E paëndërta ime

Poezi nga Fatos Arapi

Më duhet një gjysëm ëndrre,
E paëndërrta ime.

Vë kokën në gjoksin tënd
E tani përplasem
Te kokë e një tjetri.

Më duhet një gjysëm ëndrre.

Shigjetat e orës së dorës
Tutje i shtyjnë kalimtarët,
në ditë të rrëpirta tiranase.
Shpirtra jo shpirtra që shkojnë…
Bri meje dikush flet me vete.
pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.

Dikush, prej zhgënjirni të egër,
mbërthen kryqe të reja.
I hedh një gjysëm leku
Dhe blej kryqin tim.

Tani që ta ngre
Më duhet një gjysëm ëndrre,
E paëndërrta ime. / KultPlus.com

Ata që dashurojnë akoma

Poezi nga Fatos Arapi

Ata që s’kanë bukë,
kur të kujtojnë bukën,
ty dhe mua le të kujtojnë.

Ata që s’kanë zjarr,
kur të kujtojnë zjarrin,
ty dhe mua le të kujtojnë.

Të pagjumët e botës,
me syrin hapur si nata,
në mesnatën e tyre
ty dhe mua le të kujtojnë.

Ata që kanë vdekur
dhe dashurojnë akoma,
ty dhe mua le të kujtojnë. / KultPlus.com