Poezi nga Merita Bërdica
Prej stinës marsit bien hyje të verdha. Bash si rruza zgidhuna nga tirja hanë. Pluhnaja qiellore e dimrit, ma shumë i trûm prej vedit,
ngarkohet me frymë reje.
Tash janë bâ si pamuklie, nazelijet. S’bezdisin ma as shiun, që ju turret kajherë si i xhindosun. Ata dinë me fal. Kristale bore pranveres kadife zhbahesh, lule mimozë, kur i rrî përkashi diellit. I ngjan pak. Kështu rrëfehesh ndër mite.
Bile Paridi ka vjedhë vargje tek lira (arpa) para Helenes, për ty, ateherë kur amfiteatri i Menelaut kishte fjetë. E duhet me besue, sidomos kur i shëtit rrugicat kryq e tërthorë e ta ndalë hovin fëminia.
Ehhh cikrat rrahje, sa herë i ke lanë peng mbas gurve të ngujuem, por lule fieri ka sajue diçka, një shllungë tërtili për kërmillin. E ai ban sikur nxehet tek avullia, megjithëse hala s’ka kurdisë pranvera petalin e parë.
Qysh kur hardhuca ia pat lujt synin, s’duket andejpari i shkreti.
Andaj, të falem o tatuazh i ngallnuem gemi, sepse pi, tanë stinen, dehjen tande prekse me fund deri në midjen e barit ngimë.
Jam debulesë, jam tunduese, më thue, sa herë shtrihem e hapi krahët në qylymin e tokës jeshiltë, deri aty ku s’ban mâ. Të kundroj prej poshtë kunorë bukurie sa dhe syve m’ju jep vezullim në tjerakahje. Rrehem tue më xan andrra, hije mbas hije.
Nën shtatë qiejtë rrotullohet beli i vajzave. E tue dashtë me të pasë ndër buzë njomzueme, ta këpusin verdhnin, por një dekik, ju çohet pak kotulla e fresknia përshkon anë e përtej ngazëdhimin. Ju kuqet mollza e turpit në odë.
A ia ndigjon gazin?
E si mos me perendue, masadej, gjithçka, njashtu siç janë kendue fishkëllimat lule kaçe mbas arkapiet.
Kyçi andrren me çilsin rinore. S’baj za, se me bërtet muza.
Po ti s’pranë tue çilë, o danashore.
Pusho njëherë!
Ç’ka kam me të thanë mâ…më thuej?
Ndër dekolte aurora sajon celebrimin Mon Cheri. Anekand hapërdahet levanda Vivaldeske e tufa puthjesh këputen një e nga një nga boja lule vjollcë. I pret një tjetër saksi…lumturohen, sepse e dinë ku kanë mu ujitë.
Shpërthe, lule mimozë, shpërthe!
Je Grue…Grue e tanë qiejve, që Zeusi krijoi mbi tokë.
Ia shungullon, ia shtyllzon andshëm gjinjtë mes engjujve, që mëkatojnë vetem kur janë bri teje…gjithçka zdeshet ngeshëm. Por, s’arrijnë, kajherë, edhe me të strukë njashtu si Zoti i pât mesue.
Ani…ti, prap dî mu rrëfye, se je Grue…Grue e dalun nga derë e madhe.
Andaj të due, Mimoza-Grue!
Vath varesh kudo. Tek kanistra e duerve bilurë, gur xhevahiri, gjendesh. Tek sofrabezi, që i keka shkepë njeni kind e hala nana s’ka vû terezin me ia qep palen. Tek çarçafat bojë panë, sapo pirajka ia mori me të mirë azhuret.
Tek teli i teshave, sapo kapsat krenohen, se zoja e shtëpisë asht maraklie. Bajam marramendës i prushit ftue në diten e lindjes, kur molla ia msyn shtëpinë. E të dyja pjekin shartimin tue ia shkundë thakët pudrosjes sheqerosun…edhe aty je.
A e din ça thojnë, për ty?
Tanë dynjaja ka marrë erë!
Pikë-pikë sundoni bujshëm, bashkë. Rrokadoras bulzoni, freskoni unin
e rrjedhshëm në kaskaden
e përmbytjes, kanavacë liqeni.
Piktorët s’hezitojnë asgja me bâ, sepse nën këmishën e qendisun punëkryq, veshun në naten e parë të marteses, peneli zbulon të tjera tinguj bojnash. Andaj s’bzâ, shpeshherë, sepse kam ndërmend një “dhimbje”…”dhimbje” përballë çdo të brendshme.
E kështu, ti shtojzavalle, flokënjatë prahrohesh ndejshëm tek gjoli prenduem, tue pâ vedin në pasqyren hanë. S’bahet xheloze, se ti je ma e bukur. Por, diçka i ka mbetun pishman, si s’të pati një herë në bujtinen e saj.
Nga penda lakmuese e poeteve, dirigjohesh e avash tanë gurët pushojnë psherëtimen.
Shtegtojnë
pulëbardhat
shtegtojnë.
Bashkë me dallendyshet
rikthehet muzgu.
Stivoj bojnat.
Bojnat çelin syth.
Sythi asht ti.
Në liqe
ke harrue
shumë gjana.
Sytë,
buzët,
flokët,
trupin.
Sikur puhiza
t’i rahatonte tek malli,
s’di ça do kisha ba, n’ty!
Njashtu të due sonatë hyjnore. Të due, sepse mes dy dashnive, je Grue…Grue e çilun lule Mimoza. / KultPlus.com