Poezi nga Fjolla Gashi
Hanë po t’flas prapë
Prapë si çdo natë
Sonte rrugës vonë në errësirë
Kam nevojë për shoqëri
Hanë, kurrkush s’po m’kupton
Kurrkush dorën s’po ma zgjat
Hanë, lotët në sy po i mbaj
e shpirti po digjet flakë.
Hanë, jeta m’ka harru
M’ka lan me mërzi me jetu
Hanë, që sa s’kanë buzëqesh sytë e mi
Veç lotët po lotojnë çdo ditë.
Hanë, po t’flas prapë me mall
Me mallin që zemrën po ma vranë
Jeta po m’shkon nëpër duar
E s’po mund ta ndal
Hanë, ëndrrat po vyshken ngadalë
lotët s’mund ti mbaj
Dua një herë fort të bërtas
Por fuqi s’kam.
Hanë, po t’shikoj atje larg
Sikur t’isha yll e të vija pranë
Hanë, pak dritë në këtë errësirë
Se kam vdekur në rini.
Hanë, mos e harro ti këtë vajzë
Me ëndrra të lumtura
E me sy të dashuruar,
E me dëshira për të jetuar.
Hanë, trego ti histori për mua
Se si një vajzë ka vdekur pa jetuar
Hanë, ndriço ti për mua
Hanë, më kujto ti mua.
“Hanë”, shkruar nga Fjolla Gashi, një nga poezitë finaliste në edicionin e pestë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus. / KultPlus.com