Këshilla mikut tim

Poezi nga Musa Ramadani

Mik
Shtëpitë tona si gota cakrrohen
Gjerdhe as dyer përmes s’kmi bërë

Dielli
Udhën deri te ne kur e gjen
Gëzim kuj më tepër i bjen
Ty apo mua ?

Mik
Livadhet tona si dashnorë puthen
Gurë a mexhde askund s’ kemi vënë

Shiu
Sixhim teposhtë kur ligron
N’cilin më shumë fryt lëshon:

N’tëndin apo timin?

Atëbotë
Kujtohu mirë lum miku im
Përse prore më bën të druaj?

Se për dallim o dredhim
Koha kaherë ka kaluar! /KultPlus.com

‘Njeriu ka një tokë, një jetë, një dashuri’

Poezi nga Musa Ramadani

Njeriu ka një tokë, një jetë, një dashuri

Njeriu ka një kokë
Glob i gjallë për lule e predha
Ku drejtpeshohen hapësira e koha

Mos luani me kokën e tij!

Njeriu ka një jetë
Skenë e mirësive ndaj mëkateve
Pse lindin e vdesin çdo ditë

Mos luani me jetën e tij!

Njeriu ka një dashuri
Fjalë (vallë) e tepërt në histori
Nga ligjërojnë mëkatet e motivet

Mos luani kurrë me dashurinë e tij! / KultPlus.com

‘I kam lutur sytë që fjalën luftë të mos e venerojnë’

Poezi nga Musa Ramadani

Brenga mendjen në merimangë ma pështolli
Tmerri zemrën në fole minjsh ma shndërroi

Faqet e para të gazetave
Kurrë më s’i lexoj

E rëndë është ajo peshë fjalësh
Si shi plumbi në shpirt më rigojnë

I kam lutur sytë që fjalën
Luftë të mos e venerojnë

I kam bindur veshët që fjalën
Mortje kurrë të mos e dëgjojnë

E kam urdhëruar gojën që fjalën
Gjak përjetë të mos e shqiptojnë

Se e rëndë është pesha e fjalëve
Si shi plumbi në shpirt më rigojnë

Dëgjomëni ç’ju them
Unë faqet e para të gazetave
Jo, nuk i lexoj kurrë më!

Gjersa njerëzit në bisha shndërruar
Shekullin e zjarrit s’do ta kenë shëruar. / KultPlus.com