Njerëz të zbrazët

Njerëz të zbrazët
Mistah Kurtz, ai i vdekur 1
Një qindarka për një burrë të vjetër 2

I
Ne jemi njerëz të zbrazët
Ne jemi njerëz të mbushur
Përkulur së bashku
Kokën plot kashtë. Alas! 3
Zërat tanë të ngjirur
Edhe kur pëshpëritim
Janë të qetë e pa kuptim
Si era në barin e thatë
Apo këmbë minjsh gjirizesh mbi xhama të thyer
Në bodrumin tonë të thatë.
Figura pa forma, hije pa ngjyra,
Forcë e paralizuar, gjeste pa lëvizje
Ata që kanë kaluar
Me sy drejtpërdrejtë
Në atë mbretërinë e vdekjes
Na kujtoni… nëse jo gjithmonë… tash sa s’kemi humbur
Shpirtra të dhunshëm
Si njerëz të zbrazët
Si njerëz të mbushur
II
Sytë s’guxojmë t’i takojmë as n’ëndrra
Në mbretërinë e ëndrrave vdektare
Këto nuk dihen:
Atje janë sytë
Rrezet e diellit mbi kolona të thyera
Nuk ka lëkundje pemësh
Edhe zërat
Mes të kënduarave të erës
Janë më të largëta e më solemne
Se sa yjet që veniten
Mos më lër të afrohem
Në mbretërinë e ëndrrave vdektare
Më lini të vishem

Të maskohem qëllimisht
Me pallto minjsh gjirizesh, me lëkurë sorrash,
që t’u shmangem pengesave
Në një fushë
Të sillem siç sillet era
Pa u afruar
Jo në atë takimin e fundit
në mbretërinë e muzgut
III
Kjo është tokë e vdekur
Kjo është tokë kaktusesh
Këto pamje të gurëzuara
Janë ngritur
Që të marrin lutje nga dora e njeriut të vdekur
Nën vezullimin e një ylli të venitur
Kështu e ka
Në mbretërinë vdektare
Zgjohesh vetëm
Në kohën kur ne jemi duke u dridhur me butësi
Buzët që do të puthnin
Nga lutjet te gurët që zhgurëzohen
IV
Sytë nuk janë këtu
Nuk ka sy këtu
Në luginën e yjeve të vdekur
Në luginën e zbrazët
Veç nofulla të thyera të mbretërive të humbura
Në pikëtakimin e fundit
Prekemi bashkë
E i shmangim bisedat
Të mbledhur të gjithë në plazhin e lumit të fryrë
Të verbër
Po s’na u shfaqen sytë
Si yll i përjetshëm
Trëndafil Multifoliat 4
I vdekjes në mbretërinë e muzgut
Vetëm si shpresë
E njerëzve të zbrazët

V
Ja ku shkojmë rreth pemëve me gjemba
Dardha gjembore, dardha gjembore
Ja ku shkojmë mes dardhave gjembore
Që në pesë të mëngjesit
Mes ideve
Dhe realiteit
Mes lëvizjeve
Dhe veprimeve
Bije hija
Sepse e jotja është kjo mbretëri
Mes konceptit
Dhe krijimit
Mes emocionit
Dhe përgjigjes
Bije hija
Jeta është tepër e shkurtër
Mes dëshirës
Dhe vrullit
Mes efektit
Dhe ekzistencës
Mes ecencës
Dhe rënies
Bije hija
Sepse e jotja është kjo mbretëri
Sepse është e jotja
Kjo jetë
është e jotja
Kështu përfundon bota
Kështu përfundon bota
Kështu përfundon bota
Jo me zhurmë, por me rënkim

Nga: T. S. Eliot
Përktheu: Rrona Jaka

Shënime:

1 Referencon novelën “Zemra e errësirës” ku karakteri kryesor Marlou e quan këtë tipin si njeri pa moral e
humanitet. Apo siç e quan Marllou si njeri i zbrazët, më saktë “hollow to the core”.
2 Referencon plakun Karon i cili për një monedhë u ndihmonte të vdekurve që të kalojnë lumin e Hadit
Gjithashtu ka të bëj me “gunpowderplot” ku ky farë Guy Fawkes përdor pluhur baroti për ta shpërthyer
parlamentin e mretit Xhejms I. Tradita na tregon se, tash, me 5 nëntor, fëmijët kërkojnë një monedhe për të
financuar këtë projekt shkatërrues
3 Pasthirrmë që tregon mjerim, keqardhje apo shqetësim.

4 “Multifoliate” është një lule me shumë petale. Me anë të kësaj Elioti referencon Danten dhe lulen që gjendet
në rrethin e fundit të parajsës. Kjo lulja simbolizon parajsën kurse petalet e saj janë njerëzit.

Hymn jetës

Jeta nuk është shaka e shtrenjta ime.
Merre seriozisht.
Ashtu siç bën me të një ketër, përshembëll
i cili nuk pret asgjë
nga kjo jetë jo e jo, po as nga tjetra.
e kështu nuk të mbetet gjë tjetër, veçse ta jetosh.
Jeta nuk është shaka, e shtrenjta ime.

Merre seriozisht,
aq seriozisht:
si para togës së pushkatimit
me duar lidhur,
si në laborator
me bluzën e bardhë e syze pune.

Ti po vdes që të jetojnë gjithë njerëzit mbi tokë
më mirë,
dhe ato që as një herë si i ke parë me sy
e ndërsa je duke vdekur, mëson
se nuk ka gjë më të bukur e më të vërtetë se jeta.

Merre seriozisht jetën, e shtrenjta ime
Aq seriozisht,
sa në moshën shtatëdhjetvjeç, fillo e mbill ullinj;
jo se mendon se do ti gëzojnë fëmijtë e tu
por ngaqë nuk i beson vdekjes
edhe se i tutesh ca,
vetëm kështu jeta do të peshojë
më shumë se një mal në peshore.

Poezi nga: Nazim Hikmet
Përktheu: Petrit Sulaj

Kujtim për Marie A

Bertolt Breht
Përkthyer nga Petraq Kolevica

Në atë ditë të muajit blu shtator,
Nën atë pemë kumbulle të re,
E mbaja atë, të zbehtën dashuri, të qetë,
Në krahët e mi si ëndërr plot hare.
Dhe sipër nesh, n’atë qiell të bukur vere
Qëndroi një re, që e pashë gjatë atje,
E bardhë, e bardhë ish, dhe tepër lart ish ngritur
Kur desha prapë ta shoh, në atë vend më s’qe.

Prej asaj dite shumë e shumë muaj
Kaluan e u shuan s’di se si.
Dhe vetë kumbulla do jetë prerë,
E po më pyete ç’u bë kjo dashuri?
Ja ku të them: tani nuk më kujtohet,
E di, megjithatë, ç’mendon dhe ti qyshkur,
Po unë fytyrën vërtet e kam harruar,
Veç një gjë di: e putha atë dikur.

Dhe puthja vetë krejt do të ish harruar
Po të mos kishte qenë ajo re,
Atë kujtoj dhe kam për ta kujtuar
E bardhë qe dhe erdh që lart te ne.
Sot, ndoshta, prapë kumbulla ka çelur,
Ajo sot ndoshta ka të shtatin kalama;
por reja atje u shfaq  veç ca minuta,
kur ngrita sytë ta shoh, nga era u shpërnda. / KultPlus.com

Ishujt fatlumë

Fernando Pesoa

Cili zë vjen mbi tingullin e valëve
Që nuk është zëri i detit?
Është zëri i dikujt që na flet,
Po, nëse nderim veshin, hesht,
Pikërisht sepse zumë të përgjonim.

E vetëm nëse, gjysmë të përgjumur,
Dëgjojmë pa e ditur që dëgjojmë,
Ai na flet për shpresën
Drejt së cilës, si një fëmijë
Që fle, duke fjetur buzëqeshim.

Janë ishuj fatlumë,
Janë toka që nuk kanë vend,
Ku Mbreti jeton duke pritur.
Por, nëse atje shkojmë duke u zgjuar,
Hesht zëri; dhe mbetet vetëm deti.

Përkthyer nga Ajsela Koka

Gjyshi e kujton Pjetër Bogdanin

Nga Hasan Dajaku

Tivar e Shkup,
Lezhë e Prishtinë
Ia njohin vlerën
Dhe mençurinë.

Shtegtonte si shqipe
Nëpër këto troje,
E mblodhi dijen
Si mjaltë në hoje.

Perlat i dijes,
Perlat i fesë,
I digjte armiqtë
Me flakë të rrufesë.

Në Ballkan atëherë,
(Edhe në Kosovë)
Lufta për çlirim
Pat marrë hov.

Në ballë të trimave
Ky perlat i ndritur,
Lum Guri i Hasit
Që e kishte rritur!

Lum bëj për të!
Për këtë pishtar drite,
“Çeta e Profetëve” –
Xhevahir rrite;

I rritës shqiptare,
I rritës shpirtërore,
Është diell i madh
I shenjtërisë njerëzore!

Shenjtëria një ditë
Terrin do ta mundë,
Paqja mbi dhe
Do të mbretërojë gjithkund.

Edhe në Ballkan
(Në këtë det me dallgë),
Do të mbretërojë
Shenjtëria e bardhë!

Do të kujtohet
Koha e prishtë:
Kur fqinji – fqinjin
E qëllonte thikë!…

Do të kujtohen
Si në përrallë,
Kohërat e egra,
Kohërat rrangallë!…

_____
Nga vepra “Gjyshërit e Kosovës” – Hasan Dajaku. / KultPlus.com

Kur koha s’matet

Nga Nezir Kraki

T’shkrime t’du,

T’habitun e t’humbun

Diku n’mes frikës e knaqësisë,

larg t’vërtetës,

larg rutinës,

larg botës… larg vetmisë.

T’gzume t’du,

T’lirë e t’buzëqeshun

Diku n’mes dëshirës e dyshimit,

larg t’shkumes,

larg t’tashmes,

larg t’ardhmes… larg pendimit.

T’knaqne t’du,

T’lodhun e t’heshtun

Diku n’mes guximit e ligësisë,

Aty ku ëndrra jetohet,

E koha s’matet,

Aty ku trupi është rob i lirisë.

Nezir Kraki / 25 maj 2019 / KultPlus.com

Ditëlindja

Poezi nga Agim Vinca

Në Paris, rastësisht, i mbusha pesëdhjetë e sa vjet.

Tani jam një vit më i madh se Naimi,

dyfish më i moshuar se Migjeni

dhe – mjekërbardhë si Lasgushi.

Për ditëlindjen time

pimë nga një gotë verë

me Veronikën nga Kili

dhe Mihain nga Bukureshti.

Ç’rastësi !

Të tre kemi njohur nga një diktaturë

(unë dy a tri)

dhe kemi ëndërruar botën e lirë.

I cakërrojmë gotat dhe themi:

Gëzuar!

Secili në gjuhë të vet;

në Paris, në botën e lirë

(A thua, vërtet?)

Në ditëlindjen time të njëqindepesëdhjetë !

(Paris, 22 maj 2002)

ANNIVERSAIRE

C’est à Paris, curieux hasard, que j’ai atteint la cinquantaine.

Cela me fait, à présent, un an de plus que Naïm,

le double de l’âge de Migjeni, quand ils moururent,

et déjà la barbe blanche de Lasgush.

J’ai fêté cet anniversaire en buvant un verre de vin

avec Véronique, la chilienne,

et Mihai, venu de Bucarest.

Curieux hasard, en effet!

Nous avons vécu, tous trois, sous une dictature,

(plus d’une même, pour ma part),

et rêvé d’un monde libre.

Nous trinquons donc, en lançant le mot

«santé»,

chacun dans sa propre langue.

Et cela au coeur du monde libre

(libre, dis-tu, pour de bon ?)

Le jour, en somme, de mon cent-cinquantième anniversaire !

(Përktheu: Aleksander Zoto) / KultPlus.com

Çast lamtumire

Poezi nga Mitrush Kuteli

Pra, bir, mos qaj: ky është ligji i qënies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz
Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar
Të mosqënies.

Ku janë ata që patën qënë? Shkuan
Atje ku qenë – lanë prapa tyre
Një tingull n’erë, shuar dalngadalë,
Si çdo qënie.

Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tonë
Urdhëronjës.

Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.

Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh
Pa keqardhje.

Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qënë ëndra ime: shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.

Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!/KultPlus.com

Më i keqi analfabet është analfabeti politik

Bertolt Brecht

Më i keqi analfabet
është analfabeti politik.
Nuk dëgjon, nuk flet
në ngjarje politike pjesë nuk merr.
Ai nuk e di se çmimi i jetës
çmimi i fasuleve, i peshkut,
i miellit, i qirasë, i këpucëve
dhe barnave
nga vendime politike varen.
Analfabeti politik është aq kafshë,
sa shet edhe mend e fryhet si gjel
kur thotë “e urrej politikën”
Por është i trashë dhe nuk e di trapi,
se nga padija e tij politike
çfaqen kurvat, braktisja e të miturve,
grabitësit dhe më i keqi i të gjithë horrave,
që është politikani i pandershëm,
mashtrues dhe i korruptuar,
që lëpin këmbët e ndërmarrjeve kombëtare dhe atyre shumëkombëshe./KultPlus.com


Përktheu: Maksim Rakipaj

I këndoj nji toke të vjetër

Poezi nga Ha Jin
Përktheu: Vlora Konushevci

I këndoj nji toke të vjetër
ku perënditë janë strehu nën tokë,
ku idhujt njerëzorë e bajnë kurban njeriun,
ku urrejtja e udhëheq biznesin e filantropisë,
ku dragonjtë flakërues terrojnë fantazmat e dëmtueme,
ku heshtja e buzëqeshjet janë shtigje t’mençunisë,
ku fjalët imitojnë shtiza e shpata,
ku e vërteta asht gjithmonë nji legjendë e përgjakshme.

Ju flas për nji tokë të vjetër
jo prej dashnisë a mrekullisë.
Ashtu si paraardhësit e mi, që u përhapën në furtuna të tymosuna,
u përpjekën me u largu prej shtëpisë
ose u ngutën drejt anmiqve që afroheshin,
unë jam pjesë e atyne që ikën e u kthyen,
që u zhdukën në toka tjera
pa pasë asnji shpresë veç kambënguljes, pa nder veç rrëfimit,
pa pasuni veç prindve e fëmijëve,
tue këndu nji mallkim të përjetshëm,
nji mallkim që na ka lidh bashkë
e na ka rranjos thellë në rrënojat
e atdheut tonë.

E preki atë tokë natën –
Duart e mija gjurmojnë hartën në mur,
prej maleve tek fshatnat e lumenjtë,
prej fushave tek qytetet e brigjet.
I shoh fushat e gjelbërta të Jugut,
tokën e errët e pyjet e thuprueme të Veriut,
dhe borën që shakullinë n’ verë.

E andrroj veten në atë tokë,
jo për lumtuni apo korrje.
Andrroj me vuejt bashkë me popullin tem,
me kanë i mirëkuptuem e i dobishëm,
me m’lanë rahat e me mujt me flejtë,
fëmijët me ma refuzu atdheun
që mos me e përsëritë jetem tem,
me folë e me ecë me miq,
me e kry punën e me dekë me lehtësi.

Vajtoj për nji tokë të vjetër,
për ngushtësinë e saj t’pafundme,
për budallakun e saj të thellë,
për kaosin dhe kambënguljen e saj,
për fuqinë e saj me e pushtu sojin tem
me na hangër për së gjalli
me na i zaptu zemrat e grykat
e me na i përzie ofshamat me kangë-

kangë të dinjitetit të përçudnuem
e përkushtimi të pamëshiruem,
këngë që janë çmend prej epokave të asaj toke.

Xuefei Jin është poet e shkrimtar amerikano-kinez që shkruan nën emrin Ha Jin. Poezia e tij lidhet me lëvizjen e Poetëve të Mjegullës “Misty Poets”, lëvizje kjo e përbërë nga një grup poetësh kinezë të shekullit të 20-të që reaguan kundër kufizimeve mbi artin gjatë Revolucionit Kulturor. Shumica e tyre u shpërngulën pas protestave të Sheshit Tiananmen në vitin 1989.

Ha Jin është fitues i shumë çmimeve letrare siç janë:  Flannery O’Connor Award for Short Fiction (1996), Hemingway Foundation/PEN Award (1997), Guggenheim Fellowship (1999), National Book Award (1999),  PEN/Faulkner Award (2000), Asian Fellowship (2000–2002), Townsend Prize for Fiction (2002), PEN/Faulkner Award (2005), Fellow of American Academy of Arts and Sciences (2006), Dayton Literary Peace Prize, runner-up, Nanjing Requiem (2012).

S’flas!

Poezi nga Rinor Murati.

S’flas se ngurrojë,

Ngurrojë t’tregoj për poshtrimin që m’bëhet,

Për anashkalimin tim nga “të fuqishmit”,

Anashkaluesit.

S’flas!

S’flas për fjalët që më rëndojnë çdoherë,

Për sëpatat pa teh e që thumbojnë shpirtin tim dita ditës,

Që më vrasin çdo sekondë të jetës sime.

S’flas!

S’flas se kam frikë të flas,

Kam fobi prej të të shprehurit të asaj se çfarë rënkon shpirti im,

Ky shpirt me jetë, pa jetë.

S’flas!

S’flas se s’kam përkrahje,

Ndoshta, përkrahje kam, po s’kam fuqi t’a kërkojë atë,

Nuk mundem thjeshtë dhe kaq!

Për atë s’flas,

S’flas se s’kam jetë po qe se flas,

Se pastaj, do jem shënjestër,

E ashtu s’mundem.

S’flas!

Se po që se flas shpirti im nuk do ketë se nga çfarë të rënkojë,

E ky shpirt pa rënkim nuk është msu,

E ashtu, nuk mundet me jetu. / KultPlus.com

Çelësat mos i merr asnjë, dhe largohu…

Arbër Selmani

Të parën, merre vazon e kaftë
merre edhe atë afër saj, vazon me motive orientale që u bë copë kur nisën grindjet tona
merri dy jastëkët ku zunë vend dy koka boshe
merri pjatat që na dhuruan 
në ditëlindjen e tretë
të fëmiut tonë të parë 
Merre aparatin e hekurosjes, 
që kurrë nuk e zbuti zemrën tënde të zezë si mustaqet e Hitlerit
merri patikat e verës, sandalet e pranverës, fustanet, syzet, setrat, të brendshmet, intimet, kukullat
merri dy goblenët që i blemë në Taksim
merre kasafortën e kursimeve, ku nuk kurseve kurrë pak lumturi
ku nuk na kurseve as mua e as ty.
Diplomën e Fakultetit të Drejtësisë
fjalës që ti ia humbe kuptimin
sinonimet, esencën
e ke poshtë tepihut
merre
shih si shkëlqeve në secilin provim, në secilën datë shkollore
në çdo definicion
pos në definimin e asaj çka ishte mes nesh.
merre atë pleh letre
merre edhe tepihun e korridorit

merri pikturat që nuk i dalin ballë shoqja shoqes
e majta, lule e Van Gogut
djathtake, Guernica

urrehen, duan të dalin prej kornizave e ta plasin njëra tjetrën
Si unë e ti.
Merri çadrat e ditëve tona pa Diell
merri shallat e kashmirit që ti bleva në Strasburg
merre radion e vogël, dhuratën time kur të ngritën në pozitën e punës
merri të gjitha këmishat
të gjitha ngjyrat që prapë nuk e dritësojnë shpirtin tënd 
të thatë, 
si jogurt me datë të skaduar
merre pasaportën, anipse nuk të hyn në punë
se nuk ka shtet në botë që pranon dokument kaq të rënduar prej trishtimit
e ke poshtë televizorit,
në raftin e dytë
zbrazi të gjitha raftet e dollapit
të cilin s’ta jap dot se e bleva për shtatë palë qejfe.

Merri lapsat, fletoret
çantat
faturat e energjisë elektrike, e papaguar prej kur morri fund lufta
faturat e bërllogut, 
faturat e ujit, ujit që për të mirë nuk të lau kurrë.
merri erëzat e mëlmesat e shafranit,
unazat qesharake,
merri kartolinat

deodorantin që kutërbon qen i ngordhur
merr gjithçka që është e jotja
gjithçka që ti mendon se është e jotja dhe e ke përvetësuar,
Merri copat e metalta me të cilat mendon se po kërkon falje
futu në dhomë, merre llambën që e blemë bashkë, 
ditën e katërt kur nisëm bashkëjetesën
jetesën e zymtë së bashku
bashkimin e dërrmuar të dy jetëve
merre çdo libër që e lexova 
merre edhe këtë televizor
që u bë dëshmitari gojëmbyllur, shurdhi e memeci i shtëpisë
i kacafytjeve tona
merri krejt drojat tua për divorc
merri ëmbëlsirat që këtë mëngjes t’i përgatita me përulje,
merri targat e vjetra të veturës së vjetruar 
merre tavolinën
merre çdo fjalëkryq të paplotësuar
merre shtypin ditor
merri revistat pornografike poshtë orendive shtëpiake
merri makinat për rroje
që pa sukses provuan pastërtinë e atij trupit tënd
merri fotografitë tua prej albumit familjar
merre buzëkuqin e kalbur,

çelësat, as mos guxo,
mos i merr asnjë, 
dhe largohu.

Atdheu

Poezi nga Fatos Arapi.

Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi
E mban – dhe të mban ty në shpirt.

Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe se ka ndën këmbë.
Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar.
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.
Atdheu është buka e uritur.
Të ikën nga duart e dot nuk të ngop
Ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur
Me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

Atdheu është varr i hapur, është varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që lind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë.
Në një pikë loti lirinë e lind.

Atdheu yt i vogli, i vogli
ai hyjnori i pavdekshmi si loti. / KultPlus.com

Cilin vagon të parin ta mallkoja?!

Poezi nga Mentor Mani.

Rebesh lotësh me kokën pas kthyer
Më ngulfiste aroma e lamtumirës
Binarët mallkonin motin e ligë të çakajve
Mbi supe trastat mbushur me dhimbje

Ngarkova pak dhe në vend të kujtimeve
Në rigën e shiut ta bëja baltë t’vendlindjes
Diku në vagon ishte ulur Lindita
Atë do ta quaja dielli i vendit tim

Por rrugët na u prenë…
Dy dhimbje më thumbonin në plagë
Ëndrrat treteshin në rrugën gjarpërore
Kosova jonë zhdukej në tym e në flakë

Nga dritarja e trenit  në harkun e Bllacës
Vagonat e zinj një nga një numëroja
Gulçimin në vaj s’e përmbaja dot
Cilin vagon të parin ta mallkoja?!  / KultPlus.com

Kantatë për dy zana dhe Agim Ramadani

Nga Halil Matoshi

Si sot, 20-vjet përpara, Agimi i ra gurit t’kufinit,
E ka me qindrue aty deri në fundin e kohës…

Stinët. Fundi

(Kantatë për dy zana dhe Agim Ramadani)

Zani –I-

Poeti sapo e kish gjetë lirinë artistike
Dhe po përballej me dimensionet e saj
Kur muzat i thanë: Po t’ish qielli kopsht
E retë gjethe…
Yjet kishin me kenë portokalle
Me i kputë për qef…

Zani –II-

Luftëtari sapo e gjeti arsyen e t’jetuemit 
Flamur mjesesh t’bardha me u ba…
Mija shigjeta mesjetare u nisën kah ai ditën me ia vërbue
E natës tina me zjarr me i vù!

Zani –I-

E shpirti i lirë i poetit po bridhte si hije e bardhë 
nëpër fushat e atdheut të sheklun nga qizmja e zezë.
I vetëdijshëm për estetikën e pranisë së mungesës 
se qielli s’â kopsht
retë s’janë gjethe 
e yjet s’janë portokalle
dhe s’ka me i k’putë kurrë njeriu qefli
Me i pa janë bâ
jo me i prekë

Zani –II-

Luftëtari për inat tha: Kam me e ndjek yllin tim të fatit
Dhe u nis në rrugëtimin e tij të fundit që plak shekujt

Se yjet kur të piqen e të bien
S’âsht stinë portokallesh
Âsht fundi i kohës…

Nga atdheu s’lypi asgjâ pos me iu bâ plaf dhe me luejt
me ato portokallet estetike qe me i pa janë bâ…
pa t’papamuna thjesht njerëz të mundun me trishtim në sy 
flakëve të luftës u përballi heshta fjale
anmikut zemërimin e shekujve
pak çaste para se me flatrue nalt’ 
ai pa thjesht njerëz të lirë
dhe buza i shkoi n’gaz e tha: Këtë andërr e kam pa ni jetë njeriu!

Të dy zanat bashkue në duet:

Liria âsht vepër arti që ngjizet në dejet e gufueme t’gjakut
Pa tundim ia falim kësaj toke si me mbjellë e ujit lule…

Agim Ramadani tha:
Poet jam e s’munem me pa lisa të perkulun tuj gjemue përball veriut…
Luftëtar jam dhe due me ia fal emnin ditëve të mbështjelluna me zi.
Përballja jeme epike ka me ia pëlcit damarët Fatherlandit 
Dhe stërkalat me qiellin kanë me u bashkue …
E terri ka me u tërhjekë
Siç terheq anmiku kufomat…

Nga rrashta jeme flaut kam me bâ
Në simfoninë e Shtatë të Bethovenit
Dhe në Oden e gëzimit kam me qenë ni zâ!
Himn i të munduarve që ka me jehue përtej historisë së botës
Me jehun e ernave e zukatjen e bletëve, 
me ciërrima trumcakësh e vaje bylbylash 
ka me u bashkëdyzue 
ni fëmijë kam me marrë përdore me e ngjit tek yjet përmi Kosovë
e kam me u dhanë emën tana ditëve prej këtu e deri në fundin e kohës…

Poezi nga Frederik Rreshpja

Frederik Rreshpja

***
Kur ishim të vegjël
i shkruanim njëri-tjetrit nëpër avionë prej letre.
Tani avionët janë prej duralumini,
po të tërë janë bosh.

Je ftohur nga drurët, metalet dhe retë,
lartësive të mëdha.

Këto shpikje na ndanë;
Ishim aq mirë kur qemë të vegjël,
nuk na duheshin hapësirat dhe largësitë.

Bëje një letër, po jo prej duralumini:
Kam nevojë për ty, jo për metalet.

Gjaku i zi

Poezi nga Ali Podrimja

Kafshën e ka zënë Gjaku
Gjaku na paska zënë bre
Kafshën

Po brisku more na ra në Dri
e Vala
ku e qiti

Si t’i bëhet memecllëkut
kur edhe Dheun
na mori ngryk mortja

Pa cofur Gomari
s’e shohim
Majën e Pashtrikut

‘Nëse sëmundja vjen tek unë…’

Më prit se po vij shpejt

Poezi nga Dritëro Agolli

Nëse sëmundja vjen tek unë,
Ju mos më shpini në spital,
Më merrni fshehur e pa zhurmë,
Më ngjitni lart diku në mal.

Atje dyshek e shtrat nuk dua 
Dhe as çarçaf e as jorgan,
Por tek një çezmë e tek një krua
Më shtroni dushk e jargavan.

Ma lidhni kokën me një kulpër,
Ma njomni buzën në burim ,
Dhe kur të vijē andej një flutur
S’ka gjë se rri mbi ballin tim.

As infermier nuk dua pranë,
As nevrolog , as profesor ,
Të kem përkrah një dash të bardhë,
Të kem përbri një cjap përçor .

Të m’i lëpijë faqet dashi,
Të qajë cjapi laraman,
Ta ulë sqepin shpejt larashi
Me mors të japë telegram .

Të presë plot trishtim fshatari 
Në shkop mbështetur me mërzi,
Duke përtypur fije bari,
Duke këputur kullumbri.

Nga guvë e lisit të moshuar
Të derdhet bleta gjithë zgjim ,
Mbi trupin tim e turbulluar 
Si lëmsh të sillet me tërbim.

Të ndalet udhëtari i mirë,
Të pijë heshtur një duhan ,
Të thotë: mjaft qëndrove shtrirë,
Për ty e gjora rrugë qan!

Dhe, ju betohem, po s’u ngrita
I madh , i bukur, plot shëndet,
Dhe rrugës sime nga u nisa
T’i them: më prit se po vij shpejt!…

1963

Një heshtje e bukur

Poezi nga Ndoc Gjetja.

Ka heshtje që na thonë gjëra të bukura,
si për shembull fytyra e gruas
në orët e vona të natës
kur e pagjumë numëron me vete
ditët e fundit të barrës.

Ec e thuaj po munde këtë heshtje
ti, muzikant, me nota
ti, piktor, me ngjyra
ti poet me vjersha
dhe ti, aktore e famshme
me gjeste dhe fjalë !

Për ta thënë duhet të jesh
nje grua shtatzënë
domethënë
dyfish e gjallë.

Përhënie

Poezi nga Mirko Gashi

Në dreq të mallkuar
me drapërin e hënës së re në rërë
mjellmën e argjendtë e kanë prerë
Mes brigjeve uji
shtatë diej fundosi
dy hëna nusërore varrosi
Mjellma e zezë
dhe ajo e bardhë
mua më kerkojnë
pas hënës së re
të zi ose të bardhë
Dhe mbaj në mend
kur hëna bashkohet
dhe hëna në det fundoset
ai do të rritet tatëpjetë baticës
Vdekja dhe jeta
shetisin dorë për dore
si binjakët që shkojnë në shkollë ujore
për të mësuar
pse vlon qumështi në gjirin e nënës
qysh zgjohet deti në prehërin e hënës
në baticë
kërkojnë fytyrat tona të humbura
e ti lule
zhvisheshe ngadalë
ata duruan të të shohin
durimi
është kufiri i menqurisë dhe çmendisë
I përngjan hënës
e nënës
ai është limani
i fundit i mirësisë
O Zot
droj
se do t’i prejnë
rrezet e Hënës
si do ta luajë atëherë
elegjinë për dëmin
në lyrën time pa tela
Hëna drapër
korrte valët e detit
Njeriun e pret korrja
ai gjuan draprin e hënës
Në krahërorin e jevgut
e krisur
hëna dënes
Njëherë marama të bëhet e mbrama
mbaron loja
do të jetë Hëna
do të ketë rreze
të mbyllet syri
të pushon goja.
Hëna lëshoi rrjetën
qyteti vazhdoi jetën
Në prehërin e hënës
sa e lumtur
më ishte jeta
edhe në shpirtin tim
tashti zbriti bleta.
E unë e hëna vajtojmë
luajmë etida
ç’u bë nisia
Ku është Atlantida
Troku i kalëfuqive
buçet
Korbat nëna
e çalë hëna
do të vyshken
burbuqet
Ji i gëzuar
mos rri me lot
sonte niset hëna e plotë
Nëpër guaca po fle gaca
sonte niset hëna e plotë.

Përgatitje për udhëtim

Poezi nga Shkëlzen Halimi

Do ta pikturojmë stinën pa emër

Dhe heshtjes do t’ia vjedhim përjetësinë

Do ta përmbysim edhe dhembjen

Duke zbritur shkallëve pa fund që çojnë drejt botës

Ku plagët bëhen tunele

Me kujtesën dritë në fund të udhëtimit

Nuk e kemi thënë fjalën e fundit për atdheun,

Lirinë dhe dashurinë

Do të qëndrojmë në këmbë

Dhe do të luftojmë me valët e jetës

Në brigjet e Bosforit

Në hejbe do ta fusim gëzimin,

Albumin e kujtimit dhe pamjen e qiellit

Arkën e vogël të shpresës

Me lulet plastike do ta ngjallim stinën e plagosur

Që e mori emrin e dhembjes

Në këtë rrugëtim të kemi kujdes nga kthesat

Se në to mund të fshihet terri me plot pabesi

Të ikim sa s’na ka zënë vërshimi i urrejtjes

Të ikim nga kjo zagushi

Se kudo që të na zë nata

Terri do të na bëhet mbulesë shtrati

Na ka ikur mëngjesi bashkë me pagjumësinë

Vetëm ëndrrat na i kthejnë

Pamjet e harruara dhe fanarin që ndriçon

Rrugën e dhembjes

Rrugën e lotit

Sa shpejt që na ik koha

E dashur, t’ia fillojmë luftës

Se mund të vdesim në harresën

E ushtarit të panjohur

Dhe kur të dalim përtej

Do ta pikturojmë stinën pa emër

Me ngjyrat e errësirës

Prandaj, të ikim sa nuk janë zgjuar rrënjët e dhembjes. / KultPlus.com

Banorët e qytetit tim

Poezi nga Edi Shukriu

Dielli mbi Pashtrik
i Zjarrtë
përgjak qiellin e dridhmuar

Qytet i ndriçuar i udhëkryqeve
ç’festë feston?

Mirë e di se fitorja s’vjen
pa gjak e gjakderdhje – 
thellë në tokë janë
nisma që s’u harrua kurrë
e vajtimet e nemitjet
që s’i zunë dot arkivat

Sa foshnje i ke gurthemel
Qyteti im

Sa nëna i ke varrosur
në flijim

Sa palë sy t’u mbyllën
duke jermuar ujin e Shatërvanit
që robëron shpirtin
kudo e kahdo që të jesh

Mbi çdo rrugë e rrugicë
u rrijnë mbi kokë
frymët e frymëmarrjet e kohërave
që shtrihen të shtrira
me Urti mbi supet
të gjumit të shkëmbinjve
e flauron mbi lerana

Qetë shfletohet libri i kohës
se 
monumentet janë guri
dhe buka
djersa 
dhe shpresa
e banorëve të qytetit tim

Sunduesit, po,
i merr furtuna

Dielli shikon në perëndim
se si vdekjen e mashtron

(NËNQIELLI, Rilindja, Prishtinë, 1990)