‘Copa paqeje’, poezia fituese e konkursit ‘Poezi për paqe’

Poezia fituese e konkursit ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen. Poezia është shkruar nga Vlora Konushevci, e cila mbrëmë e pranoi çmimin nga juria në natën finale të konkursit e cila u mbajt në KultPlus Caffe Gallery.

Në pranverën e vitit ’99 behari
pat harru me çel, tjerat mjegullueshëm i kujtoj
veç territ, shiut, ftohtit e autobombave që
natën shpërthenin n’ Tophane,
podrumin e Rakovicëve në fund të sokaxhikut,
sytë e nanës hamall për lugatët dhe
tankun matanë rrugës.

Në nji çantë shpine pata tregëtu
copa paqeje në fotografitë që i pata mbledh
si guacat në bregdet, me ma kujtu veten se lufta thojshin
të banë me harru kush je.
Bluzës që e mbaja vesh nana ja pat qepë dy jastëk të vegjël
brenda tyne numrat e telefonit
të lirisë, me u gjetë se lufta thojshin
t’i humbë gjurmët.

Çanta jem, mbretnesha e paqes, e kunorëzume
me buzqëshjet në albumin e fotografive,
shtypej, tërhiqej e shtrydhej vagonëve të trenit
për Bllacë, buklore si nji lule e egër plotë jetë,
dimnake e ngulitun pas meje, sfidonte
ngufatjen në vagona si mburojë beteje,
si streha e Rakovicëve, si dielli flakërues
në ledinën fëtyrënamët
t’kufinit.

Si lahuria që u këndon trimave
gjallshëm mbretnesha jem u hap
pasi e pritëm paqen n’kufi
copat e saj i shpuplova
tek ata që
copat e paqes jau kishin djeg,
i ndava
siç i ndan nana kuleçtë e bukës
për t’vegjlit e vet.

Fotografitë nga UNWomen

Juria e konkursit “Poezi për Paqe” shpall dhjetë poezitë finaliste

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes, KultPlus, mbështetur nga UN Women ka shpallur të hapur konkursin “Poezi për Paqe” ku në adresën e KultPlusi-it çdo ditë kanë ardhur një numër i madh i poezive.

Konkursi ishte i hapur për të gjitha poetet gra dhe vajza të të gjitha moshave, dhe komuniteteve në Kosovë.

Aplikimet janë vlerësuar nga juria profesionale e përbërë nga profesori dhe poeti i njohur Sali Bashota, studiuesi dhe shkrimtari Agron Gashi dhe studiuesja dhe gazetarja Jeta Zymberi, të cilët edhe kanë zgjedhë 20 poezitë më të mira.

Autoret e këtyre 20 poezive ditën e martë janë bërë pjesë e një takimi të përbashkët dhe punëtorisë për të elaboruar më shumë mbi poezinë, por edhe për të lexuar poezitë e tyre të cilat janë përzgjedhur si më të mirat e këtij edicioni.

Selektimi i këtyre poezive tashmë ka kaluar në dhjetë prej tyre. Në këtë dhjetëshe janë përzgjedhur: Albina Rushiti, Kaltrina Pacolli, Albana Muja, Vlora Konushevci, Fjolla Avdylaj, Alketa Spahiu, Festinë Avdiu, Tinka Kurti, Diana Basholli, Burbuqe Latifi. (Renditja e emrave është rastësore).

Më datë 6 nëntor, në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery do të mbahet edhe nata finale e konkursit “Poezi për Paqe” ku do të jenë të pranishme autoret e 10 poezive të përzgjedhura. Në këtë mbrëmje poetike, autoret do ti lexojnë poezitë e tyre para të pranishmëve dhe krejt në fund juria do të shpallë vlerësimin për tre poezitë më të mira të këtij konkursit cilat edhe do të shpërblehen nga organizatorët.

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Youth for Kosovo” mbështetur nga UN Peacebuilding Fund, dhe zbatuar nga UN Women, UNDP-UNV dhe UNICEF. /KultPlus.com

Shpallen njëzet poezitë më të mira të konkursit “Poezi për Paqe”

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes, KultPlus, mbështetur nga UN Women ka shpallur të hapur konkursin “Poezi për Paqe” ku në adresën e KultPlusi-it çdo ditë kanë ardhur një numër i madh i poezive.

Konkursi ishte i hapur për të gjitha poetet gra dhe vajza të të gjitha moshave, dhe komuniteteve në Kosovë.

Aplikimet janë vlerësuar nga juria profesionale, të cilët kanë zgjedhë 20 poezitë më të mira.

Autoret e këtyre 20 poezive tashmë janë njoftuar dhe janë ftuar për një takim njoftues dhe diskutim mbi poezinë për paqe. Takimi do të mbahet sot në ora 18:00 në KultPlus Caffe Gallery.

Këta janë emrat e përzgjedhur: Albina Rushiti, Kaltrina Pacolli, Albana Muja, Raindonna, Vlora Konushevci, Shqipe Hasani, Veronikë Bucinca, Alketa Spahiu, Zana Pira, Halime Olluri, Festinë Avdiu, Tinka Kurti, Arta Maxhuni, Violeta Berisha, Diana Basholli, Fjolla Avdylaj, Fjolla Rabi, Flora Halimi, Burbuqe Latifi dhe Hatixhe Misini. (Renditja e emrave është rastësore).

Nga këto 20 poezi, juria profesionale do të bëjë edhe një selektim, ku do të zgjedhë 10 poezitë më të mira të cilat do të lexohen në një ngjarje të veçantë që do të mbahet shumë shpejt. Krejt për fund do të shpallen edhe tre poezitë më të mira të cilat do të shpërblehen nga organizatorët.

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Youth for Kosovo” mbështetur nga UN Peacebuilding Fund, dhe zbatuar nga UN Women, UNDP-UNV dhe UNICEF. /KultPlus.com

Edhe tri ditë kohë deri në mbyllje të konkursit të poezisë “Dita e Paqes”

Në vitin 1981 Kombet e Bashkuara shpallën 21 shtatorin si “Dita e Paqes,” datë e përbashkët për angazhim global mbi ndërtimin e një kulture të paqes.

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes, KultPlus, mbështetur nga UN Women ka shpall të hapur konkursin “Poezi për Paqe” ku çdo ditë vijnë poezi nga më të ndryshmet. Tashmë kanë mbetur vetëm edhe tri ditë kohë për të gjithë ato që mendojë të bëhen pjesë e garës.

Konkursi është i hapur për të gjitha poetet gra dhe vajza të të gjitha moshave, dhe komuniteteve në Kosovë. Aplikimi për këtë konkurs bëhet përmes dërgimit të një poezie autoriale në adresën [email protected], me subjektin “Konkurs: Poezi për Paqe.” Aplikimet do të vlerësohen nga një juri profesionale, ku do të zgjedhen 20 poezitë më të mira.

Autoret e këtyre 20 poezive do të ftohen në një punëtori të shkrimit të poezisë dhe shkrimit kreativ, ku do të pajisen me njohuri shtesë për shkrim kreativ. Nga pjesëmarrëset e punëtorisë pritet shkrimi i një poezie mbi paqen. Juria profesionale do të zgjedhë 10 poezitë më të mira të cilat do të lexohen në një ngjarje të veçantë dhe do të publikohen në KultPlus.

Tre poezitë më të mira shpërblehen nga organizatorët. Thirrja do të jetë e hapur deri më 12 tetor 2019. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Youth for Kosovo” mbështetur nga UN Peacebuilding Fund, dhe zbatuar nga UN Women, UNDP-UNV dhe UNICEF. /KultPlus.com