Biri im, në dorë mban lule të kuqe, trëndafila Dikur mbaje balona të bardhë, atëhere ishe fëmije Jetoje në një kohë pa kohë Ishin balona të bardhë, për paqë. Sot je bërë burrë, ke lëshuar balonat në qiell, si një thirrje për ndihmë, për shpëtim sikur ata të pashpresë që hedhin shishe në det SOS kërkojnë ndihmë. Por Prishtina nuk ka det, as nuk ka lum ku ta hedhesh atë shishe? I hodhe balonat. Nuk e kishim menduar kurrë se lufta do të mbaronte do të bëheshe burrë dashurinë ta përjetoje. Biri im, atëhere i përgjëroheshe Shën Marisë për liri Sot i përngjunjësh Marisë për dashuri Mari quhet ajo e bukura vajzë që të pret këtë ditë të të dashuruarve. Mari apo ndryshe, nuk është me rëndësi, Mari e quaj për të gjitha ato vajzat që janë rritur si ajo që sot të pret, i pret lulet e kuqe E pret djalin me lule, djalin me balona./ KultPlus.com
Desha të ua uroj një thes të mira si thesi me të cilin e kemi mbështjell koven e bredhit si thesi i babadimirit, një thes i thjesht. Të ju dëshiroj Të mira Më te mira se të vitit të kaluar Të ju dëshiroj mendtë Për të mos ia varur atyre të pamendve Që ua zëjnë rrugën Si macat e zeza Që të sjellin ters Gëzuar të dashurit e mij Ju që jeni e ju që nuk jeni më Por që shndërrisin në qiell si ylli mbi bredh Ju që “të dua” më thoni me sy, me gojë, Shqip, frëngjisht, anglisht, Nga afër, nga larg, Në Prishtinë e në gurbet. Gëzuar miqtë e mij, të kafës së mëngjesit, të martini biancos e të verës së kuqe, të librave e të valleve, të këngave të poezive e të filmave, të improvizimeve e të protokoleve. Të festojmë sa të biem përtoke në dysheme në dhomat tona, në asfaltin e kryeqytetit e në baltën e katundit! E kur kthjellemi, vitin e ardhshëm, shohim se çdo vit e njejta procedurë, e çdo vit budallenjtë e vet! /KultPlus.com
Toka është e portokalltë si një portokall Toka, e rrumbullaktë, si një bark, që mban jetën dhe e gjen vdekjën. Kupolat e bibliotekës nuk do të fikën as ditën e as natën, Portokall, portokall! Vetëm televizorin do ta fikim se lajmet do të na vijnë nga rruga, të padurueshme, brohoritjet “Boll më!” do ta çajnë qiellin ku mbrëmë vonë u ngjitën dy shpirtra, edhe një, edhe dy edhe sa më?/ KultPlus.com
Ne, vajzat, bijat, motrat, dalim rrugëve, shesheve, të fshatrave, të qyteteve, bërtasim, kur trupi na vritet, I yni, i saj. Jo, nuk heshtim Ne, bijat e nënëve tona, E nënat e bijave tona, çohemi e bërtasim kur për një gërshetë, na pritet koka. Prejmë flokët se duan të na e prejnë gjuhën, dalim e bërtasim, e s’mund të na ndalin. Vallëzojmë, kur një trup i lirë vallëzon, dhe e qeshin, e përqeshin. Jo, s’mund të na ndalin. Si vullkani, zgjohemi, përnjëhere, plot furi, derdhim mllefin që vlon si lava. Vërshojmë vendin si një lum që nuk mund të ndalet. Jo, s’mund të na ndalin, Ne, vajzat, bijat, motrat, nxjerrim thonjtë, nxjerrim sy, Për vajzat, bijat, motrat tona. Kur ju çoheni atje, Ne çohemi këtu, Se ju do të çoheni atje, Kur ne çohemi këtu. /KultPlus.com
Kishim mundur me i dhuru çizmet e gomës të birit tonë për Muzeun e Fëmijërisë së Luftës, Ekspozita udhëton në galeritë kombëtare të kombeve pa shtet, të kombeve pa marifet Libri i përshtypjeve te dera, tu dal. S’kam përshtypje, kam vetëm lot. Çizmet nuk i kemi më, ndoshta ia kemi fal ndonjë fëmisë që të ik, nga kufiri në kufiri, ndoshta i ka fshehur nana thellë në podrum, se tash jetojmë në paqë. Çizmet nuk i kemi më, nana nuk është më. Pushon në paqë, pushoi së mbathuri çizmet nipit, në kohërat pa kohë. / KultPlus.com
Kur nata binte mbi Luginë, nana merrte birin tonë, katër vjet ende s’i kishte, “Eja, në darsëm po shkojmë”, darsëm të heshtun, pa daulle e pa valle, në bodrumin e kushërinjve, zhurmë bënin vetëm bombardimet mbi Kosovë. Lufta te dera e shpisë kishte mbërri, ne, ata, të gjithë, kishim ikur nga kufiri në kufi. Sot, nana nuk rron më, Bindi u rrit, u bë burrë, në Paris u feju. Një djalë i vogël fshihet sonte diku, në një bodrum të Kievit toka dridhet, edhe ai dridhet, në prehrin e gjyshës. Fotot e agjencive, të njëjtat sikur para njëzet e tri vjet, Refugjatë, kolona, zjarr e gjak në kryeqytet. Darsmat plot trishtim nuk ndalen, luftat nuk ndalen, se të çmendurit nuk ndalen. / KultPlus.com
Nuk pat borë, as mysafirë nuk patem, pak zbukurime, shumë pak, gati hiç, gjithçka ishte ndryshe këtë 31 dhjetor. Nuk përgatita pulë, edhe pse i kemi pre në fundvere, ato ditë kur na le. As valle, as përqafime. Vetëm gishti që rrëshqiste në ekranin e telefonit, tu i kërku fotografitë e festave bashkë, shkëmbimin e dhuratave. Djali më tha se patëm momente të bukura vitin që lamë pas. Ah? T’i rilexoj poezitë e mia. Dhe kur qielli në katund u ndriçua me qindra fishekzjarre, desha të ta uroj vitin e ri, lypa nje yll lart, më të ndriçueshmin, i lëviza buzët, urime, nanë. Filloi të fryej a ishe ti? U ktheva brenda, tu ofshamë, shyqyr shkoi ky vit. Ardhtë më i mirë. E qetësia ra. / KultPlus.com
Nanë, erdha prapë, Ha ha ha, sigurisht mendon se më shpesh po vij tash se kur ishe me ne. Atëhere mendojsha se je e pavdekshme e se kurrë nuk do të ishte i zbrazët vendi jot, aty te kolltuku, e se do të lypi, e nuk do të gjej, askund në shpi. E shtunë, ditë pazari, ama nuk dola, pa ty, nuk ma mori mendja. Bora ishte shkri në luginë, këtu ma nxehtë, se e ke lanë dashurinë tënde kur ike. Prapë të solla trëndafila të kuq, aq shumë i dojshe. Do të vij te varri jot do të tregoj se po vazhdojnë të më ngushëllojnë miqtë për humbjen tënde, jo, jo, nuk do t’i harroj, se edhe ata një ditë do të humbin më të dashurën e tyre, e do ta ndiejnë dhimbjen e padurueshme që kam. Ata që kanë mbet pa të, para meje, qajnë me mu./KultPlus.com
Vështirë të mësohesh të jetosh me e vështirë të mësohesh të jetosh pa, të jetosh me dhimbjen, që të gërryen deri në palcë, e që është si asnjë tjetër, që rri aty, e strukur, deri sa të shfaqet, në rrugë, në kafe , në klasë , e padurueshme, të vë në siklet se të dalin lot, e të vjen me bërtit, e të shikojnë , e s’të kuptojnë. Të jetosh çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, me nevojën që ta hedhësh një shishe në det, në këtë qytet pa det, SOS ndihmë. Të jetosh pa përqafimin që të mbron nga bota, e të bën fëmijë përgjithmonë, edhe kur i ke pesëdhjetë vjet. Të mos e sillesh më numrin e dashur: nana? “last seen a long time ago”, e të mos frikësohesh se zëri i saj po humbet në hapësirë , pffff Të biesh në gjumë me endrrën që ta shohësh në ëndërr, bie me flejt me një zbraztësi të madhe që të përpien, nga ku nuk mund të ikesh, fundosesh, hynë në një tunel, pa dritë e pa fund. Zgjohesh me një qind daullë në kokë , daullë të shiut e të murmurimësë . Të jetosh me friken se po të dalin mendtë, e ata nuk po e dinë. Asgjë nuk është më e njejtë. Po kujt t’ia thuash? / KultPlus.com
Sot fryu erë, gjitha fletat ranë në tokë. Nga dritarja shikoja këtë spektakël ku si në një skenë filmi të vjetër, shija vetën, kur me nxënësit e tjerë bënim një truç me fleta dhe shtyheshim dhe hidheshim gjatë lojërave të tona fëminore aty në oborrin e shkollës, ku na çojshe nanë, mua dhe motrën e vogël. Ta lëshojsha dorën dhe hysha në klasë, si e madhe. E sot ti ma lëshove dorën, vërtetë mendove se u rrita, e se nuk kam më nevojë për ty? / KultPlus.com
Kur erdha nuse në katund, nana më veti: “Pse në Kosovë?” « Se ia dua qiellin në mbrëmjet vjeshtore ». i thash. E ti nanë në cilin qiell je sot, e qe katërdhjetëditë, Të të kërkojë, se unë fëmija jot jam i humbur pa ty. / KultPlus.com
Baba nuk do me shku te bahçja, nana nuk është aty, nana nuk është më. La shallin e saj aty te rrushi, dhe shkoi, iku, lehtë, pffff… ashtu si kjo lulja që e fryjmë bashkë në foton time të profilit. Shkoi pa na përgatit, po si përgatiten fëmijët me i vdek nana? Këto janë përralla të të rriturve për me na mashtru që mos të qajmë. Tha ju priti me i mbledh arrat, e s’na priti, e na po i mbledhin vetë në këtë ditë vjeshte plot me diell e me dhimbje. Nanë, të thojshnin Kraljica e mahallës, nusja e Bilaçit, nuse erdhe, me lule në kry, e nuse shkove me lule në kry… të varrit. Si bajrak, nana hidhte vallën, për ditëlindjen e babës, për ditëlindjen e vëllait, për ditëlindjen e mbesës, se me valle e me qeshje, mundi gurbetin, largësinë, mallin, ndarjen, humbjen. Nanën e përshendetem, për herë të fundit, aty te dera e oborrit, nga ku e çitke krytë me pa a u nisen krushqit, a erdhën bijët e kusherinjve, a u nisem për Kosovë. Një shami e bardhë e kish mbulu, bardh, bardh, bardh, si shpirti i saj i bardhë. Iu ndal zemra, ashtu si ora e saj, që nuk e hiqte kurrë, si ora e stacionit të Shkupit ditën e termetit. I pushoi zemra, zemra e madhe, zemra e gjërë, i pushoi barku, që ia ngjesha, sikur bukën që e ngjeshte për gjashtë fëmijtë e saj, e që e pjeke pas orës dhjetë të natës, se rryma ma lirë. Nana nuk na tha lamtumirë, as në shqip, as në turqisht, as në frëngjisht, ndoshta më mire kështu. Na e tha ndryshe, si me puthjen që ma dha, me dorën e saj të lodhur, aty te spitali, ku takova hijen e Ai Podrimës që vinte me pa Lum Lumin. Rrugë e gjatë ishte jeta jote, e tash pusho, e qetë, nanë, nesër ta sjell një buqetë me trëndafila, e ta flladiti dheun me ujin e çeshmes që ta vumë pranë, ndoshta e flladiti shpirtin tim, ndoshta pak, shumë pak…/KultPlus.com
Në një natë si kjo, asgjë e keqe nuk mund të ndodh, shpirti im. Sa qetësi ! a po e ndien ? Në kupolë me mijëra yje ka mbuluar këtë vend të bekuar nga perendia, hëna përton të dalë, nuk do ta trazojë errësirën që ka kapluar oborrin. Në një natë si kjo, askush nuk do që t’i vije fundi kësaj verës, të betohem në këtë verë, dhe unë nuk dua që kjo natë të merr fund ! / KultPlus.com
Kombanja i është afruar katundit tone, nesër gruni do t’është i fshirë. Verën e kaluar nuk i pashë lulëkuqet nëpër arat me grurë; kot kërkoja nëpër kuti kartoni fotografi të mia, të para disa viteve unë e veshur me fustan të bardhë ndër ato lule Isha njëzet vjeçe? tridhjetë vjeçe? As borën e fundit nuk e pashë tek rrëshqiste faqeve të Lubotenit, sikur uji kur rrëshqet fytyrës, faqës qafës, tërë trupit, e të lanë e të qetëson. Nuk i pashë, sikur vitet që shkuan. Ara e artë tani do të pushojë nga tërë ai zjarr, nga tërë ajo zjarmi. Lulëkuqet do të vyshken si buzë të thara pa puthje. Verë. / KultPlus.com
Qetësi, mesnatë, në fund të bahçes, vetëm lumi ndëgjohet, por as ai nuk bën zhurmë, rrjedh me përtaci, sikur edhe atë ta ketë lodhur vapa. Pulat kanë fjet. Kaloi një ditë përvëluese, e nga mali, mbrapa majës së shelnës, del hëna, kadale kadale, si një nuse e turpshme. Magji e natës, xixëllonjat si një mijë yje, vallëzojnë pranë hanëmelit, aromë dehëse, më merren mendtë, gjumi , lodhja. Natë e mirë, natë e embël. Një ditë e re do të agojë, me shije bosileku. Poshtë katundit, grunaja lëkundet valë valë nga era e lehtë përkëdhel lulëkuqet, ditë vere. / KultPlus.com
Udhëtimin e fundit kur ta bëjmë, atë të pa kthim ta bëjmë me muzikë, se tërë jetën muzikën e kemi dashur. Të lëmë amanet që të na përcjellin në banesën tonë të fundit me ca ciganë të hareshëm, me tingujt e fizarmonikës e të violinës, me valltare flokëgjata, të veshura me fustana plot ngjyra. Kortezhi të ndalet në çdo shtëpi, të atyre që na kanë dashur, e që i kemi dashur edhe të atyre që s’na kanë dashur, nuk bën të mbahet inat. S’na kanë dashur se s’i kemi dashur, Se kanë dashur që t’i duam. Dikush do të hjek kapelën, dikush shaminë, e dikush do të ngre dolli, përmes dërrasave të shohim fytyrat e pikëlluara, lotët në sy, e aty këtu maskat dhe buzëqeshjet e rreme. Tak, tak, tak, vazhdoni rrugën. Deri atëhere, t’ i përgjigjemi ftesës së Kafavisë, e të Bodlerit, të marrim udhën plot dritë e diell të bëjmë bashkë det e qiell, e nga bukuria të dehemi në Itakat ku ndalemi. T’i jepemi zjarrit e afshit, e të lodhur e të ngopur të pushojmë aty ku ka qetësi, kënaqësi dhe dashuri, dashuri, kënaqësi e qetësi. / KultPlus.com
Janë ulur te shkallët, fërkojnë nyjet, qafën Uji sot qenka edhe më i nxehtë se dje, thojnë Avulli krijon një atmosferë intime në këtë hamam modern Si tymi në sallonet e opiumit, Piktura të gjalla të reprezentacionit të orientit Trupa që kanë duruar shumë, që nuk mërziten për kodet e bukurisë E për shpirtin e tyre, a pyesin ? Zëri i Armendit dëgjohet, u shërova, këndon ai Gratë futën më thellë në ujë, fërkojnë krahët, barkun, kofshët Duan të lëjnë gjithë lodhjen, dhimbjen këtu, skuqen, djersiten Hynë nga dy, nga tri, shoqe, motra, kunata, sa muhabetin e kanë, “Dedikodi” thoshte daja im, i cili shkoi para dy dite, “tetë ishim, tre mbetëm” tha nana tu qajt në telefon. Edhe shoqja ime shkoi; lexoi, shkroi, e shkoi, grua në mes grave, zë në mes zërave Shkoi pa bë zë, pa lamtumirë, Shkroi për nanat, bashkëshortet, zyshat, zonjat, si ishte vetë, shkoi, “në një botë më të bukur se kjo e jona”, prapë Armendi. Vdekja e ftohtë, e mua faqet po më digjen flakë, hall m’u kanë bë. Zambaka të bardhë mbi varr, por unë dua të ti kujtoj shallat me lule, rruzet plot ngjyra, Se sot eshtë pranverë, kanë çelur thanat, edhe pse bie borë, “jallan dynja”. Pse gjithë kjo melankoli, s’është natë dimri. Unë zhytem edhe më shumë në këtë ujë që bëhët i padurueshëm por dhimbja ëshë edhe ma e padurueshme “Kujdes, mos rri shumë” me thonë shoqet e panjohura, ah ky solidaritetit jonë, As nuk shpërlahen, lëkurën e duan kështu, të zbutur, pak butësi, pak dashuri. I shërojnë duartë e plasaritura e zemrën e plastë. Dal nga uji, i shkoi pas grave, vijmë nesër, vijmë edhe njëhere, fjalët që mbetën pa thënë i fusin në xhepin e bademantelit, aty te çelsi e te orari i tretmaneve / KultPlus.com
Atë dite, e martë, mëngjes Ditë pazari në Prishtinë, Ta dhash jetën, e te vune ne gjoksin tim I vogël si buka e Mikelit, Sytë e mbyllur kërkojshe gjinin
Nuk të rrejta bir Kjo botë nuk ështe më e mira botë Menjëhere të kam tregu Se as ky vend as këta njerëz Nuk ia vlejnë me i çel ata sy jeshil
E ti kur e pishe tomlin e gjinit Hallal të qoftë Të këndojsha ninulla E të tregojsha për ëndërrat e mia Për ty, e për mu
Por nuk bën me u mashtru Iluzione ishin ato E ti bën me më qortu Se edhe prindët gabojnë Kur jetën krejt bardh e bojnë
Jeta është a fucking bitch E Kosova an amazing witch Siç këndojnë reperat e tu Ti mbaje kokën lart E përbije çdo inat
Nanën kanë me ta sha Edhe nanën e nanës Mos u ndal, por mos fal Para oqeanit, muri nuk të kam ndërtu Por me notu të kam mësu
Biri im, bëhu i mirë E bon mirë, kaq di me të thanë Mos u përul as mos u nënshtro Kurrë, kurrë, kurrë, Ki fytyrë e nder, thojnë pleqtë
Ta dhash jetën e ta dhash murtajën Por edhe shume dashuri E kalojme bashkë po te premtoj, se ke idenë Diellit i buzëqeshim kur ia qesim kraët Për pak vitaminë D
Paç fatin e bardhë Këtë urim e ke dhuratë E një gjë duhet ta besosh Gjithmonë do të më kesh engjëll mbrojtës
Të gjitha përrallat që t’i kam tregu Të githa tregimet që t’i kam shkru Kanë nje vazhdim, se jeta fundja është e bukur Kam edhe shumeçka me ju fol Ty dhe fëmijve të tu, dhe fëmijve të femijve të tu. / KultPlus.com
Një revistë letrare Franceze E gjetur në një dyqan të mëhallës Një fytyrë e dashur e prekur Në ekran Edhe zëri i dashur vjen përmes mikrofonit Mall E ti po më pret Për një kafe Te stoli i thashethemeve. /KultPlus.com