perla e hekura. Dhe ja tani njëra pas tjetrës nxjerr Dy mbretëresha, që të dyja të vdekura.
Nuk qenë robina jo, rrëmbyer vonë, Pas dokeve kreshnike a në pritë. Kanë ardhur vetë, ndonëse qenë në fron E para veç një vit, e dyta as një ditë.
Dhe katedralja i përcjell me vaj Dy mjellmat e gabuara, të mekura. Ato që s’erdhën për kurorë, veç për varr, Të brishtat zonja, mbretëreshat e vdekura. 5 Në klubin “Davidoff” qelqnajë e ngrirë Dremitje dite sjell s’di se nga ku. Një si madonë e lodhur më është përhirë, Që italishtja gjuhë mund t’ishte gjithashtu.
Lehonë e zbehtë pas lindjes së kaltëreme, Në të njëmijtin e treqindin vit, Më shumë se Krishti madonën, kjo poemë E lodhi ndoshta gjuhën italisht.
O këto pamje i njoh dhe nuk i njoh, Këto tri kate, rradhët, ashensorët, Ku hypin, zdrypin, klithin obobo, Rufjanët, mëkatarët dhe mizorët.
Të gjithë janë aty, rrahin më kot Të ndërrojnë katet, por katet s’ndërrohen kurrë. Të zes, në mjegull shtyhen sindozot, Ish-korbat e së zezës diktaturë.
Nga bie dalja? Ku ndodhet Purgatori? Nga pyetjet sheshi gumëzhin si zgjoi. Shkodran je ti? Ç’plenum i zi të polli? Më ngriti i dyti, i gjashti më rrëzoi.
Një zë gjëmon: këndej plenumi i katërt, Piktorët andej, i pesti rreth u mbush. Shkrimtar spiun je ti? Rend te i shtati. Në s’do të digjesh te i teti shkrumb.
Rendni, fatzinj, mëshirë për ju nuk ka, Ashtu siç ju nuk patët për askënd. S’ka vend ndërkaq te Tmerret e Mëdha, As te Politbyroja nuk ka vend.
Me ngut po shtohet një Gropë e Hon i Ri, Bri Lugjezezës një tjetër Lugjezezë. I nënti rreth po mbushet, dhe ai. S’ka mbetur veç një vend për Zonjën e Zezë.
6 Në kafene ka rënë njëfarë qetësimi. Shpirti pushim kërkon, e ndoshta mall. Anëdete blu, plazhe të shkreta dimri, Hotele ku nuk mbërrin i ftohti i madh. Një grua e mjegullt, shfaqur te qelqnaja M’u duk se më kujtonte një premtim. Vdekja s’më la, atë premtim të mbaja, I thashë më në fund plot pikëllim.
Ajo më pa habitshëm që pas qelqit: Nuk të marr vesh, kjo gjuhë më bën ujem. Në qoftë se ti, siç thua, je i vdekur, Atëhere mua ç’më mbetet që të jem?
S’e di, i thashë, me habi të ftohtë, Tek shpirti prapë me pikëllim m’u mbush. Dikush nga ne të dy s’është më në botë, Po cili a cila, këtë s’e di askush.
Një copë herë me shenja morëm e dhamë. S’kuptoheshim, veç kishim mall e mund. Gjersa ajo u tret te qelqi i madh Dhe unë mbeta shkret në kundaskund.
7 Mbrëmja po bie. Tirana rrotull bllokut Nis të stoliset për ballo a për orgji. Një foshnje e rastit, e paligjshme e Nju-Jorkut, Një ëndërr xhuxhe a shkërbim i tij.
Në borxhe e gjyqe rrokaqiejt vërtitin Drita dhe bare rrotulluese lart. Poshtë tyre, luanesha të përgjumura në pritë, “Amerikan”, “Raiffeisen” e “Credin’s Bank”.
Por s’do t’ia dijë askush për borxhe a gjyq, Të dehur qejfit krejt a marrja e hakut. I gjatë, si natë e ankthshme n’udhëkryq Shfaqet mes brymës kryebashkiaku.
Kull e Sahatit po tregon një orë, Që ndoshta kundërshtohet si çdo gjë. Në sallat e muzeut të fundit vizitorë Ja muzgu si në kurth befas i zë
8 Kështu në një fund dite ajo mu shfaq Fantazmë e kombit si e Hamletit mbret. Kish ndryshk e gjak mbi parzm e et per shpage Dhe kumt të frikshëm kish në sytë e vet.
Une ja besova fjalët, kumtin, ahtet, Gjithmonë ka një fantazmë qe lyp dicka prej nesh, Pastaj ajo kërkoi atë që s’lypet artin. Tek fjalen “popull” tundtte si rrebesh.
Te falem per ç’me dhe, veç mos me lyp ti mos, Një borxh që nuk ta kam. Të kërkoj ndjesë Qe dot s’të mbrojta, s’të mbrojta e sidomos, Prej vehtes tënde, armikut tënd të tmerrshem.
Ti rrugën tënde ke në këte botë të ftohtë, Shkrimtari do a s’do ka rrugen e vet. Të mbroftë Zoti, a marrezia të mbroftë, Tjetër hyjni unë kam. Pra mirëmbetsh!
Ska “mirembetsh!” fantazma klithi. Mejet Ti sndahesh dot, mbi toke apo nen toke! Nu ngritshim, te dy do cajme rete Ne rencim ne humnere, do biem tok.
Klithmën e saj kaq kohë pata në vesh, Here si rënkim, si urdhër a si vaj Kërkonte që gjithkund ta mbart si peshe, Porsi Ankizin at, mbi shpinë ta mbaj.
Të gjithëve kjo klithmë na ndjek si nëpër gjumë. I vogël është planeti sigurisht, Si një shtëpi e ngushtë, ku në bodrum Dikush klith: “ndihmë!” dhe ti, s’di si ta ndihsh.
Mesnata shkon Tirana dot nuk fle. Po flet përcart si shpirt që kërkon ndihmë Një metropol me kryet krejt në re, Kryeqytet me emrin krejt enigmë.
Në ç’makthe e gjete, ç’kumt aty ke ndryrë? Ç’urdhër ke fshehur, kë do trembësh me të? Fryn erë e dimrit, si ulkonjë e ngrirë, Ajo që s’jep përgjigje për asgjë./ KultPlus.com
Shkuan ashtu si erdhen, për toke, për qielli, pritje të gjata në kufi, pritje për t’i parë fytyrat e dashura vonesa të mëdha në aeroport, vonesë për çastin e përqafimit. E deshtën atdheun marrëzisht, e shanë atdheun tinëzisht, hoqën mall e na lanë mall. Për çka të ka marrë malli, biri im? Bëra pite me spanaq, edhe një me kungull, Pasul në tavë, me turshi, Embëlsirën me vezë, si të nonës, ta bëj tash sa ta kthej një mesazh. Lëshoj qesen me pazaret, vë përparësen, prit sa ta dërgoj këtë email. Nanë, e pijmë një verë të nxehtë në shesh ? Po, pas mbledhjes sime. Përqafohemi nën një mijë e një yjet të qiellit të katundit, urime ky vit i ri. Shpejt, biri im, mos të na ik asnjë çast, Shpejt, shpejt, shpejt, shpejt…. A do të vish verës?/ KultPlus.com
I humba të gjitha, po lypës s’u ktheva, S’ia zgjata dorën askujt dhe veten e mbajta. Ç’u bënë vajzat më të bukura, Drita, Maria dhe Eva? Atyre dorën me gaz mund t’ua mbaja.
Po të gjitha ato u plakën si unë Dhe bukurinë e dikurshme s’e kanë, Megjithatë drejt tyre synoj nganjëherë më shumë Sesa drejt guhakerve me qyrk e famë.
I humba të gjitha, më mbetën vetëm kujtimet dhe kockat, Më mbeti lëkura dhe bebja e syrit tok me shkëndijat. Tani përballë shtëpisë sime këndojne bretkosat, Gëzohem se janë të gjitha të mijat./ KultPlus.com
Nesër, sa çel dita, kur fusha zbardhet Do nisem, e di që ti m’pret Do kaloj bjeshkë e do shkel malet S’mund t’rri larg teje, kjo pritje vret.
Do ec i humbur në mendime Pa shiku gjë jasht, as pa dëgju N’vetmi, i panjohur e me dyshime I mërzitur se edhe dita m’është terru.
S’do shikoj as qiellin e artë kur bie, As velat atje larg drejt Harfleur kur ngjiten Sa t’arrij aty, mbi varrin tënd do vendos Një buqetë me bimë e lule që s’veniten./ KultPlus.com
Te shpija e babës shkoj ma rrallë M’shtojnë mërzi dheu e gurt n’oborr E n’bodrum ka shumë rrjeta merimangash Ka shumë pluhun E pak i bjen drita. Aty, n’dollap ka shumë gjana t’babës Nana i run. Nji ditë i shpalosa kutitë M’bajshin erë dheu Erë njeriu prej dheut Baba u kanë puntor Ka mbajt k’puca e dorëza pune Nji pal k’puca t’leshta ngjyrë kafe Trujtuna si me kan’ t’reja Dorëzat n’formën e dorës babës I nuhata fort e i shtrëngova Iu vinte era punë, Era babë.
( Sot 10 vite, e baba çdo ditë rrnon n’kujtime)/ KultPlus.com
Në zgjimin tim të heshtur të më ngurosin në flijimin tim të begatshëm të verës në nisjen time në fillimin tim të ri në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë le të më puthë rrezja e qartë ngazëllyese e druvarit të fjetur në rudinë myshku le të jetë gjithmonë i blertë mbi gurë emër të mos ketë e shkronja le të flasë në gjuhën e vjetër të kafshës së zezë guaca e kërminj le të vijnë për dasmë mbi rrasën time le të shtrihen edhe ata si dy yje ftohtë le të bëjë dimrit e verës verë e me një pikë ujë verdhësisë së barit tim le t’i mëshirohen vërmeni atje tek do të tregojë guri për udhën deri te shtëpia ime bërë me dru e kashtë le të thyhet çdo pasqyrë që ka ballsamosur ballin tim e mërrolën e çastit plot mllef se ja tek po zgjohet er’ e re e dashurisë së tokës se jam i parrezikshëm kaq i pafuqishëm mumje përfytyrim që krahasohet me rrahun tek do të më vini përsëri ju pas le të më lënë të fle qetë si pranë stufe dimrit të madh të dashurisë sime nuk do të përpëlitem s’do të rrotullohem s’do të shplohem natën nuk do të kollitem me fjalët e mia le të më mallkojnë në rrasën time atë rrasë të zezë të ftohtë në duart që i kam prekur le të më lëshojnë rrjedhës të qetë të fatit që pret shigjet e mërisë le të bjerë mbi dhe në shkretëtirën e moskuptimit le të fiket kurrë të mos vijnë kur unë nuk i pres ata që tërë jetën i prita, të dashurit ç’po flas kështu pash’ zotin?/ KultPlus.com
Ca – që domethënë jo të gjithë. Madje as shumica e atyre të gjithëve, veç pakica. Pa përfshirë këtu shkollat, se aty duhet, si dhe poetët dora vetë, në tërësi mbeten nja dy në njëmijë vetë.
Pëlqejnë – por dikujt i pëlqen makar dhe supa e pulës, dikujt i pëlqejnë përgëzimet dhe ngjyra blu, dikujt i pëlqen një shall i vjetër, dikujt i pëlqen të ketë në dorë dikë tjetër, dikujt i pëlqen të kujdeset për një qen.
Poezinë – ore, po ç’na është vallë kjo poezia? Më tepër se një përgjigje tërthorazi ka marrë një pyetje e tillë. Por s’e di që s’e di dhe mbahem fort pas saj si pas një parmaku.