Grua prej guri

Ag Apolloni

Grua prej guri

(Ferdonije Qerkezit, që e thërrasin edhe Donja)

Ti bijë e Tantalit dhe e Dionës,
Donja Niobe,
grua tokësore,
e goditur nga shigjeta hyjnore,
cili qe gabimi yt, e thua dot
(përveç gabimit të bukur të çdo nëne,
që kujton se fëmijët e saj janë më të bukurit në botë)?

Fati s’e ka dorën e lehtë, ai i ngjan Letos.

Donja Niobe,
herën e parë të pashë në Firence,
rrethuar nga niobidët
në sallën e ftohtë,
dhimbje e ngrirë në gur;
herën e dytë të pashë në Gjakovë,
të ulur në zemër të vetmisë,
pa fëmijë, pa burrë.

Je mit në alabastër,
Je legjendë në lëkurë.

Amfionit dhe fëmijëve ua morën masën
dhe ua qepën të njëjtën rrobë.
Pastaj Parkat varën veten me penjtë e prerë
kur dëgjuan vajin tënd, Niobë.

Tash dhimbja ulet në mes të dhomës,
malli si miu ha veten nëpër kënde.
Unë hap “Iliadën” te kënga e fundit dhe shoh
se si Priamin e ngushëllojnë me dhimbjen tënde.

Donja Niobe,
ti njëzet vjet pret … Uliksin, Telemakët e tu … diellin;
në sofër ushqen veten me kujtime,
e dhimbja jote e bën me turp edhe Qiellin.

Në teatrin tënd të absurdit, pritja hedh valle,
lotët e lojës lirike lajnë kujtesën emocionale.

Donja, zonjë e dhimbjes,
primadonë e tragjedisë sonë.
pritja përgjithmonë nuk zgjat,
se ora e dasmës zinë s’arrin ta matë.
Takimi një ditë do të ndodhë,
(para porte do të shfaqen fëmijët dhe burri),
historinë ta lexojmë në relievin e Shkëmbit Vajtues,
Donja Niobe, zonja jonë prej guri. / KultPlus.com

“Një ditë si kokrra e kripës në flakë do të plasë heshtja”

Poezi nga Ag Apolloni

Retorika e heshtjes

Sa i madh deti e sa të vegjël njerëzit!

Lahen edhe pasi në breg ndizen dritat,
lahen trupat, s’ka det që i lanë shpirtat.

I bie trup ujit me barkë,
gjithë kjo kaltërsi mbi e nën mu’,
e unë mërzitem për dy gogla blu.

Të kërkoj si hero i marrë,
D’ulqinja ime e dashur.

Emri dhe mungesa jote janë gjithkund.

Barka ban fjalë, uji mban heshtje;
një ciceron më cicëron në vesh
e unë hesht si peshk,
dhe heshtja ka gjuhën e saj.

Një ditë si kokrra e kripës në flakë
do të plasë heshtja.
Ne do t’i mbyllim sytë të qetë,
e bota do të vdesë nga kureshtja.

Tash ulur
me sytë ujë
e me gjuhë peshku
i drejtohem Zotit:
merre detin,
merre qiellin,
merre krejt këtë kaltërsi,
se e gjitha të përket ty,
e kthemi mua veç dy sy!

Zoti hesht,
peshqit heshtin,
hesht dhe unë.

Si për inat askund nuk dukesh ti.

Turistët kalojnë pranë heshtjes,
dhe heshtja ishte pranë Perëndisë,
dhe heshtja ishte Perëndi. / KultPlus.com