Robert Shvarc ishte një përkthyes hebreo-shqiptar, i cili njihet për shqipërimin e letërsisë gjermane, shkruan KultPlus.
Robert Shvarci lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor, 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani, ai filloi të mësojë gjuhën shqipe në moshën gjashtëvjeçare. Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit.
Sot në 19 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit nga Sarajeva me prejardhje shqiptare, KultPlus ju sjell njërën nga poezitë më të njohura të tij ‘Ma vranë Sarajevën’, një poezi në të cilën shpaloset një dhimbje e nostalgji e madhe.
Ma vranë Sarajevën
Ma vranë Sarajevën,
qytetin ku më ka rënë koka,
qytetin përjetësisht të dashuruar,
ku puthej lindja me perëndimin
dhe kishat rrinin pranë xhamive
dhe pranë sinagogave
të zëna për dore,
ku gjindja ishte përherë gazmore
dhe i donte këngët
dhe i donte lulet…
Ma vranë Sarajevën –
dhe Milaçka e kristaltë
gjarpëron tani e kuqe
përmes qytetit të martirizuar…
Ah, ç’ngjyrë tjetër veç asaj të gjakut
mund të lerë pas thundra e një viçi –
iliçi, visarionoviçi,
milosheviçi?
Ma vranë Sarajevën! –
pesëdhjetë vjet kam pritur
ta shihja edhe një herë
qytetin ku kam lindur,
qytetin vetëm pesëqind kilometra larg
që këtej! –
pesëdhjetë vjet kam pritur…
Tani s’dua ta shoh më:
s’kam zemër që të shoh gjithë atë gjak,
gjithë ato kufoma,
mu në zemër të Evropës,
mu në fund të këtij shekulli!
Do ta ruaj në kujtesë
ashtu të hirshme siç e lashë
në fëmijëri,
ashtu të butë dhe njerëzore,
ashtu gjithë tinguj e poezi…
Ma vranë Sarajevën!
Sarajevën më s’e pashë! / KultPlus.com