Poezi nga Luan Rama.
Ti më shkruaje për tavanin
dhe trishtin që ndonjëherë nderet
mbi sytë dhe trupin tënd,
dhe unë përpiqem të shoh atje
tërë një qiell me rrugët e tua,
një det me dallgët e tua,
vetë shkumbëzimin e gjakut
dhe furtunat që buzët t’i kanë rreshkur,
në tavanin tënd shoh tani yjet e mëngjesit
me «Princin e Vogël» të Exupery-së mbi krye,
aty janë gjurmët e ëndrrave që mbetën ëndrra
bashkë me okrën e «gjetheve të rëna» të Jacques Prevert,
aty janë disa jetë të jetuara,
një palimpsest i dehur,
taverna gëzimi plot zhurmë,
skena të fjalës së shenjtë
apo një ekran ku janë ngjizur sytë e tu
për mos t’u shqitur kurrë,
tavani yt më ngjan me një horizont të pafund mikja ime,
në këtë fllad që të ngre fustanin
dhe e çon tutje shpirtin tënd në lëndina të tjera,
tavani yt ka ende ngjyrën e të gjelbërtës…/ KultPlus.com