‘Ku shpirti tkurret si fëmija pa nanë, mshefet sikur dreqi n’thyesa’

Poezi nga Vlora Konushevci

Mos i beso zanit tem
S’di gja për rolin që luej
Kjo shfaqje prova s’pati
Skenari ndërron orë e çast
Jam veç nji rrëfimtare
Që besë s’duhet me i zanë
Nisi me i mbledh fjalët nëpër tokë
Nji “durim” këtu, nji “veç edhe pak” aty
Si çorapet e ndyta që mshefen skutave
Ku shpirti tkurret si fëmija pa nanë
Mshefet sikur dreqi n’thyesa
E fati shtegëton tue kërku njerëz
Ma t’ngrohtë e mendje ma t’shëndosha
Se jam publik i fjetun
Për kujtesën e çakërdisun
Në salla t’kirurgjisë
Edhe andrrat janë nemit
Veç ndoj i dekun kalimthi ndalet
Se nxitojnë edhe ata
Pa e ditë se janë personazhe
Të shpikuna të nji imagjinate
T’bujshme që asht tu e lyp
Nji dalje, dalje n’dritë
Dritën e madhe t’mashtrimit. / KultPlus.com

E shtatëmijëta Vlorë

Poezi nga Vlora Konushevci

Jam e shtatëmijëta Vlorë
e Kosovës. Dashnia e mbramë e babës,
andrra e parë e shtrueme me dekë!
Shtatë mijë herë emni më asht thirrë prej
se trungun ma kanë coptue
tue m’ba mbasardhëse të luftës.

Shtatë mijë kangë i kam përkundë në
shtatëqind shpresa valavitun në
shtatë nahi tue lypë strehën
e besës.

Jam e shtatëmijëta Vlorë
e Kosovës e Vlorë në bajrak
nuk kam. Nën mangën e
fustanit t’nanës po tkurrem
mbas çdo vjeshte. Konak i vjershnuem
me dëshira t’humbuna, andrra
t’arratisuna, emna t’lirisë.

Shatë mijë të masakruem në nandorin e lirisë.
Shtatëqind palë eshtna n’Batajnicë prej
shtatë viseve t’ Kosovës ku Vlora
veç emën s’ asht!

Asht tapia e zemrës tem e tandës
asht e nesërmja,
e mbrama
dashni!