‘Kam lexuar pesëdhjetë mijë vjersha dhe romane që tregojnë për rënien e gjetheve në vjeshtë’

Poezi nga Nâzım Hikmet

Rënia e gjetheve

Kam lexuar pesëdhjetë mijë vjersha dhe romane
që tregojnë për rënien e gjetheve në vjeshtë
kam parë pesëdhjetë mijë filma
mbi rënien e gjetheve në vjeshtë
kam parë pesëdhjetë mijë herë të bien
gjethet në vjeshtë
gjethet që bien, që zvarriten, që
kalben mbi dhé
pesëdhjetë mijë herë kam dëgjuar klithmat e tyre pa jetë
nën shollat e këpucëve të mia
mes qepallave të mia dhe majës së gishtërinjve
prandaj rënia e gjetheve ma bren zemrën
veçanërisht gjethet që bien në bulevard
veçanërisht nëse janë gjethe gështenje
veçanërisht nëse atypari kalojnë fëmijë
veçanërisht nëse rrezaton dielli
veçanërisht nëse më ka ardhur atë ditë një lajm i mirë
që më flet për miqësi
veçanërisht nëse atë ditë zemra s’më dhemb shumë
veçanërisht nëse atë ditë besoj se ajo që dua më do
veçanërisht nëse atë ditë bie në një mendje
me njerëzit dhe veten
të ndesh rënien e gjetheve në vjeshtë ma bren zemrën
veçanërisht ato që bien në bulevard
veçanërisht nëse janë gjethe gështenje.

Përktheu nga frëngjishtja: Edon Qesari / KultPlus.com

‘E kujt është kjo zemër që rreh përmbi zëra e gulçima’

Nâzım Hikmet

Çdokënd prej jush e kam mes krahësh
qytetin mbrëmjen dhe ty
rrezitja juaj, era e flokëve tuaj
ndrijnë në faqen time

E kujt është kjo zemër që rreh
përmbi zëra e gulçima
tëndja, e qytetit apo e natës,
apo mos është imja krejt?

Ku merr fund nata, ku nis qyteti?
qyteti ku merr fund e ku nis ti vetë?
ku marr fund unë,
ku është pikënisja ime?

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

‘Dashuroj tek ti të pamundurën’

Poezi nga Nâzım Hikmet

Dashuroj tek ti
aventurën e anijes që shkon në drejtim të polit
dashuroj tek ti
guximin e lojtarëve të zbulimeve të mëdha
dashuroj tek ti gjërat e largëta
dashuroj tek ti të pamundurën
hy brenda syve të tu si në një pyll
plot me diell
e i djersitur, i uritur, i tërbuar
kam pasionin e gjahtarit
për të kafshuar në mishin tënd.
Dashuroj tek ti të pamundurën
por jo dëshpërimin. / KultPlus.com

E shkruar në qeli, poezi nga Nâzim Hikmet

Poezi nga Nâzım Hikmet

Mendoj për ty
dhe ndiej aromën e nënës
nëna ime, më e bukura në gjithësi.

Ti je rrotullame në këtë park lojrash brenda meje
rri pezull përreth, fustani dhe flokët e tu valëviten
çaste jetime që nisin sa gjej fytyrën tënde e deri kur e humbas.

Për ç’arsye
përse të kujtoj si plagë në zemër
për ç’arsye ta dëgjoj zërin kur ti je kaq larg
dhe nuk kam ç’t’i bëj flakës që ngrihet?

Përgjunjem dhe të shoh duart
dua të të prek duart
por s’mundem
ti je pas qelqi
E shtrenjta ime, jam spektator i shtangur i dramës
që vetë luaj në muzgun tim.

(shkruar në qeli, 1945)

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

‘Je si dhé pranveror, e dashur, të vështroj’

Poezi nga Nâzım Hikmet

Bie në gjunjë: shoh dheun,
barin,
kandrrat,
kërcej të vegjël që çelin me kaltërsi.
Je si dhé pranveror, e dashur,
Të vështroj.

Shtrihem në shpinë: shoh qiellin,
degët e një peme,
lejlekët në flatrim,
ëndërr me sy hapur.
Je si qiell pranveror, e dashur,
Të shoh.

Natën, ndez një zjarr fushës: prek zjarr,
ujë,
teshë,
serm.
Je si zjarr i ndezur nën yje,
Të prek.

Shkoj mes njerëzish: i dua njerëzit,
veprimin,
mendimin,
përleshjen.
Je njeri, pjesë e përleshjes sime,
Të dua.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

‘Në sofrën time ka speca, bukë e kripë…’

Poezi nga Nâzım Hikmet

Ditët sa vijnë e gjymtohen,
shirat janë në të zbrazur,
dera ime, deri në fund ty të pret e hapur..

Pse mbete kaq vonë???

Në sofrën time ka speca, bukë e kripë,
Në një kutruve, verën që ruajta për ty,
E piva deri në gjysmë i vetëm,
duke të pritë…
Pse mbete kaq vonë???

Por ja frutat e mjalta
Qëndrojnë në degë, të pjekura flakë,
Do të binin në tokë,
Nëse do vonoheshe edhe pak!.. / KultPlus.com

Përflaken yjet

Poezi nga Nâzım Hikmet

Shqipëroi: Edon Qesari

Përflaken yjet
dhe ju dua.
Nata hap sytë
dhe ju dua.
Zemrat tona dy njerëz
dhe ju dua
dy njerëz prej nesh.
Dhe sa ju ngjajnë
dhe sa më ngjajnë.
dhe pastaj sa nuk na ngjajnë.
Nga ne më të mirë
nga ne më të vegjël
nga ne më të guximshëm.
Ne jemi goxha më të shtruar se zemrat tona,
më të matur
ndaj rrëmujës më të prirur.
Jemi ne që ushqejmë si dyshime si besëtytni,
për në frikërat dhe ndodhitë
për ne përmallimi.
Dhe jemi sërish ne, në gaz e në dënesë.
Ne pezmatojmë zemrat tona,
tjetër s’dinë veç dashurisë,
Dritë e syve të mi, jeta ime, sulltanesha ime
Unë ju dua.
zonja Pîrâye,
afërmendsh ju dua. / KultPlus.com