Poezi nga Fernando Pessoa
Qenësinë e mahnitshme të gjërave:
Ja se ç’zbuloj ditë pas dite.
Secila gjë është ajo që është,
Dhe e kam të vështirë t’ia shpjegoj dikujt se sa më gëzon diçka e tillë,
E se sa më mjafton.
Mjafton të jesh për të qenë i plotë.
Kam shkruar poezi mjaftueshëm.
Mund të kisha shkruar edhe më, kuptohet.
Secila prej tyre e tregon këtë,
E secila nga poezitë e mia është ndryshe nga të tjerat.
Çdo gjë që është, është mënyrë për ta treguar.
Me raste marr të shoh një gur.
Nuk mendoj se do të kishte ndjenja për gjësend.
Por nuk marr guximin ta quaj binjakun tim.
E dua sepse është një gur,
E dua sepse nuk ka ndjenja,
E dua sepse nuk ka pikë lidhje gjaku me mua.
Nga ana tjetër, dëgjoj erën që fryn,
Ia vlen të kesh lindur qoftë edhe sa për të dëgjuar erën që fryn.
Nuk e di ç’do të mendojnë të tjerët teksa m’i lexojnë këto;
Mua më duken të duhurat sepse janë si më vijnë,
Pa vrarë mendjen nëse dikush po më dëgjon mendimet,
Pasi e mendoj pa mendime,
Sepse e them siç ma thonë fjalët.
Më kanë trajtuar dikur si poet materialist,
Çka më ka lënë pa fjalë sepse nuk mendoj aspak
Se mund të trajtohem si çfarëdo që të jetë.
Unë nuk jam as poet: thjesht vëzhgoj.
Nëse gjërat që shkruaj kanë ndonjë vlerë, unë nuk kam:
Vlera qëndron atje, tek vargjet e mia.
Gjëra të tilla janë krejt të pavarura nga vullneti im.
7 nëntor 1915
Shkëputur nga botimi në frëngjishte: Poèmes jamais assemblés, d’Alberto Caeiro
Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com