‘Të gjitha lumturitë marrin fund dhe vuajtja do të jetë aty’

Shpëtim Selmani

*
(Xhevdës dhe Vjosës)

Këmbanat bien furishëm
Në Graz
Brenda meje kujtime

Të gjitha netët e gjata
Marrin fund dhe mëngjesi
Do të jetë aty

Të gjitha lumturitë marrin
Fund dhe vuajtja
Do të jetë aty

Është e pamundshme të
Qetësohesh derisa ditëlindjet
E secilit dridhen si

Lule të mjera nën
Pushtetin e viteve
Që nuk vonohen

Nuk ka asgjë të përjetshme
Zoti mprehë sëpatën
Ne shohim orën

Gjithë çfarë mbetet
Pas nesh janë
Shkëmbinjtë

Dhe pafytyrësia
E natyrës. / KultPlus.com

Ajo

Poezi nga Shpëtim Selmani

Vjen dhe shtrihet

Prane meje

E dorezuar

Teresisht e imja

Si mijera here

Teresisht i saj

Ne mes fragmenteve 

Tona gjithe ajo pasiguri 

Ai zemerim

Dhe perseri duke 

Shpetuar permes 

Organeve te njeri tjetrit

Ne mes nesh

Gjithe ai ankth

Ato ulerima

Dhe perseri

Duke e care gojen

E njeri tjetrit

Ate goje te saj

Qe mijera here 

Me tha gjera

Te papelqyeshme

Gojen time qe mijera 

Here e beri te heshtur

Ne mes nesh kaq fjale

Te hedhura shkujdesshem

Qe shperthenin ne cast

Dhe perseri duke u

Perpelitur ne krevat

Pa te kaluara

Pa frike

Pa medyshje

Me gjithe ate egersi

Une ajo dhe bryan ferry

Duke lyer lekuren e

Henes

Me lengun e luleshtrydheve

Te hershme

Pranverore. / KultPlus.com

M

‘Më shkoi mendja të ja fus një grusht turinjëve, por në vend të kësaj i thashë a dëshiron një akullore’

Shpëtim Selmani

Po haja

Akullore dhe shihja
Libra të vjetër në njërën
Nga rrugët e Tiranës

Që ishin të mbështjellura
E të ruajtura si sytë e
Ballit

Marr Majakovskin në duar
Dhe e pyes shitësin
Sa kushton

Thotë pesëqind lekë
Dhe duke e ditur se
Ma ngulin i them shtrenjtë

Po pra se ti e ke mendjen
Te Stoma
A e di çfarë do të thotë

Stoma nga greqishtja
Do të thotë gojë
Aty e ke mendjen

E ndërron Majakovskin
Për një akullore
Mos më fajëso mua

Fajëso kapitalizmin
Dhe këtë dreq
Nxjerre celularin dhe e godet

Ju dëshironi të ja shihni
Bythën Shakirës
Nuk e keni mendjen te Majakovski

Më tha çdo gjë pasi kisha
Mbetur i ngrirë duke e
Shikuar

Çuditërisht më shkoi mendja
Të ja fus një grusht
Turinjëve

Por në vend të kësaj i
Thashë a dëshiron
Një akullore

Nuk hahet akullorja në
Mbrëmje më tha dhe
Përsëri Stoma Stomaaaa. / KultPlus.com

‘Nëse dëshironi hidhni ato bomba muti mbi trupat tanë’

Shpëtim Selmani

Artistët

Kanë pushtuar çdo gjë
Jashtë asaj që kanë pushtuar
Politikanët

Të dyja palët
Duan dominim në
Shpirtin njerëzor

Që ka trashëguar
Traumën dobësinë
Vetëdijen fatale

Nëse dëshironi hidhni ato
Bomba muti mbi
Trupat tanë

Pasi të jeni strehuar në
Bunkerët e juaj
Antibërthamor

Nëse dëshironi shpëtoni
Epokën tonë të dhunës
Me veprat e juaja të çfarëdoshme

Simone Weil thotë
Edhe komedia është e
Pamundur

Sa për mua vetëm pyetjet
E fëmijëve drejtuar zotit
Kanë kuptim. / KultPlus.com

‘Çdo vjershë e mësuar harrohet’

Shpëtim Selmani

Të gjithë

Kemi humbur diçka
Dhe jetojmë nën
Pushtetin e mallit

Asnjëri nga ne
Nuk është i paprekur
Nga brutalitetet

Nga aksidentet
Nga rastësitë
Që kanë një autor

Të habitur kryejmë
Detyrat e caktuara
Prej shekujsh

Dhe në fund
Askush nuk i kontrollon

Çdo vjershë e mësuar
Harrohet

Dyert e shkollës mbyllen
Furishëm
Brraaam

Sall vuajtja luan me top. / KultPlus.com

Në Tiranë

Shpëtim Selmani

Në Tiranë

mbi të gjitha kënaqem
kur gjej tituj librash të lezetshëm

p.sh. Natalia Ginzburg
apo shkrimtar të panjohur
me kalorës në kopertinë

shitësit në të shumtën e rasteve
janë serioz
të mbyllur dhe agresiv

nëse ju thua se je nga Kosova
sillen mirë dhe të thonë eja
prapë

kënaqem kur shoh tituj të
lezetshëm e ekzemplarë të rrallë
shkrihem nga qejfi

por Ben Andoni më thotë në
vesh shsh mos ju thuaj se janë
kopje të rralla

mbi të gjitha kënaqem
në Tiranë kur gjej libra të rrallë,
kur Xhevat Caushi ma ngul në çmim
dhe kur shoh gruan time
se me sa pasion ha akulloren
me arra gjysmë të karamelizuar
pa ja ndier fare
për letërsinë. / KultPlus.com

Vjen në formatin video-poezi, ‘Mbi mundësinë e një dëshire për të thënë diçka të hajrit’ nga Shpëtim Selmani

Publikohet në formatin video-poezi, poezia e Shpëtim Selmanit, ‘Mbi mundësinë e një dëshire për të thënë diçka të hajrit’, poezi kjo e shkruar gjatë kohës së studimeve të poetit, përcjell KultPlus.

Njoftimin e ka bërë aktori Afrim Muçaj përmes një postimi në rrjetin soical Facebook, duke e shpërndarë videon së bashku me një mbishkrim.

Mbi mundësinë e një dëshire për të thënë diçka të hajrit.

poezi e Shpetim Selmani“, ka shkruar ai. / KultPlus.com

‘Askush nuk e do Kosovën, as politikanët e saj, e as Europa’

Poezi nga Shpëtim Selmani

Kosova është laborator moral,
politik dhe religjioz,
sundimtarët duan vica të urtë,
mutsihanet e tyre gdhenden
në qaforet e votuesve,
askush nuk e do Kosovën,
as politikanët e saj,
e as Europa,
bota është koncept,
një popull i mjerë
që për dy dekada mëson
formulen e durimit të pafund,
i persekutuar nga vlerat, nga imitimi,
shpresa dhe e ardhmja që e mashtron,
ashpër dhe egër, egër dhe ashpër,
kombet e mëdha na kontrollojnë
lëvizjet, ejakulimet dhe me gishtin e tyre
të frikshëm në kokën tonë të butë,
na tregojnë definicionin e solidaritetit ,
dikur kishim kërkuar ndihmë,
tani lëpijmë çizmet e çdo urdhëri.
ky është fati,
historia është gjakpirëse në tregun
e popujve të vegjël,
ajo nuk ngopet me heronjë,
përmes të vegjëlve ajo e mban veten
në fron,
kombet e mëdha adhurojnë deklaratat
dhe vendimet primitive,
kështu ata grabisin lumturi dhe të drejta,
egocentrizmi përkufizon flamujtë,
magjistarët dështojnë në Kosovë,
profetët hidhen nga urat,
humanistet qëllojnë me kokë murin,
nënat qajnë kur shohin fytyrat e
pikëlluara të bijve të tyre që adhurojnë humorin,
në horizont duken ca dinosaur
që na tregojnë se çdo gjë është
e thjeshtë, e lehtë,
nuk ka nevojë për kaq shumë dhunë,
gjak dhe kaq shumë marrëveshje,
dhe pastaj çdo gjë shkëputet,
ndalet dhe shuhet. / KultPlus.com