‘Faleminderit’, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik “KultStrofa”

FALEMINDERIT…!

Faleminderit,
o njeri i mirë, o At!
N’perëndim jete, po ma mëson
gjanë ma t’dhimbshme t’jetës:
Gja muti paska qenë
me ndie fort përgjatë jete,
e me mendue,
e me logjikue,
e me derdhë djersë,
e me veprue,
si rrallë njeri!

Paska pas qenë e nevojshme,
me jetue pa mendue,
e me u knaqë,
e me qenë për veten,
tamam shok,
tamam dashni!

Paska pas qenë e nevojshme,
me jetue tuj mos ta ndie,
për askend e për asgja!

Paska pas qenë e nevojshme,
me qenë
paksa prind,
paksa njeri,
por edhe derr ngapak,
ngapak thi i egër,
ngapak ujk,
e nuk di ç’tjetër!

Paska pas qenë e nevojshme,
me qenë i mençun
qysh n’mote t’reja,
e me e ba zap, disi,
ndjenjën e mendjen,
e mos me jetue
tuj mendue,
e tuj u frikue,
e tuj u mundue,
madje, as për Zogjt
e Zemrës tande!…

Hahhhh!
Plakun e shpisë
duheshka ushqye,
veç me shikim t’ambël
e me Fjalë Zemre!

Kur t’ndodhka ramja,
kur bie e plakesh,
e rrudhesh e ligesh,
askush, ma, s’ta futka
për asgja!

Askush, ma,
as pesë para nuk jepka,
për mundin tand,
për djersën tande,
për lodhjen tande,
për pleqninë tande,
për sëmundjen tande,
për gjendjen tande!

E ku mbet ma,
e ku mbet ma,
me t’u gjetë dikush,
me t’ndejtë ngat,
e me t’ushqye,
e me t’gëzue
me nji shikim t’ambël,
a me nji fjalë zemre,
a me t’dhanë,
s’paku, nji gotë ujë,
a nji  krah mbështetjeje,
n’Perëndimin e Vonë
t’Ditës e t’Jetës!!!…

Poezi e shkruar nga Shazim Mehmeti, njëra nga poezitë finaliste në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com