shtëpi’ e kukllës* (nga cikli i kukllave) … të gjithë kemi nga një kukull brënda vetes, trupi, herë shtëpia e kaltër, e herë burgu … e imja herë chimera* kur një Cerbero* ruan portën e kërleshur për lirinë që i duhet fituar … e përsëri hyn në përmasat e kukllës në një botë abstrakte, i lëpin vetë plagët e i qep grisjet me fijet e shpirtit e vendos butësisht në një skaj të globit, herë tërë inat e shtyp mbi frikën, me gishtin rrëfyes bërë gjatësi e perimetrit … të gjithë e kemi brënda vetes nga një kukull; në kutinë e fëmijës / KultPlus.com
të vdesësh është kaq e aq e thjeshtë, psh në vdekje natyrale ose kur të t’vrasin ose të vetvritesh … por, të jetosh është r’evoluzionare të jetosh të (mbi)jetosh dhe kur lutesh të vdesësh kur të dhunojnë të sekuestrojnë të vënë në torturë të nxjerrin sytë të presin gjuhë të presin duar të t’shesin në treg refugjatësh … të t’rrahin bulët në lagje në shkollë… të t’rrahë nëna, babai fisi … zakoni, ligji të mbetesh jetim të t’adaptojnë të t’dhunojnë, të t’riadaptojnë …. të t’kushtëzojë shteti padroni shefi martesa të t’tradhëtojnë si pa dashje, dhe organet gjenitale … të jesh padukshmëri të jetosh! të jetosh rutinën vetminë rrëmujën zhurmën papunësinë e shekullit ajrin e ndotur frutat botoks ujin me këste llampën e edisonit t’a mallkosh t’a fikësh të sheh lufta të jep ultimatumin t’i kthehesh kandilit të ulësh parametrat e ngrohjes të futësh kokën nën jorgan të chatosh të dërgosh një zemër një zemër virtuale të masturbohesh të bësh sikur dashurohesh, të ngrohesh! …. miliona motive për të vdekur, dhe nuk mundesh se e do kaq, e aq shumë kohën e egzistencës më thua;” të duhet të luftosh”! pastaj të dielën çohesh në mëngjes sheh diell, me kurajo e flet për motin e bukur qen’ i komshiut të shurron tek porta me të drejta të plota të dhjet metaforën për jetën, mbi jetën! të duhet të jetosh është r’evolucionare, dhe kur të vrasin këpucët e ngushta … dhe për frymëmarrje në kohën e maskës, t’akujve që po treten si sheqeri në damarët e tokës që po digjet në kolesterol … më gjej një motiv që nuk duhet të jetosh? …. e përsëri e mbjell një lule dhe vjeshte! dhe t’a ujitësh, t’i mbledhësh gjethet e thara t’i bësh çaj për dimrin që po pret… është r’evolucionare (t’a jetosh, jetosh) / KultPlus.com
një plumb godet mbi një trup, më pastaj mbetet gëzhoja, gojëhapur
zhgënjehet!
priste një çështje heroike dhe një memorial për veten
dhe ti gëzon duke parë një trup të pajetë, e nuk arrin të shquash banalitetin e kufomës pas rënies së burrit (dhe vehten, si do të t’vijë një ditë)
e më pas një heshtje e ngrirë dhe në një zemër të rastësishme, që e dëgjon krismën ” nella tromba di Eustachio” (në daullen e veshit) prej avionit në rënie drejt tokës
por, ka një heshtje!
një heshtje të madhe kostante, e për një çast të vetëm sikur dhe globi mban frymën
po, është heshtja në zemrën e nënës:
“hej, ty armik, të vdektë dhe mbiemri, jo vetëm emri” / KultPlus.com
ti bën një rrëmujë të madhe mashtruar botën, kërkon t’i ngulësh një gozhdë, t’a mbërthesh tek pragu i ferrit, e ajo digjet në ethe e përsëri, vërtitet
dhe me një luftë të madhe, kërkon lavdinë e tërë shekujve të humbur… por përsëri bota e mëshirshme e gëlltit brënda vetes, si barku i nënës dhimbjet e fëmjëve të prapë, e përsëri vërtitet e nuk bie… se i duhet të mbajë shtëpinë e madhe, bashkë me ty, e jashtëqitjet, mbetjet e riciklimet urbane dhe ëndrrat e bukura të një shpirti të bardhë që i duhet të mbajë gjallë shpresën … se ke menduar ? se, kur të dojë vetë do t’shpërthejë në dorë … prandaj ëngjëjt janë ngjitur më lart se qielli yt, se janë trembur me ty, që kërkon t’a hash botën si një mollë të kuqe megjith’ kopshtin e edenit
dhe në një perëndim të kuq, si një avlëmënd i fillit për fustan dashurie, ndodh një vdekje
dhe në një agim të shkëlqyer sikur dielli ka lëshuar diamentet për kurorë ndodh, gjithashtu
kaq e vogël për horizontin, i është si një pikë e pashqueshme për sytë e tij të përmasës
e madhe, vetëm për njeriun, kur humb njeriun!
si një arkëmort ku futet e mbytet me të vdekurin; dhe globi dhe hapësira me përmasat sa një pikë, si boshllëku ndërmjet karkasave, kur i pat dalë një peronkë e vogël se ndihej ngushtë, që se sheh as sy’ i furneralit
dhe horizonti në ngjyrë alle tkurret aty brënda, si një fije e perit, t’kuq mes buzëve t’meitit
më patetike, kur ndodh në mesditë në kohën e drekës kur gëlon taverna e birra, e në shtëpi aromë e bukës së pjekur që pret të kafshohet … asnjëherë nuk është kohë e bukur… sidoqë stiliti do t’hedhë pudër rozë e bërë makeup të rafinuar, përveç natës, si tekst i një kënge dark që i fsheh banalitetin
gjithmonë do ndodhë; prandaj jetën mos e fut në presje / KultPlus.com
i dashuri im ka qënë gjithmonë brënda meje një rock-etar yjesh ende i palindur por unë gjithmonë e kam ditur një rock-etar i vjetër- i ri një bohem i pandreqshëm që gjithmonë më ka tradhtuar që nga linja roden hard* në miss holland me lolitën e poetet e belle epoche, kur i vidheshim censurës udhëtuar me cadillac për undergund-in e rock me fjalëkalimin new york … i bukur i dashuri im roc-ketar, unë gruaja e vjetër për dreq, në këngët e tij, ndihem si verë e kantinës në shekujt e heshtur … kur i hiqet tapa shishes thithet lëngu nën buzës, si, dhe për një burrë të fortë, që dehet e digjet kështu: si vera si mikja si poezia si peneli si muza… besnike brënda vetes, do tretem për rock-e tarin tim të bukur si tingulli brënda këtij shpirtit që nuk do të m’vjetërohet, si dikur kur udhëtonim me cadillac… e këndonim : “The Great Gig in the Sky” And I am not frightened of dying *
[thonë që për ëndërrimtarët, ka gjithmonë një botë paralele brënda tij të rrezikshme, ku netëve shpërbën realitetin] / KultPlus.com
dy zogj këndojnë mbi një selvi … dy zogj të hirtë!
përse nuk janë të bardhë, përherë kam pyetur veten?
poshtë pemës nën barin e blertë lëndinë, prehet një grua pa emër “e dashuruara me diellin” kaq, është gdhëndur mbi atë gur mbi kryet në vënd të kryqit, rrethuar prej dredhkëzave si këmbankat sikur kisha të voglat e fatinave dalë nga përrallat e vëllezërve Grin; sikur duan t’a fshehin të bukurën nga i tmerrshmi mjekërkaltri
dy zogj të hirtë këndojnë mbi atë selvi
të bardhë janë pëllumbat që sjellin degën e paqes
të hirta guguçet që këndojnë për dashuritë e mbetura peng midis detit e qiellit blu, për dashurinë e diellit … në të vërtetën e përditshme dashuritë e gabuara, bëjnë gjëra të paimagjinuara që si shkruajnë dot as baladat… * sonte bien yje dhe në lokalin poshtë shtëpisë time, këndohet një baladë bluzi pa emër / KultPlus.com
për heshtjet e tua nuk ka nevojë kjo lodhje e kohëve të mia
tashmë ku kalon emri yt dorën më shtrëngojnë mashtrimet e këtyre dimrave të egër me mungesën që bën diellin e pritjes të vakët, ndërsa tutje horizonti përflaket nga një luftë e gjallë; që djeg dhe udhën ajrore të zogjve të pranverës
ka raste kur jo vetëm lufta dhe vdekja por dhe heshtja e pritjes, sabotojnë profilin e bukur të jetës
por dashuri’ e saj u hap gjithmonë një udhë të re shpëtimi dhe dallandysheve / KultPlus.com
buzët më marrin flakë, trupi më digjet ngadalë… heshtja jote më vështron e dehet po ngadalë në agoninë e djegjes time, me ironikën e përçmimit mbi ndjesinë e bukur në gjininë femërore
se ti je mbret’ i unit!
paskëtaj me këpuckë të artë shkel mbi atë tim’pluhur, e nis ditën në atë trafik material e organik, gjysëm të dehur nga e djeshmshja e pasmasturbimit t’atij qytetit tënd me plot tatuazhe; me gra të lënduara e burra me fizionomi të uritura… nga ca fotografi me retushe abstrakte! *
të gjitha këto në histori dekadente të përmjerra nga çdo natë e shkuar mbas marrjes së morfinës, e dozës së freskët antivirale si dozë antindjenje….
por unë e çmëndura e largët, si nga bot’ e ëndërrimit, çdo natë vijoj ti lutem altarit për puthjen… si dënim i tim mëkatit / KultPlus.com
fshesarët e mbrëmjeve kush e di sa herë i kanë hedhur pahun e natës syve bosh t’vdekjes, që vjen vërdallë të thithë ndonjë shpirt ndër ata që flenë mbi kartona dhe ëndërrojnë parajsën
këto gjëra mi pat treguar shitësi nga Zanzibari i temjanëve aromatikë dhe elefantëve të bardhë bëre prej kocke, që nga koh’ e kolonizatorëve të vjetër….ai i sheh dhe shpirtrat dhe vdekjen, i ka parë në sy që fëmijë kur lufta ia jepte falas….
kur bleva diçka për herë të parë, pyetur nga kisha ardhur, më thotë: ne të dy kemi gjëra të përbashkëta….
imagjinatën e lirisë brënda barkut të një atdheu të ngrënë, shushurimën e ujit t’ëmbël, mallin e uritur për aromën e bukës, nga duart e nënës…
sonte mbi rrugë ka një shkëlqim ngrice dhe një klithmë urgjence, që ha dhe muzikën e bluzit dhe fshesarët e qytetit, vetëm malli ndrin mbi të, me ca sy të bukur mahnitës si të shitësit sikur të kishte parë; parajsën e nënën… / KultPlus.com
këmbana të heshtura për atë botë të bukur, nudo të pistë derdhur sipër aromë epshi gjaku e dhunimi, njerëz ju lejoj të shihni me sytë tuaj, atë që nuk dëshironi të më shihni, ndoshta për shkak të ngushtimit optik së trashëguar ( përthithur helmin nga përrralla e bukur, për thesin plot lodra të ndritura, të merry christmas) … nuk dua të ndryshoj botën,thjesht tregoj atë se çfarë i shoh, poshtë fustanit … mbi Bagdat, Aleph presin fushat e minuara në Prishtinë, Srebrenica, Spaç … presin arkëmortet pa emër të paisen me kartë identiteti
në Berlin pati rënë muri i paslufte, e përsëri tela me gjemba me këpucë ezilante të vdekura, me identitete të gjakosura në ikje… tymhedhësa e kordone policore kostitucione që aprovojnë të rinj, mure… një grua shqiptare që pat denoncuar, hidhet nga ura Ponte Garibaldi, me emër çlirimtari
dhe në paqe, dhunohet në një minutë një fëmijë një grua një burrë
në monitor gëlon një liri e tepruar joshëse fjale, jashtë buzëqesh cinike një diktaturë globale … poshtë tablosë, bota kalonte qetë e magjishme mrekullisht egër, në heshtjet e saj misterioze një dritë, një hije, një siluetë që lëkundet mes pemëve skelektrike nga mungesa e ujit dhe megjithatë; aty ishte një fushë e tërë e minuar prej dashurie, që priste të shpërthente
e përsëri, në anën tjetër të trinçesë, një burrë i kthyer nga lufta ndreq parmëndën e vjetër një grua lahej ende nudo në një govatë druri, dhe imagjinonte të minonte detin, që i pati ngrënë të dashurin
një fëmijë pa sy luante me diellin, rrëshqitur në pellgun e oborrit një kalë herë hingëllinte pelën, herë ripërtypte barin nga vit’ i shkuar
por, një horizont pasqyrimi mbi një çati prej qelqi qetësonte elementët, ndjesitë, tërhequr paqen nga qielli
natyrisht e gjithë kjo, ishte dashuri tejet idilike e pakonceptueshme për “gratë e burrat”e kopshtit me lojrat virtuale të ngufatura prej lëngjesh plastike … në një cep tjetër, një botë tjetër e mbushur me dhimbje dhe gëzime të jetës kaloi në rishikim për t’u shkatërruar, menjëherë në passuord-in e ri “meta” e përsëri dhe këtë vjeshtë, të gjithë publikonin poezi me zhartiera purpuri … vetëm një skaj i majave të pemëve, që dilnin jashtë qiellit të spërkitura nga e bardha e dëborës u hoq menjëherë, me shpejtësinë e dritës nga errësira e tablosë * “ti hesht, mos shkruaj të tilla si mësipër..!” / KultPlus.com