‘Rob i saj jam prapë së prapi’

Poezi nga Nizar Qabbani

Kuçedra

Dashuria jote banon te kjo barkë tragjike
që ka hedhur spirancën në gjoksin tim.
Më sulmon pa reshtur e më plas shkëmbinjve,
si do mund t’i bëja ballë?
Si kuçedër do të më copëtojë
e unë sërish vazhdoj qëndresën.
Një ditë u orvata ta luftoj.
Munda t’i shkëputem dhe ndaj
rob i saj jam prapë së prapi.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

“Kur të hasësh një burrë që di të të lajë e të t’stolisë me poezi, në gjunjë do të lutem që pas t’i rendësh pa ngurrim”

Poezi nga Nizar Qabbani

Kur të ndeshësh ndonjë burrë
q’e kthen
secilën pjesë tënden
në poezi,
i cili thur vargje
me çdonjë nga fijet e flokëve të tu,
kur të hasësh një burrë,
që di,
ashtu si unë,
të të lajë e të t’stolisë
me poezi,
në gjunjë do të lutem
që pas t’i rendësh pa ngurrim,
s’ka rëndësi
nëse e imje je apo e tij,
por se i përket poezisë.

E dija,
ndërsa ishim në stacion,
se ti ishe duke pritur tjetërkënd,
e dija,
ndërsa mbaja valixhen tënde,
se ti do të niseshe për rrugë me tjetërkënd,
e dija se isha
jo më shumë se një freskore letre në gatishmëri
për t’i bërë ballë
vapës verore përreth teje.
Siç e dija
se letrat e dashurisë që të shkrova
qenë veç pasqyra
ku krenaria jote soditej.

E pavarësisht kësaj,
do të ta mbaj valixhen
bashkë më valixhen e dashnorit tënd,
pasi unë nuk mund
të shuplak një grua
që ka ngarkuar në valixhen e saj të bardhë
ditët më të paqme të jetës sime.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com