A po t’bjen n’mend për mu ?

Poezi nga Arjola Zadrima

Me ndje mungesën e një përqafimi,
e mos me e kërku,
me ndje dëshirë me folë
e mos me bza,
me ndje nji ofshamë në gji,
e mos me kja,
më ndje nji mall prej larg,
pa mujtë me e shu,
me ndje tue rrjedh nji plagë
pa gjakue,
më ndje kohën tue shku
e mos me ju vu mbas,
më ndje kaos
pa zhurmue,
më ndje stuhi,
ortek në shpirt e mos me u ndi,
me ndje nji kputje pa çilë sytë
e kurrë mos me u anku,
me ndje nji frikë të thellë
me të lanë pa frymu,
me ndje nji dashni të naltë
e mos me e kallzu,
me ndje,
me të ndje
me të dashtë e në gjys të natës
me u zgjue sa më të lshue za
veç pak.
Tash qi trishtimin e kam në prag
a po të bjen në mend për mue?/ KultPlus.com

‘Jam mike e grave të dhunueme, jehona e atyne që s’jetojnë ma’

Poezi nga Arjola Zadrima

M’quejnë
Arjola Zadrima
U linda bijë
kjeshë grueja e një burri.
Jam nana e bijve të mi.
Jam GRUEJA që asht ngritë në kambë
mbas çdo rrëzimi,
jam kështjella e unit,
jam unike,
njeriu ma i bukur që njoh.

Jam mike e grave të dhunueme,
jehona e atyne që s’jetojnë ma.
Jam mishi i mavijosun i grave
zani i mrendshëm
rebelimi i mendimeve.

Jam një prej atyne që len gjurmë
në kohë
në shpirt
në plagë.

Jam grueja jote,
jam e dashtuna jote,
jam e mrekullueshmja jote
jam dielli jot,
jam fryma jote,
jam brinja jote,
jam zemra,
jam edhe zani jot
Burrë.

Ndaj kur më pytni si quhem
unë jam çdo gru që njoh
Grueja! / KultPlus.com

M’duej

Poezi nga Arjola Zadrima

M’duej kur çmendem,
kur s’ke ma fuqi me m’ndalë.

M’duej,
veç më duej si i marrë
edhe në atë pesë minutshin
ku e djeg botën mbarë
për dashninë tande.

M’duej kur rrëzohen
e çohem,
prej ferrit a territ
e të lypi në dritë
se bash në atë çast
buza më dridhet
krejt qielli yt më pihet
e Zoti fshehet
tue më pasë frikë…

Por ti m’duej
më puth e mu druej
se të kam fikë. / KultPlus.com