‘E pashë se kisha puthur buzë me kuptim’

Poezi nga Abdullah Konushevci

Ajo më deshi
Me më mbytë më shpejt
Pikë gjaku pa më thithur s’e la

Kur preka vetë fundin e vdekjes
Tue qenë jeta
Ajo më la

Pa mbyllur mirë dyert e parajsës
I hapa portën ferrit

Kur i mësova të gjitha
E pashë se kisha puthur
Buzë me kuptim
Dhe shtat me kuptim
Kisha shtruar

Pa e marrë mirë veten
Iu ktheva përsëri
M’i tregue fytyrën e vetë vdekjes
Dhe buzët, buzët që kanë
Ende kuptim / KultPlus.com

Tradhtia

Poezi nga Abdullah Konushevci.

E përcolla me një pikëllim të fshehur
Në sy në buzë nën bark
I shihja gjurmët e tjetrit

Kur u ktheva
Në dhomë kishte rënë stuhia
Shtrati sikur ishte kthyer përmbys
Banja merrte frymë me vështirësi
Si një i sëmurë astmatik

Hodha shpejt e shpejt në shportë
Brekët këmishët çarçafët
Shtratin e shtrëngova mirë për këmbësh
Po hija po era e saj ishte kudo

E di se më nuk do ta takoj
Se tjetri në sy në buzë nën bark
Do të lexojë me pikëllim
Gjurmët e mia

Prishtinë, më 27 tetor 2010. / KultPlus.com