Vjetit që ikën

Poezi nga Rozafa Shpuza

Nëse e hasë kund,
shtegut përkah theqafen motet
diftoji se i kam fiksue në bardhezinë e fotografive
frymimet që s’iu bindën përditës obeze
teksa flirtonte si prostitutë bri urës me parmakë dëshirash.
Diftoji se i kam plot gotat që nguten me u cakrrue
netve, kur shpirti i falet shkumës së birrës
e buzët belbin nji melodi shpalosun pengjesh.
Nëse e hasë kund,
bregut ku gjurmët e ardhmënive zhbahen
si dashnitë e gocave me zhguell kërrusun sekretesh,
diftoji se ia kam marrë detit nji grusht zbaticash
sa me mbushë orën e ranës
që përmbyset saora e më ban me fillue sparit.
Nëse e hasë kund,

Kurgja mos ban, veç lene me shkue./ KultPlus.com

‘Vjen nji orë kur asgja s’bëzan përpos tik-takut imagjinar t’orës’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Vjen nji orë
kur qyteti kotet
tue u mbështetë në çagje oxhaqesh,
njajtë me fshesaret natore
që mbështeten përhumbshëm n’bisht t’cingares.
Vjen nji orë
kur asgja s’bëzan
përpos tik-takut imagjinar t’orës
që s’mbahet mend qysh kur u zhgul përdhuni
prej kullës së pagëzueme prej nji inglizi.
Vjen nji orë
kur ministri e lypsari shohin andrra perverse,
kur manekinët bahen realë e dashnorët virtualë,
kur semaforët pulsojnë e taksistët gërhasin,
kur peshkatarët struken mes kapërthime rrjetash
e pulbardhat ndihen si engjëjt në tavanin e kishës.
Vjen nji orë
kur qyteti kqyret mbi syprina ujnash t’lame n’hanë,
kur bryma i përgjet hukamës së lutjes
që shprazet në atë vijën naziqe të horizontit …

e kurgja e jashtëzakonshme nuk ndodh
veç qyteti nis me frymue prore… / KultPlus.com

‘M’ka mbetë veç jestëku i gjylpanave, stacioni ma fatal i tana dashnive t’mia’

Poezi nga Rozafa Shpuza

N’shpinë me tavan andrrash
m’ka mbetë veç jesteku i gjylpanave
birue si tabarja gri e martesës
që im atë s’e veshi ma atë dimën
prejse tejat e koduen me hieroglife imcake.
Kurrë s’i njehi gjylpanat,
veç si n’jerm zhguli nji
për me e përshkue me fill merimangash
sa me arrnue fatin e me davaritë boshllëkun e odës.
Koltrinat, njeshë mbas xhamash
njajtë me fustanet e nuseve mbas mesnates,
ma tjetërsojnë zanin e luleborave.
Vijëzimet e sedefta t’kaçamillit mbi qylym
m’cytin përkah portretet bardhezi.
Asht po ajo buzëqeshje
si ditën kur nusërova mes jaresh që firuen prajshëm…

M’ka mbetë veç jestëku i gjylpanave
stacioni ma fatal i tana dashnive t’mia… / KultPlus.com

‘Më paska mbetë në xhep nji gocë deti që s’di cilit breg i mungon…’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Më paska mbetë në xhep nji gocë deti
që s’di cilit breg i mungon…
E gjeta teksa palosja verën
bashkë me do kokrriza kryeneçe rane
e tri monedha që tringëllijnë si sirena portesh vetmitare…

Me shpindë t’vijëzueme prej mea culpash të njelmëta
goca e detit rrokë mirazhin e nji dashnie
që tash 100 vjet asht nisë prej bregut matanë.
E ve njashtu krahapun mbi pëllambë
me shpresë se vijat e fatit tem
kanë me ia diftue shtegun përkah andrra. / KultPlus.com

Fmitë e Dugajve t’Reja

Poezi nga Rozafa Shpuza

Im’vlla koleksiononte pulla poste
në nji bllok kapakkuq
mshehun diku ndër hatlla
mbi gugatjet e pllumbave me kaçirubë.
N’zheg zhbirilonim me lupë
emna të panjoftun shtetesh
e harta jonë haperdahej mbi tjegulla,
tue sfidue çdo ditar eksploratori.

Na ishim fmitë e Dugajve t’Reja,
e imagjina e harlisun
kalamendej rreth nji bote t’vulosun
me silueta njerzish e rrugicash t’ylberta
që shpërlaheshin nën nji trumë.

Im’vlla koleksiononte pulla poste
e krejt fminia jonë ishte nji koleksion mirazhesh
shtresëzue mbi gjunjtë e coptuem prej asfaltit
me nji botë surreale vizatue përmbi… / KultPlus.com

Gushti i nji qyteti zhurmaxhi

Poezi nga Rozafa Shpuza

Nji bulkth vetmitar rreket me sfidue
zhumhurin qytetas
që klithë me za krejet prej altoparlantesh shakshi,
t’varun si kurbanë modernë tallavash.
Kori i stonuem i tellallëve s’ka të tashme
veç përshkon si rruzat në filispajë
të shkuemen deri tek e ardhmja.
Kalimtarët frymojnë si n’jerm
n’qasje të mirazheve t’zhegintuna
teksa kalamenden pergjatë pjacës
te dekorueme me grrila brinjthyem.

Unë jam ajo radioja zaçjerrë
me dy butona frekuencash
me kode t’fashituna kaherë,
që sillen papra’ në kërkim
të nji stacioni qe m’pret qyshkur / KultPlus.com

‘Për ditëlindje nuk ndeza kurrë qira’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Rrëfim n’vetë t’parë

N’jetë erdha at’ verën e rreshkun
që u njom prej ujnave të zgrip-lindjes
e u trand prej ulërimave amësore
të denja për nji arie perfekte.
Im atë m’njiti emën legjendash,
kurse nana m’dha cicë deri sa nisa me ndenjë taaa…
Anipse qava n’kupë t’qillit,
gjyshja kambënguli me m’lidhë n’shpërgaj
e kambët m’i zhyti n’sheqer kur lindi im vëlla.
U rrita me marsh paradash e brohorima t’mnershme
e për mbarësi më hodhen uje diten e parë të shkollës.
Çdo verë lava n’oborr qylymin me thakë t’grimë tejet
tue kërcye zbathët sipër tij
si n’ceremonitë pagane.
Ndër fletore matematike shkruva ditar
e për dashnorët naivë përdora iniciale
që tash kot lodhem me i çkodue…
Ju recitova poezi nxanësve t’nji shkolle ndër male
diku mes reales dhe absurdes
mandej i qindisa n’gjergjef tana dëshirat
si me dashtë me i ba zapt n’atë rreth t’tendosun
si nofllat para vajit…
Për ditëlindje nuk ndeza kurrë qira
prejse i druhesha joshjes se mirazheve
t’krijueme prej flakës së tyne t’rrejshme.

N’jetë edha at’ verën e rreshkun
njajtë me këtë t’simjetshmen
kur gjinkallat konkurrojnë me kangtaret e afisheve t’shkyme
e une shuej etjen me krriklla kabahe birret
n’lokalin me nji shkronjë mangut n’tabelë… / KultPlus.com

‘Frymojmë me ritëm dashnish të pamujtuna’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Na

Vijmë prej qytetesh t’largëta
destinue me na tërhekë kah vedi
me hov zbaticash kryeneçe.
Rrugtojmë kithtaz me stacionet vetmitare,
që na joshin me farfurina kallpe
e kureshtje udhëtarësh të përgjumun
caqe t’fatit tonë endacak.
Frymojmë me ritëm dashnish të pamujtuna
sa herë zgripmotet na fusin ndër morsa mëdyshjesh
që s’jena të zot me i kapërdi…

Tekemramja,
çojmë me fund nji gotë
ndër tavolina t’zhurmshme
me disa karrige bosh aty-këtu
e prore stivojmë dëshira në pazellin absurd
të kalendarit rishtak… / KultPlus.com

Fotografia: Rozafa Shpuza

Për nji dashni të refuzueme

Poezi nga Rozafa Shpuza

N’qytetin tem
mullagat lulojnë pa bujë
si mirazhe të bjerruna ndër djerrinat
që len peng historia e mbrame e dashnisë.
Ylberi i petaleve
i përgjet kopertës kafide t’palueme n’sepetin e pajës,
ku varet nji dry naziq
që kurrë s’u kyç…
N’qytetin tem
s’përban ma lajm pse shinat bien me rrëshekë
e qylymat shkunden me pirajkë,
as pse saksitë e mullagave
t’sajueme me kuti boje
lyhen me gëlqere e stivohen prajshëm bri pusit,
pasqyrës ku kqyren gjokset e zgaquna t’reve…
Çudi…
sado rrekem me hamendësue
s’di pse pos krejt luleve,
n’qytetin tem,
jaret s’ranë kurrë n’dashni me mullagat,
që s’prajnë tue shprishë dremitjen e oborreve,
ku teshat nderen me kapsa drunit
e avllitë naltohen
njaq sa kureshtja e kojshisë… / KultPlus.com

‘Hapat ikacakë i fikin dashnitë si bisht cigaret me filtër të kafshume’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Mbramjeve,
qyteti ka trajtën e nji gruaje
paksa të kërrusun nga pritja,
me shkulme thinjash ndër tamtha
e make-up të errët,
nergut me fashitë rrathët poshtë syve.
Hapat ikacakë i fikin dashnitë
si bisht cigaret me filtër të kafshume
prej buzkuqit 24-orësh.
Stacionet e periferive
zbrazen me ritmin e tradhtive
t’destinueme me plasaritë shpirtna,
sa herë thembrat e statujës,
atje n’sheshin ku flirtuem nen çader,
përmjerren prej qejve rrugaçë.

Në t’zbardhun,
qyteti ka trajtën e avullit
që ngutshëm shprazet prej flegrash
tue mjegullue andrrat që s’mbërritën
me pritë agun… / KultPlus.com

‘Pritja asht ajo gota e mbrame e birrës që mjafton me m’ba njirin ma t’lumtun a ma t’trishtë n’botë’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Sonata e pritjes

Pritja s’ka formë
krejt si mirazhet e nji rruge t’zhuritun zhegut.
Pritja s’ka peshë
njajtë me tymin e cingareve që pij papra’
n’ate lokalin ku reklama pulson nervoze
shkulme verdhacuke drite.
Pritja asht ajo gota e mbrame e birrës
që mjafton me m’ba njirin ma t’lumtun
a ma t’trishtë n’botë.
Pritja m’shfaqet e tjetërsueme
kur e ndryj me drynjt e varun
n’uren e dashnive t’pamujtuna.
Pritja i pergjet tabares së nanës
që e ruej n’raftin me dru arre,
anipse tejat e kanë qindisë me fantazina surreale.
Pritja nuk ngutet
prejse asht e sigurt se gjithqysh m’gjen n’vendtakim.
Pritja perlotet e zgjatet si hije muzgu
sa here e largoj prej vedit.
Pritja asht tufa thinjave nder tamtha
qe edhe pse i lyej te parukierja e lagjes
e di mire se janë aty, gati me u rishfaqë.
Pritja ka trajten e orës prej rane
ku sekondi ka vleren e nji jete
kesisoj e kam var n’qafë si medaljon
me shpresë se ka me kthy kohën qe m’ka grabitë… / KultPlus.com

‘Ky asht veç skeleti i kukllës që pret me veshë tesha t’reja prej teprica imagjinatash që i preva prej revistash t’ndalueme’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Për nji kukull pecash

Prej shisës rrumeqe
që shtyn dimnin në qoshk t’oborrit
këpus dy krande cullake
e i lidh kryq me fill t’kuq.
Ky asht veç skeleti i kukllës
që pret me veshë tesha t’reja
prej teprica imagjinatash
që i preva prej revistash t’ndalueme,
me gërshanën e krastijes.
Ngutem me ia vizatue tiparet
me nji laps plumç-thyem
që kajherë mënon me fiksue buzëqeshjen,
prejse dora s’më bindet
e boja hapërdahet mbi fytyrën
e sajume me nji monedhë
që im atë ma pat falë
ditën kur ra bora e parë.
Tash kuklla asht gati me pritë vjetin rishtak
e mue s’më mbetet tjetër
veç me kthye fletën e mbrame të kalendarit.

(vëllimi poetik “Nana i qindiste kryq dimnat”) / KultPlus.com

Fotografia: Rozafa Shpuza

“Vjetë për vjetë ju ve nji lak n’qafë ditëve që m’duhet me pritë”

Poezi nga Rozafa Shpuza

Pritjen teme
t’copëzueme n’pazëllin e nji kalendari pagojc
e vjerri vjetë për vjetë n’vjegcën
e ngujueme n’plasat e murit t’odës pa tavan.
N’vjegcë
përshkohet si rruza n’pe ditëlindja rishtake…
Përvjetë
thuejse i njajti ritual,
pos qirit që shtohet mbi tortë
që, gjithqysh,
s’asht i zoti me i ba ballë
frymës që shprazet kur tham nji dëshirë.
N’qasje të lavjerrësit
n’vjegzë përkunden pritmënitë
qysh kur nana m’endi pëlhurën e ardhmënisë
e deri sot,
kur pritjen e vjerri përhanshëm
si tana ritualet pagane t’nji dasme,
kur orizi i hedhun mbi vel
bahet oguri i tana mirësive.

Vjetë për vjetë
ju ve nji lak n’qafë ditëve që m’duhet me pritë
e nisem shkujdesun dikutek
pa destinacion të paracaktuem rrugtimi… / KultPlus.com

‘Ti, s’ke pse hapë çadrën n’aeroportet ku retë përloten për dashnitë e pamujtuna’

‘Pa lajmërue’ nga Rozafa Shpuza

Ti, s’ke pse veshë tesha
marrun hua prej stinësh të përdala,
s’ke pse hupë nën maska tinzare
sajue për gosti hijenash,
s’ke pse pret biletë linjash strikte
plot e përplot me andrra t’frigueme.
N’valixhe s’ke pse ngarkon
peshqeshe lidhun ny me kordele rrencake.
Ti, s’ke pse hapë çadrën n’aeroportet
ku retë përloten për dashnitë e pamujtuna,
as pellgjet s’ke pse i shkapërcen
me rujtë pa lagë çorapet
që nana t’i bani gati për udhë.
Ti vetëm hajde,
ashtu si vjen malli, pa lajmërue… / KultPlus.com

‘A e din se dashninë e parë s’ia rrëfeva as ditarit’

Poezi nga Rozafa Shpuza

A e din se
biçikletën e msova para abetares
e gjunjt e coptuem prej rrëzimit i lyva me pështym
tue i hukatë fort, prejse m’erdh marre me qa…
A e din se
renda mbas makinës së ujit
pa e ditë se mirazhet e zhegituna t’asfaltit
kishin me u ba oazi i tana fantazive t’mia…
A e din se
çdo dimën nana m’thuri me gjypner nji xhup t’ri,
me lesh t’shkepun prej xhupash t’vjetër
e ndër ato motive naziqe
u kapërthyen qindra dëshira t’pacake…
A e din se
krijova kukull pecet
tue i ba kryq krandet e shisës rrumeqe
e si krye i vuna nji pull të tabares së tim eti…
E e din se
shtatin e mata me metër rrobaqepsish
e vizat n’mur i shkruva me laps plumçit…
A e din se
çimçakezin e sajova me qirat e ditlindjeve
të festueme pa torta
e për mbramje t’maturës flokët i ngriva me birrë…
A e din se
dashninë e parë s’ia rrëfeva as ditarit
e tash kujtesa mënon me ma ripërtërie shijen e saj…
A din se
ma ka anda me hapë albumet me foto n’sepie
e kajherë ndihem n’faj pse s’isha n’dasëm t’prindve t’mi…

Ti tana i din, malli jem
veç sot pata mall me ia rrefye vedit.

(nandor 2021) / KultPlus.com

‘Asht nji gozhdë ngulun në mue që më mban varun’

Poezia ‘Nana i qindiste kryq dimnat’ nga Rozafa Shpuza

Kanga e gozhdës
Asht nji gozhdë
ngulun mbi shtëllunga plasash
që harbohen si flokë shtrigash
tue i dhanë murit nji pamje mitike.
S’mbahet mend kush e nguli
e çka ban saora atje mes sekrete bojnash,
t’stivueme nji mbi nji
si teshat e dekës në baulen e gjyshes.
Asht nji gozhdë
ngulun mbi mirazhe t’ujshme
që ngutem me i fiksue ndër fotografitë bardhezi.
Medet,
edhe këtë pranverë harrova me i ba nji ny frymimit,
kësisoj dashnitë u shprazën si rruzat e lutjeve
mbi qylymin dalëboje prej pelegrinazhit të hapave.
Asht nji gozhdë ngulun në mue
që më mban varun,
anipse tasheparë preki me gishta tabanin e andrrave. / KultPlus.com

@Rozafa Shpuza

Qytetit që dyzon për nji “j”

Poezi nga Rozafa Shpuza.

Vetëm 5 minuta
mjaftojnë me ndezë dashnitë e pamujtuna
që ju pergjasin druve të stivueme persosmënisht ndër oborret me dyer pa drynj…
Qyteti çapitet me ritëm dasmash kabahe
ku nuset ulin velat për me fashitë
prologjet naive te ditarëve.
Tasheparë
mbi dyzimin e statujave derdhet histeria e korbave
që tubohen tue skicue qiejt me hieroglife surreale…
Gjithçka nisë sparit
kur thembrat e natës tërheqin zvarrë
përgjumjen e gotave të birrës t’destinueme me shkumue si baticat inatçore…

Gjilan, gusht 2018./ KultPlus.com