Ajo ishte totalisht e çmendur, por e kam dashur çmendurisht

Charles Bukowski ka shkruar romane, tregime dhe poezi për një total prej mbi 60 veprash. Përmbajtja e veprave të tij i përket më tepër jetës personale, varësisë me alkoolin dhe marrëdhënieve me personat e tjerë, të shprehura këto në mënyrë tepër realiste dhe pa shumë eufemizma.

Krijimi i mëposhtëm i tij është ndër më të bukurit që mund të jenë shkruar. Bëhet fjalë për përshkrimin e një femre nga një mashkull që e dashuronte atë. Është përshkrimi thuajse i çdo femre të pavendosur, por edhe tepër të fortë në të njëjtën kohë. Është përshkrimi i çdo femre që ekziston, në gjithë dimensionet e saj, ndaj jemi të sigurtë se të gjitha femrat duhet ta lexojnë një krijim të tillë.

“E ke dashur, apo jo?”, – psherëtiu ajo

“Si mund të të përgjigjem? Ajo ishte e çmendur”, – tha ai duke kaluar dorën në flokë, – “Edhe pse ishte e çmendur, çdo ditë ishte një femër ndryshe. Një herë plot guxim, një herë e stepur. Një herë e nxituar dhe herë tjetër e ndrojtur. E pasigurtë dhe e vendosur. E ëmbël dhe arrogante. Ajo ishte mijëra femra të bashkuara në një të vetme, por parfumi i saj ishte përherë i njëjti. Ai nuk mund të ngatërrohej. Parfumi i saj ishte siguria ime e vetme. Më buzëqeshte duke ditur si të luante me mua përmes buzëqeshjes së saj. Kur ajo qeshte, unë nuk kuptoja më asgjë. Nuk dija më si të flisja, apo të mendoja. Asgjë, zero. Në atë moment ishte vetëm ajo. Ishte e çmendur, e gjitha e çmendur. Disa herë qante. Thuhet se në ato çaste femrat duan vetëm një përqafim, ndërsa ajo jo. Ajo nevrikosej, nëse e përqafoje. Nuk e di ku ndodhet tashmë, por vë bast se është në kërkim të ëndrrave.

Ajo ishte e çmendur, totalisht e çmendur, por e kam dashur çmendurisht”. / KultPlus.com

Një poezi

Poezi e shkruar nga Charles Bukowski (1920-1994)

një poezi është një qytet plot rrugë dhe puseta
plot me shenjtë, heronj, lypësa, të marrë,
plot me banalitet dhe me gjëra për t’u pirë,
plot me shi dhe bubullimë dhe me periudha
thatësire, një poezi është një qytet në luftë,
një poezi është një qytet që pyet një lavjerrës pse,
një poezi është një qytet që digjet,
një poezi është një qytet nën bombardime
sallat e saj të berberëve plot me sarhoshë cinikë,
një poezi është një qytet ku Zoti kalëron
nëpër rrugët si Lady Godiva,
ku qentë angullijnë natën, e bëjnë flamurin
t’ia mbathë; një poezi është një qytet me poetë,
për me tepër shumë të ngjashëm mes tyre
e lakmiqarë dhe plot me ankime…
një poezi është ky qytet tani,
50 mile nga asgjëja,
9, 09 e mëngjesit,
shija e pijes dhe e cigareve,
as policë as të dashuruar që enden rrugëve,
kjo poezi, ky qytet, që kyç dyert e veta,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
i përzishëm pa lotë, i plakur pa mëshirë,
me malet plot shkëmbinj të ashpër,
me oqeanin si një flakë trumze,
një hënë e privuar nga madhështia,
një muzikë e lehtë dritaresh të thyera…/KultPlus.com

‘Vdekja po m’i pi purot’

Poezi nga Charles Bukowski

ta dini; sërish jam këtu, i dehur,
po e dëgjoj Çajkovskin në radio.
Jezu, e kam dëgjuar para 47 vjetësh,
kur isha shkrimtar që vdiste urie,
e ja tash këtu prapë,
e tash kam fituar famë të pjesërishme si shkrimtar,
e vdekja bredh nëpër këtë dhomë,
poshtë-lart duke m’i pirë purot e mia,
dhe verën time me gllënjka të vockëla,
derisa Çajku me ngulm merr hakun me Pathetiquen e vet,
njëfarë rrugëtimi ka qenë,
e i gjithë fati që pata pasur qe,
ai që zaret i pata hedhur bash ashtu si duhej:

vdisja urie për artin tim, vdisja sall që t’i
shtija në dorë 5 minuta të mallkuar, 5 orë,
5 ditë –
e krejt çka doja ishte ta nxirrja fjalën
prej vetes;

fama, paraja, s’e çaja fare kokën për to:
doja sall ta nxirrja atë fjalë nga vetja
e ata më donin buzë presës së stampimit,
linjës së montimit në fabrikë
donin të bëhesha magacinier në
shtëpi mallrash.

mirë de, thotë vdekja, derisa endej nëpër dhomë,
kot e ke do të të rrëmbej
çfarëdo që të kesh qenë:
shkrimtar, shofer taksie, kodosh, kasap,
parashutist, do të të kap…

mirë e ke zemër, i them,
e tash pijmë së bashku
derisa 1 pas mesnate kalon me ngadalë në 2
pas mesnate dhe sall ajo e di çastin
e duhur, por unë përnjëmend e
kam mashtruar: i kam pasur
5 minutat e mi të mallkuar
e bile, bile edhe më
tepër./KultPlus.com

‘Nëpërmjet shpirtit’

Poezi nga Charles Bukowski

Nëpërmjet shpirtit

Ai e kalon shpirtin

si një thikë

dhe unë i sondoj peisazhet

herë i zymtë, herë i vrerosur

ku korbecë të zinj katran

krrokin kaq me zë të lartë

sa të gërvishtin muret e zemrës.

Kalon nëpër kopshte të këndshme

zbukuruar me margarita të bardha

dhe ngrohur nga një diell i vakët pranverë.

Por kur linfa e saj

Arrin kulmin shpërthen

gjethja njolloset.

Tampon i vetëm për të tillë plagë…/KultPlus.com

‘Dhe unë të mendoj po s’të kërkoj…’

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.

“Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh,
janë dy gjëra të ndryshme.

Dhe unë të mendoj,
po s’të kërkoj./KultPlus.com