Më dëgjo siç dëgjohet shiu

Poezi nga Oktavio Paz

Më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu
as me vëmendje por as me shpërqëndrim,
gjurmë të lehta, rigim i hollë,
ujë që është ajri vetë dhe ajër që është vetë koha
dita është akoma e gjallë
nata ende s’ka lindur
trajta të mjegulluara
në kthesën pas qoshes
trajtat e kohës
në lakimin e heshtjes,
dëgjomë, ashtu siç dëgjohet shiu
pa më dëgjuar vër-vesh në atë që them
me sytë të hapur për së brëndëshmi, në gjumë
me të pesta shqisat zgjuar,
po bie shi, gjurmë të lehta, mërmërimë bashkëtingëlloresh,
ajër dhe ujë, fjalë pa rëndesë:
që jemi dhe që janë,
ditët dhe vitet, ky moment
kohë e papeshë dhimbje që rëndon,
më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu,
asfalti i lagur shkëlqen,
avulli ngrihet dhe ikën larg,
nata shpaloset dhe hedh vështrimin tek unë,
ti je ti dhe trupi yt prej avulli,
ti dhe fytyra jote e natës
ti dhe flokët e tua rrufe të ngeshme
ti kapërcen udhën dhe futesh në ballin tim,
gjurmë uji përballë syve të mi,
degjomë, siç dëgjohet shiu,
asfalti është i lagur dhe ti kapërcen rrugën
në mjegull, përhumbur në natën,
në këtë natën që flen në shtratin tënd,
është dallga që fryhet në frymën tënde
gishtërinjtë e tu prej uji më njomin ballin,
gishtërinjtë e tu prej zjarri më djegin sytë
gishterinjte e tu prej ajri hapin qepallat e kohës
një ujvarë pamjesh dhe ringjalljesh
dëgjomë, siç dëgjohet shiu
vitet ikin tutje momentet vijnë tëhú
i dëgjon gjurmët në dhomën tjetër?
nuk janë këtu, as atje: ti i dëgjon
prej një tjetër kohë e cila ndodh tashti
dëgjoi gjurmët e kohës
krijueses së vëndeve të papesha, të pandodhëshme
dëgjoje shiun si vrapon mbi taracë
nata ështe tani e errët natë varri,
shkrepëtimat flenë në foletë mes gjetheve,
një kopësht i paqetë bredh në mëshirë të fatit
hija jote mbulon këtë faqe libri.

Shqipëroi: Merita Paparisto./ KultPlus.com

Sytë e urrejtjes

Poezi nga Oktavio Paz

1.

Në orën tre fiks, Don Pedro u ul në tavolinën tonë, përshëndeti çdo njërin prej konkurentëve, pëshpëriti për veten e tij një frazë të padeshifrueshme dhe zuri vend qetësisht.

Kërkoi një filxhan kafe, ndezi një cigare, dëgjoi muzikë, piu me gllënjka kafen e tij, mori sombreron, nxori portofolin, na tha të gjithëve “ditën e mirë” dhe iku.

Dhe kështu të gjitha ditët.

2.

Çfarë thosh Don Pedro, kur ulej dhe kur ngrihej me fytyrën serioze dhe sy të fortë?

Thoshte:

“Ishalla vdeksh!”

Don Pedro e përsëriste shumë herë në ditë këtë frazë. Kur zgjohej, kur ngrihej nga mëngjesi i tij i zakonshëm, kur hynte dhe dilte nga shtëpia e tij në orën 8:00, në orën 13:00, në orën 14:00, në orën 19:00 dhe në orën 04:00, në kafeteri, në zyrë, përpara dhe mbas çdo ngrënieje, kur shtrihej për të fjetur. E përsëriste ndër dhëmbë apo edhe me zë të lartë, vetëm apo edhe në shoqëri. Ndonjëherë vetëm me sy.

Gjithmonë me gjithë shpirt.

Askush nuk e dinte se kujt ia drejtonte këto fjalë. Askush nuk ia vinte veshin pikënisjes së kësaj urrejtjeje. Ndoshta ishte një urrejtje pa shkak, ndoshta një urrejtje e pastër.

I veshur në të zeza, ai dukej se mbante zi për dënimin që i kishte dhënë vetes.

3.

Një mbasdite, Don Pedro arriti më vonë se zakonisht. U ul pa u ndier dhe atëherë, kur ishte kulmi i qetësisë, çka kushtëzohej më tepër nga prania e tij, papritur lëshoi këto fjalë:

“Tashmë e vrava.”

Cilin dhe si?

Disa buzëqeshën, duke dashur ta merrnin si shaka.

Vështrimi i Don Pedros i stepi. Të gjithë u ndjenë të shqetësuar.

Pak nga pak, grupi u shpërbë. Don Pedro mbeti vetëm, më serioz se asnjëherë. Nuk u kthye më ditën tjetër.

Kurrë nuk u kthye më.

Vdiq?

Ndoshta i mungonte urrejtja që e mbante gjallë, ndoshta jeton ende dhe tashmë urren ndonjë tjetër.

Unë rishikoj veprimet e mia.

Dhe të njëjtën gjë të këshilloj të bësh edhe me të tuat: a ke menduar ndonjëherë sikur, ndoshta shumë pranë teje, të të shohin sy si ato të Don Pedros?/KultPlus.com

Dëgjomë siç dëgjohet shiu


Poezi nga Octavio Paz

Dëgjomë siç dëgjohet shiu
as vëmendshëm as shkujdesur,
hapa të lehtë, rigon,
uji që është ajër, ajri që është kohë,
dita që s’ka të perënduar,
nata që ende s’troket,
shëmbëllesa të mjegullës,
me të marrë kthesën,
shëmbëllesa të kohës,
në hark të kësaj prehjeje,
dëgjomë siç dëgjohet shiu,
pa dëgjuar, mbaj vesh ç’them,
duke fjetur por me të pesë shqisat zgjuar,
me sytë hapur thellë brenda teje,
bie shi, hapa të lehtë, shushurimë rrokjesh,
ajri dhe uji, fjalë që s’rënden:

ajo që ishim dhe jemi,
ditët dhe vitet, ky çast,
kohë e pavlerë, pikëllim i pamatë,
dëgjomë siç dëgjohet shiu,
llamburin asfalti i lagësht,
avulli ngjitet lart, arratinë merr,
nata shpaloset dhe më kundron,
je ti dhe trupi yt i avullt,
ti dhe shëmbëlltyra jote e natës,
ti dhe flokët e tu, rrufe e ngadaltë,
rrugën përshkon dhe në ballë më vërshon,
hapa të njomë mbi qepallat e mia,

dëgjomë siç dëgjohet shiu,
llamburin asfalti, ti rrugën përshkon,
është mjegulla endacake nëpër natë,
është nata e përgjumur në shtratin tend,
është fëshfërima e hukamës tënde,
gishtat e tu të lagësht njomin ballin tim,
gishtat e tu të zjarrtë djegin sytë e mi,
gishtërinjtë e tu të ajërt hapin qepallat e kohës,
burim vizionesh e ringjalljesh,
dëgjomë siç dëgjohet shiu,
vitet ikin, çastet kthehen,

a i dëgjon hapat e tu në dhomën ngjitur?
jo këtu as atje: i dëgjon,
në një kohë tjetër që e tashmja është,
dëgjo hapat e kohës,
trillues hapësirash pa vlerë të askundit,
dëgjo shiun që rrjedh mbi tarracë
tash nata më pus është nën korije,
mes gjethesh rrufeja ka gjetur strehë,
kopsht i mugët që rravgon,
– hyr, hija jote mërtis këtë faqe.

Përktheu Beti Njuma. /KultPlus.com

Ashtu si dikush dëgjon shiun

Poezi nga Octavio Paz. Shqipëroi: Elida Buçpapaj.

Dëgjomë ashtu si dikush dëgjon shiun
jo vëmendshëm jo shkujdesshëm
hapa drite vesë e hollë
ujë që është ajër ajër që është kohë
dita është ende duke ikur
nata duhet tashmë të vijë
figuracione mjegulle
në bërryl të kthesës
figuracione të kohës
në hark të këtij pushimi
dëgjomë ashtu si dikush dëgjon shiun
pa dëgjuar dëgjo çfarë them unë
me sytë hapur brenda vetes në gjumë
me të pesë shqisat zgjuar
është duke rënë shi, hapa të lehtë, një mërmëritje rrokjesh
ajër dhe ujë fjalë pa peshë:
çfarë jemi ne dhe janë
ditët dhe vitet ky moment,
koha e papeshë dhe keqardhja e rëndë
dëgjomë ashtu si dikush dëgjon shiun
asfaltet duke rrezatuar ti kapërcen rrugën
është mjegull duke u endur në natë
është natë duke fjetur në shtratin tënd
është kulmimi i dallgëve në frymën tënde
gishtat e tu prej uji njomin ballin tim
gishtat e tu prej flake djegin ballin tim
gishtat e tu prej ajri hapin qepallat e kohës
një pranverë vizionesh dhe ringjalljesh
dëgjomë ashtu si dikush dëgjon shiun
vitet shkojnë tutje çastet kthehen
a i dëgjon hapat në dhomën tjetër
jo këtu jo atje: ti i dëgjon ata
në një kohë tjetër që është tani
dëgjon hapat e kohës
shpikës i vendeve pa peshë askund
dëgjon shiun duke rënë mbi taracë
nata është më natë në korije
vetëtima ka bërë çerdhe mes gjetheve
një kopsht i pagjumë që shkon pas rrymës
hijen tënde e mbulon me këtë faqe./ KultPlus.com