Banorët e qytetit tim

Poezi nga Edi Shukriu

Dielli mbi Pashtrik
i Zjarrtë
përgjak qiellin e dridhmuar

Qytet i ndriçuar i udhëkryqeve
ç’festë feston?

Mirë e di se fitorja s’vjen
pa gjak e gjakderdhje – 
thellë në tokë janë
nisma që s’u harrua kurrë
e vajtimet e nemitjet
që s’i zunë dot arkivat

Sa foshnje i ke gurthemel
Qyteti im

Sa nëna i ke varrosur
në flijim

Sa palë sy t’u mbyllën
duke jermuar ujin e Shatërvanit
që robëron shpirtin
kudo e kahdo që të jesh

Mbi çdo rrugë e rrugicë
u rrijnë mbi kokë
frymët e frymëmarrjet e kohërave
që shtrihen të shtrira
me Urti mbi supet
të gjumit të shkëmbinjve
e flauron mbi lerana

Qetë shfletohet libri i kohës
se 
monumentet janë guri
dhe buka
djersa 
dhe shpresa
e banorëve të qytetit tim

Sunduesit, po,
i merr furtuna

Dielli shikon në perëndim
se si vdekjen e mashtron

(NËNQIELLI, Rilindja, Prishtinë, 1990) / KultPlus.com

Ligji i Hamurabit

Poezi nga Edi Shukriu.

Neni 226: Nëse kirurgu… e shlyne damkln nga robi, le t’i priten duart.
Neni 282: Nëse robi i thotë të zotit: Ti nuk je zotëria im, le t’ja prejnë veshin.
Neni 231: Nëse është mbytur robi, le të ipet robi për rob.
Në mbështetje të nenit 226
të Ligjit të Hamurabit,
ditën e djeshme
gishtërinjtë m’i shkurtuan
se damkën e mjerimit
tentova ta bëj të kaluar
Në mbështetje të nenit 226
të Ligjit të Hamurabit,
mbrëmjen e djehsme
më gjymtuan,
se këngën e zogjve
desha nga e nesërmja
ta sjell në të sotmen
Më vranë në mëngjezin e sotëm
dhe në mbështetje të nenit 231
të të njëjtit ligj
më zëvëndësuan sipas tyre
me një rob tjetër
Të mjerët, nuk e dinë se ai jam përsëri Unë,
me njëmijë gishtërinj,
me njëqindmijë veshë
dhe
me një të vetme
dëshirë të çelniktë
të kalitur ndër brezni./ KultPlus.com

Fati që nuk ishim zogj

Poezi nga Edi Shukriu.

Sulmi i policisë serbe në lagjen Ulpiana të Prishtinës, 25 shkurt 1990.

Ora policore: 21.10

Dritat e qiriut
Përshëndesin hënën
në orët e ngujimit

Në banesën e ngrohtë
dy terroriste mprehin armët
unë lexoj „Uliksin“
vajza „Borëbardhën“

TV bluan në vete
“Shtëpinë për varje”

Ora policore: 21.30

Vetëtima çan qiellin
e predhat nga tanket
vjellin zjarr
në bebëzat e syve

Nata bëhet çmendi
e egërsisë së shekujve
dhe futet në banesë
pa fije turpi

Plumbat lotësjellës
përhapin helm
e nuk di
ka më shumë në ajër
apo në brendi të mitrës

Frymë, frymë!
tmerrohen muret,
vazot lotojnë dhunshëm,
qiriri drithëron vdekshëm
e Satiri zhvesh lëkurën

Frymë, frymë!
klith për veten
si bishë njerëzore e pashpresë
duke harruar frytin

Ora policore: 22.30

Nuk dëgjohet më cicërimë

zogu njëjavësh i ditëlindjes
ka shtrirë krahët
e përshëndetjes së fundit

Ëmë e bijë
hidhemi në përqafim –

loti i hidhërimit
dëbon lotin e helmit

lotët e frikës
bëhen lot dashurie
në natën e egërsisë serbe

Fati që nuk ishim zogj!

Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001. /KultPlus.com