Poezi nga Cesare Pavese, përkthyer nga Orjela Stafasani.
Çdo natë, duke u kthyer nga jeta
para kësaj tavoline
marr një cigare
dhe tymos vetmitar shpirtin tim.
E ndjej që lëngon mes gishtash
dhe tretet përvëlues.
Më ngjitet para syve me vështirësi
në një tym fantazmë
dhe më mbështjell gjithçka
pak nga pak, nga ethe të lodhura.
Zhurmat dhe ngjyrat e jetës
nuk e prekin më:
vetëm në vetvete është krejt i tretur
me një ngopësi të trishtë
për ngjyra dhe zhurma.
Në dhomë është një dritë e dhunshme
por plot me gjysmëhije.
Jashtë, heshtja e përjetshme e natës.
Dhe megjithatë, në vetminë e ftohtë
shpirti im i lodhur
ka akoma kaq shumë forcë
që mblidhet në vete
dhe digjet nga një acarim i vrullshëm.
Më tkurret ndër duar,
pastaj, i shkatërruar, përzihet dhe shpërbëhet
në një mjegull të zbehtë
që nuk është më vetvetja
por përpëlitet tepër.
Kështu çdo natë, dhe nuk më vlen arratisja,
në një heshtje të lartë,
unë djeg vetmitar shpirtin tim./ KultPlus.com