‘Do t’doja me i pa trupin që i lulzon bashkë me shpirtin, e me u rritë lirisht ndër lojna të saja t’tmerrshme’

Poezi nga Charles Baudelaire

Vigania

N’kohën kur Natyra me dellin e saj t’fuqishëm,
fëmijë të përçudnueshëm pillte për çdo ditë,
ma kish anda t’jetoja pranë nji viganie,
si te kambët e mbretneshës nji dac epsharak.

Do t’doja me i pa trupin që i lulzon bashkë me shpirtin
e me u rritë lirisht ndër lojna të saja t’tmerrshme.
Me hetue a mban gjallë nji flakë të errët në zemër
mes mjeg’llash të lagështa që n’sytë e saj notojnë.

T’përshkohem për qejf nëpër format e saj,
ndër t’gjujve shpatije t’zvarrisem dalëngadalë
e verës ngajherë, kur diej rraskapitës

t’lodhun e shtrijnë për t’gjatë fushnajës,
të kotem i shkrimë nën hije t’gjinin t’saj,
si fshat i paqtë që rrin te kambët e malit.

Përktheu: Primo Shllaku / KultPlus.com

Një kalimtareje

– Poezi nga Charles Baudelaire

Rruga rreth e rrotull zjente e zhurmonte.
Veshur në të zeza në dhimbje madhështore,
një grua shkoi duke tundur plot salltanet,
kindet e dantellat e fustanit të saj të gjatë

Po pija në mejhane i përhumbur, tapë e ekstravagant
kur ajo kaloi para meje, me kembë prej statuje e fisnike
si shqiponjë. E, thellë në sytë e saj, qiell gri ku lind urugani,
pashë embëlsinë që magjeps e epshin që vret…

Ish një vetëtimë verbuese e pastaj u bë… natë!
O bukuri kalimtare që më bëre të fluturoj me krahë,
vallë, s’do të shoh më, në këtë jete a në eternitet?

Ajo iku e humbi mes turmës! S’do t’a shihja kurrë!
Nuk dija ku vinte e as ajo s’dinte ku shkoja unë.
Por, oh, qeshë i bindur! Po, qeshë i sigurtë!
Ajo do ish gruaja që do të kisha dashuruar…/ KultPlus.com