S’dua gjumë…

Poezi nga Nezir Kraki

S’dua gjumë…

Gjumit i druhem,
Më duket sikur më mashtron,
M’imponohet si opsion i vetëm,
E unë s’i dua gjërat pa alternativë,
Aq më pak ato që ma cënojnë lirinë.

Gjumi është kafaz,
Kafaz ëndrrash që s’jetohen.
Shpesh s’i mbyll hiç sytë,
Si ushtar bëj roje n’thellësitë e natës,
Me hënën n’puthje kozmike,
N’kërkim t’dy syve me i shiku,
N’kërkim t’buzës që dridhet,
N’luftë me ligjin e kohës që s’ndalon,
N’luftë me ligjin e trupit që lyp pushim.

Dhe kur rrezja e parë zbret nga qiejt e përgjumur,
Unë veç jam n’t’shtatin…
Pa zë përshpëris:
« Fitova disa ore jetë, disa orë liri…
Jetova! »

Kam edhe arsye tjera pse gjumin s’e dua…
Më duket i largët mëngjesi, e largët dita,
Me u përmallu për ata që më mungojnë,
Me u çmall mendimeve për ta.
Duke u magjeps me ditën që vjen pa pyet,
Me mistiken e gjithësisë,
Kur jeta nis… / KultPlus.com

‘Lotë e gjak deri tek ti Pavarësi’

Poezi nga Nezir Kraki

Pavarësi 

N’fillim donim veç jetë,
Pastaj fjalë t’lirë e mendim,
Më vonë kërkuam liri,
…n’fund luftuam për largim.

Largim pas një shekulli t’zi,
Lotë e gjak deri tek ti Pavarësi.
Por sot s’di çka je, sot dyshoj n’ty,
Nëse ende je mendim, largim e liri,
Atëherë, mos prano gjymtim,
…mos u kthe n’varësi!

Paris, 17 shkurt 2020 / KultPlus.com

Dy herë du me jetu

Poezi nga Nezir Kraki.

Dy herë du me jetu,
Se t’ parën herë s’ dita me dasht,
S’ dita as lotin me e vlerësu.

Dy herë du me jetu,
Se një jetë s’ më mjafton dot,
As sytë e saj me i lexu.

Dy herë du me jetu,
Me i shly gabimet që s’ falen,
e zhgënjim mos me prodhu.

Dy herë du me jetu,
Me i pa prindtë n’ rini,
Që bashkë me u gzu e me u idhnu.

Dy herë du me jetu,
Mos më ik më kurrë nga shpia,
Familjen me karrierë mos me e ndrru.

Dy herë du me jetu,
Se jeta e parë po shkon siç duhet,
Të dytën e dua ashtu siç du./ KultPlus.com