‘Nëse do të më japësh frymë më dhuro Kohën, ajo është gjithçka që vdekatarët kanë’

Poezi nga Ilire Zajmi

Dhurata

Për fundvit mos më bli unazë diamanti, parfum me erë jasemini.
Biletë për një udhëtim ëndrrash
Dua të më dhurosh Kohën
Pak kohë të marr frymë. Një grimcë kohe të buzëqesh
Të mbyll sytë e të udhëtoj në një tjetër botë

Më nevojitet pak kohë.
Të arratisem të qaj ngeshëm të shoh qiellin e përflakur.
Mjegullnajën sipër qytetit pa shpirt
Se di si u katandis koha ime
Në rrugët e pista gotat e zbrazura kafeneve të mykura
Në pako cigaresh muhabete të panjohurish

Nëse do të më bësh një Dhuratë
Më fal pakëz kohë. Një orë një minutë pak sekonda vetëm një çast
Të bëhem njësh me gazin e një fëmije
të puth me buzët e etura të një të dashuruare.
Jam mbretëreshë e shfronësuar bjerrakohëse
Mos më sill as lule as libra.
Në do të më dhurosh diçka më dhuro pak kohë
E nëse s’e gjen askund për ta blerë
Grabitja atyre që shesin gjakun me këste, trupin me fajde
Vidhjau atyre që iu tepron së shijuari bota nga mërzia
Atyre që vrasin miza e pështyjnë veten në pasqyrë.

Nëse do të më japësh frymë më dhuro Kohën
Ajo është gjithçka që vdekatarët kanë. / KultPlus.com

Duaje

Poezi nga Ilire Zajmi

Duaje trupin tënd grua
është kryevepër arti
që nuk shitet në asnjë ankand të botës
është liria jote e fituar përgjakshëm në fushëbeteja
lufta e paqja e maskuar
burgu yt i përjetshëm
pasion i egër ëndërr burrash e shpupluar
bukuri e latuar Zotash lakmitarë
mallkim varrë dhimbje e plagë.

Grua moj, duaje fort trupin tënd
të bardhë, të zi, të butë, të vrazhdë, të lëmuar
të fortë, të brishtë, të lodhur, të pushuar.

Trupin tënd duaje fort o grua
është vula jote, identiteti yt
libër dëshirash.

Mbaje mend Grua,
Trupi është dashnori yt i parë dhe i fundit. / KultPlus.com

Recetë

Poezi nga Ilire Zajmi

Zgjodha të jem gruaja që do të bëhesha
kokëfortë, egoiste, tekanjoze, mace e çmendur
për trupin dëshirat ëndrrat e mia
pa dyshuar kurrë te vetja
mora gjithmonë atë që më takonte
pa hequr dorë në emër të ndonjë marrëzie
e ruajta me xhelozi diçka të shenjtë brenda vetes.

Por të bëhesh gruaja që do
do të thotë të kalosh nëpër vrimën e gjilpërës
të shkelësh mbi dhimbjet e tua si mbi varret e armiqve
të gjesh forcë në dobësi
të qeshesh kur të thyhet shpirti në thërrime
të ngritesh sa herë dikush ta përmbys botën
në emër të një dreq morali a kanuni

Të bëhem e sinqertë
të bëhesh gruaja që do
është një detyrë shtëpie tepër e vështirë
por unë që nga zanafilla u përbetova
të bëhesha ajo që dua.
Bëjeni edhe ju! / KultPlus.com

“Dashuro një burrë që me mëngjes e kupton si ndihesh, e në mbrëmje s‘harron kush je”



Poezi nga Ilire Zajmi

Leksion

Dashuro një burrë që me mëngjes e kupton si ndihesh
në drekë me buzëgaz të pret e në mbrëmje s ‘harron kush je
dashuro një burrë që frymon për ty
je vegim i tij i parë e i fundit
dashuro një burrë që të puth papritur
një burrë të hareshëm që nuk e njeh trishtimin
dashuro një burrë që respekton lirinë tënde
e vlerëson zgjedhjet e tua
dashuro një burrë që të pranon
ashtu siç je, e brishtë e guximshme unike
dashuro një burrë që e ka kuptuar
që gjithçka që e rrethon je ti
e nëse nuk e gjen atëherë dashuro jetën
se vlen të dashurosh çfarëdo burri.