Ky vend është nji shportë e madhe e bërllogut

Poezi nga Aulonë Kadriu

Nuk e di sa guxoj
Të them që ky vend është
Një shportë bërllogu
E madhe.
Nuk e di a guxoj
Të shprehem lirshëm,
Dhe prandaj ky vend është shportë e madhe e bërllogut.
Të pariciklueshëm.
Pra, kur roja te spitali;
T’i qet trutë;
Kur alarmi i policisë lëshohet
Prej eskortave të dreqit e t’birit
Dhe ti ndihesh e mashtruar që ua lëshove udhën:
Hajnave;
Kur shitet me pare jeta
Dhe vdekja vjen falas;
Kur m’i lanë xhamat e kerrit nji vajzë e mërdhirë;
Dhe unë i gjej 20 cent për t’ia dhënë;
Pas lutjeve e lutjeve që mos të m’i lajë xhamat e mallkuar
Se s’kam çka shoh përveç bërllogut;
Dhe prapë i marr 20 cent të mutit për ta mbështetur me gjasë një bandë
mafioze;
Kur një qen endacak rrmin tokën,
tek shenja e prishur e kampusit universitar;
Që prishet bashkë me universitetin përditë;
Kur nji plak me dorën shtrirë ma jep fatin e tij, më sheh në sy dhe pa fjalë më thotë se kjo botë është një shportë e madhe e bërllogut;
Kur një patriot
Më thotë që vendin duhet ta duash përkundër erës së fëlliqur
Kur një doktore më bërtet
Se i thashë zonjë, e jo doktoreshë
dhe më smun; edhe njëherë më smun me mëri.
Kur vrasja e gruas është ‘aksident’
në një vend, ku veç liria është aksidentale;
kur një poet i harruar vjen me valixhe librash në dorë;
Duke kërkuar me dhunë kujtesë e njohje;
Kur një rraqkë han mut për gjithçka dhe gjithkënd
e ne e këqyrim, e na dhimbet; veç na dhimbet asgjë më shumë;
kur pshurri n’to dhe dikush ma gërryen veshin
duke m’thënë që gjanat s’janë aq keq sa duken;
them a jam verbu komplet;
a përnjimend;
ky vend është nji shportë e madhe e bërllogut.

dhjetor 2019. / KultPlus.com