‘Shpirti im nuk ndihet mirë, se e humbi atë’


Poezi nga Pablo Neruda

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta 

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta,
Të shkruaj, për shembull: ”Nata është yjëzuar,
Dhe drithërues, të kaltër yjet atje lart”.

Era e natës sillet nëpër qiell dhe këndon.

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta.
E doja dhe nganjëherë edhe ajo më donte.

Në net si kjo e mbaja ndër krahë,
E puthja aq shumë nën qiellin e pafund.

Ajo më donte dhe ndonjëherë edhe unë e doja.
E si të mos i doje sytë e saj të mëdhenj!

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta,
Duke menduar që nuk e kam. Duke ndjerë që e humba.

Të dëgjoj natën e pamat, më e pamat pa të.
Vargjet bien mbi shpirtin si mbi barin vesa.

Po ç’rëndësi ka kur dashuria ime nuk mund ta ruante atë!
Nata është yjëzuar dhe ajo nuk është me mua.
Kjo është e gjitha. Së largu dikush këndon. Atje larg…
Shpirti im nuk ndihet mirë se e humbi atë.

Si të jenë duke kërkuar, sytë e mi vështrojnë për të,
Zemra ime vështron, por ajo nuk është me mua.

E njëjta natë që zbardhëllon të njëjtat pemë
Ne vetë, ata të atëhershmit, nuk jemi të njëjtët.

Më nuk e dua, është e qartë, por sa shumë e doja!
Zëri im vështron për erën që të takojë veshin e saj.

E tjetrit. Do jetë e tjetrit, si më parë e puthjeve të mia.
Zëri i saj, trupi i saj i tejdukshëm, sytë e saj të mëdhenj…

Unë nuk e dua, është e qartë, por mbase e dua akoma.
Është kaq e shkurtër dashuria dhe kaq i madh harrimi!

Sepse në net si kjo e mbaja në krahë,
Shpirti im ndihet keq që e ka humbur.

Megjithëse kjo është dhimbja e fundit që ajo me shkaktoi,
Dhe këto janë vargjet e fundit që unë i shkruaj. / KultPlus.com

“Po të duash më lër pa bukë edhe pa ajër më lër, veç mos më lër pa buzagazin tënd”

Poezi nga Pablo Neruda

Po të duash më lër pa bukë
edhe pa ajër më lër, veç
mos më lër pa buzagazin tënd.
Mos më lër pa trëndafilin,
pa shigjetën që aq ëmbël shpon,
pa ujin që papritmas
shpërthen te buzagazi yt,
si dallgë e beftë bime
që të gjallëron.
I paepur luftoj dhe kthehem
me sytë këputur së lodhuri
sa herë që shikoj
tokën që nuk ndryshon,
por dije se buzagazi yt
në qiell ngrihet e më kërkon
e atëherë para meje
hapen gjithë dyert e jetës.
E dashur, në çastet
më të errëta derdhet
buzagazi yt, e nëse befas
sheh se gjaku im lag
gurët e rrugës,
qesh, se gazi yt
në duart e mia do të jetë
si një shpatë e vërtetë.
Buzë detit në vjeshtë,
le të ngrihet gazi yt
si një ujëvarë perçeshkumë,
e dashur, buzagazin tënd
e dua në pranverë
si edhe lulen që mezi pres,
lulen e kaltër, trëndafilin
e atdheut tim gjëmimtar.
Qeshu kur bie nata
qeshu kur vjen dita,
qeshu kur ka hënë,
qeshu me rrugët
e shtrembra të ishullit,
qeshu me këtë djalë
të hutuar që të dashuron,
po sa herë që unë
hap e mbyll sytë,
sa herë që hapat e mia dëgjon,
pa bukë më lër po deshe,
pa ajër, pa dritë, pa pranverë,
veç jo pa buzagazin tënd,
sepse pa të nuk jetoj dot.

Në shqip: Erion Karabolli / KultPlus.com

Nëse do të dish të më rrish pranë

Poezi nga Pablo Neruda

Nëse do të dish të më rrish pranë,

dhe të mund të jemi të ndryshëm,

nëse Dielli do të na ndriçojë të dy,

pa u mbivendosur hijet tona,

nëse do arrijmë të jemi “Ne”, në mesin e kësaj botë

dhe bashkë në botë, të qajmë, të qeshim, të jetojmë.

Nëse çdo ditë do të zbulojmë se cilët jemi

dhe jo të kujtojmë se cilët ishim,

nëse do të dijmë t’i jepemi njëri-tjetrit

pa e ditur kush do jetë i pari dhe kush i fundit,

nëse trupi yt do të këndojë me timin, se së bashku është gëzimi…

Atëherë do të jetë dashuri

dhe nuk do të ketë qenë e kotë, kjo pritje e gjatë. / KultPlus.com

Eja me mua në një vend që askush nuk e di

Poezi nga Pablo Neruda

Eja me mua, i thashë, në një vend që askush
nuk e di, të ndjesh si regëtin dhimbja e madhe
për mua as këngë gondolash, as karafil
vetëm një plagë që dashuria la hapur

I them sërish; eja me mua, edhe sikur të vdes
dhe askush të mos e shoh hënën kur e pi goja ime
dhe gjakun e trëndafilit që mbytet ne heshtje.
Eja dashuri, le të harrojmë dhe yllin që nxin prej trishtimit!

Dhe kur dëgjova zërin tënd që tha;
Eja me mua, m’u duk sikur u çlirua krejt papritur
brenga, dashuria, tërbimi si një tape vere që hapet!

Gajzerët nga thellësitë shpërthyen lart në qiell
në gojë unë ndieva sërish shijen e zjarrit
të gjakut të karafilave, të gurit dhe plagës.

Përktheu: Roland Gjoza / KultPlus.com

‘Lypet të ulesh mbi grykën e pusit të errësirës për të peshkuar me durim dritën që humbi atje’

Poezi nga Pablo Neruda

Po qe se çdo ditë
bie mbi secilën natë
gjendet një pus
ku rri kyçur kthjellësia.

Lypet të ulesh mbi grykën
e pusit të errësirës
për të peshkuar me durim
dritën që humbi atje.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com