Përmbi çdo maje mali Ka qetësi: Mbi asnjë maje mali Asgjë s’lëviz, As pipëtin; Në pyllin zoqt’ e vegjël po pushojnë: Prit pak, se shpejt a vone Gjen qetesi dhe ti./ KultPlus.com
Të mos kuptohemi është e tmerrshme – të mos kuptohemi e të mos përqafohemi. Por megjithëse e habitshme është po aq e tmerrshme, po aq sa të kuptohemi për gjithçka. Plagosemi megjithatë. Dhe, i fiksuar nga një njohje fillestare, shpirtin tënd të butë s’do ta ofendoj me keqkuptim dhe as do të vras me kuptim./ KultPlus.com
Krejt e doni një gru’ të fortë derisa s’çohet n’kambë i kallxon muskujt e lëshon zanin. Paprit’ bahet e tepërt. Harron ku e ka vendin. Krejt i doni këto gra si ide, fantazi. Jo si qenie që rrnojnë e marrin frymë e janë ma të mira se që keni mujt’ me qenë ju najherë. / KultPlus.com
Ti meriton një dashuri që të të dojë edhe të pakrehur, me të gjithë arsyet që të bëjnë të zgjohesh herët, me të gjithë demonët që nuk të lënë të flesh.
Ti meriton një dashuri që të bëjë të ndihesh e sigurtë, në gjendje të hash botën, kur ecën pranë tij, që i ndjen përqafimet e tua si perfekte në lëkurën e tij.
Ti meriton një dashuri që do të kërcejë me ty, që gjen parajsën çdo herë që sheh drejt syve të tu, që nuk mërzitet asnjëherë duke lexuar shprehitë e tua.
Ti meriton një dashuri që të dëgjon teksa këndon, që të mbështet kur bën budallaqen, që të respekton si qenie të lirë, që të shoqëron në fluturimin tënd, që nuk ka frikë nga rrëzimet.
Ti meriton një dashuri që i largon gënjeshtrat që afron ëndrrat, kafenë dhe poezinë…/ KultPlus.com
Amanet ju le nëse nuk pritoni të ma shkruani emrin në rërën e detit, dhe dy vargje mi shkruani me shkrimin e saj. Në krahët e valëve të ketë epope te pambaruar dhe arena e kafazit të jetë e hapur.
Përmendore nuk dua! Nëse në kurrizin e qytetit gjeni një shkop vendoseni afër kokës sime. / KultPlus.com
Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis! Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke, …Si vashë e virgjen: nuse sikur je; Dhe malet me bor Mi krye i ke kunor!
Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis! Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon Difto-u e zonja; koha sot e don Ti t’çohesh përseri N’luftë t’mbarë për liri!
Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija, Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë Si luaj e si dragoj plot forcë që janë, Që e derdhin gjakun prrue Atdheun për m’e shpëtue!
Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë Anmikut kur i sulen me rrebtsi Si breshni mi te hidhen me duhi.
Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue! Për nder të shtëpis s’vet; E falin shpirt e jet!
Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue Se mjaft e kanë robnue Dhe n’ zjarm e kanë prue!
A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë Që të huejt para syve të t’venë ledhe Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del Dhe duersh mos të lëshojn’ Prej faqes s’dheut të t’shojn!
Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë “Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë! Atyne si u pëlqen kufijt i venë Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë; Mendojnë pa turp kurrfarë Se s’ka nji komb Shqiptarë!
Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur, Me lott qi qan e ankon E asnji nuk i ndihmon!
Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe Po nanën ju kujtoni qi u ka le Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve Prej bijet e harrume mi ket dhe! Se ansht turp i math për ju Të huejt me i u çnderu!
Sot ora mbrrini, dita e bekueme Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme! Kosovës emnin me ja ngref te qilli Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli Me rrnue një Shqypni Si zonjë në lumni.
Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini! Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë Si ç’trimit mirë i prek Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com
Fryu era e maleve dhe rrëzoi hijen e lisit: gjaku im mbetet lumit t’Vodhit! Ushtarë, m’hapni shtatoren që të shoh edhe një herë Shkodrën dhe time motër te dritarja përkundruall. Më atje nuk do të zgjohem luleve që valvit era, posi valë që s’kanë mbarim. Do të mblidhen shokët mbrëmjes brenda vatrash në atdhe: Unë i le si ëndërzë!/ KultPlus.com
Eja, mbretëreshë e puthjeve, lule e shfrenuar buzëqeshje e çmendur, dashnore pa dashuri… Eja, unë ta di dhimbjen që gëzimin ka kapluar dhe lutjen e hidhur që në gojë të rri.
Unë s’të ofroj dashuri, kur ti i thua jo dashurisë; e di sekretin tënd, virgjëreshë e njollosur; Dashuria është armike e kënaqësisë në të cilën hidhërimin tonë kemi fundosur.
Të duhemi… Tash ajo kohë ende s’ka ardhë! Ty dhe mua na çojnë dallgët përpjetë. Në t’njëjtën kohë, jemi shenjtorë dhe mëkatarë; Në t’njëjtën kohë, jemi mbretër dhe të shkretë!
Unë e di që t’njëjtët që na adhurojnë thellë-thellë njëlloj na përbuzin mua e ty. Dhe të drejtë janë zërat që na nënçmojnë… S’ka çmim ajo që shesim ne të dy.
Kështu, të dy: ti – dashuri, unë – poezi, e japim për ar botën që e përçmojmë… unë shpirtin; trupin prej perëndeshe, ti; Eja të qeshim bashkë, teksa vajtojmë.
I riu, tek ne, s’dëshiron tjetër veç Natyrshmërisë të bëjë, mes poezive dhe bakanaleve, dhuratën perandorake të bukurisë, dritë, në rrugën e errët të vdekatarëve.
Oh! Ngrije kokën, lule e mbushur me gjallëri që fal hijeshi, kënaqësi, ngjyra, aroma… Thuaju me atë gojë epshore plot freski që nuk janë të kësaj bote dashuritë tona!
Në fat, rrugëtimi i njëjtë na ka rënë pjesë , një ankth i ngjashëm na ngre e s’ka të kryer, derisa të ngatërrohen përgjithmonë në harresë, hijeshia jote e kalbur dhe vargu im i thyer.
Le ta kryqëzojmë rrugën tonë të Fatkeqësisë ballëlartë, duart kapur t’i kemi Eja me mua, mbretëreshë e bukurisë, Kurtizane dhe poetë, të një gjaku jemi!/ KultPlus.com
Poezi nga Gabriel García Márquez Përktheu: Albert Bikaj
Të udhëtosh do të thotë të largohesh nga shtëpia, të lësh pas shokët të tentosh të fluturosh; të fluturosh duke mësuar drejtime të tjera duke kaluar nëpër shtigje Do të thotë tentim për të ndryshuar. Të udhëtosh do të thotë të vishesh si i çmendur të thuash “nuk më intereson”, do të thotë deshirë për tu rikthyer. Rikthim duke vlerësuar imsirat Teksa shijon një gotë, do të thotë deshirë për të filluar.
Të udhëtosh do të thotë të ndihesh si poet, Të shkruash një letër, të dëshirosh një përqafim. Të përqafojnë kur të mbërrish pran portës Duke mallëngjyer qetësinë do të thotë të lëjosh që të puthesh.
Të udhëtosh do të thotë të bëhesh tokësor të njohësh njerëz të tjerë t’ia fillosh nga e para. Të shtrishë dorën, të mësosh nga i forti, [do të thotë] të ndihesh i vetmuar.
Të udhëtosh do të thotë të largohesh nga shtëpia, të vishesh si i çmendur Duke thënë çdogjë e asgjë në një kartolinë. Do të thotë të flesh në një shtrat tjetër, të ndjesh se koha është e shkurtër, të udhëtosh do të thotë të kthehesh pas. /KultPlus.com
Li Bai, i njohur në Perëndim më shumë si Li Po (19 maj 701 – 30 nëntor 762), poet kinez, konsiderohet ndëri më të mëdhenjtë e dinastisë Tang, bashkë me Tu Fu-në dhe Bai Juyi-n, e po ashtu edhe të tërë letërsisë kneze
I RËNDË ËSHTË UDHËTIMI
Nga Li Po
Enë të arta të verës së mirë, një mijë galloni Pjata nefriti të ushqimeve të rralla, që kushtojnë më shumë se njëmijë I ul shkopinjtë e mi poshtë, nuk mund të banketoj më, Nxjerr shpatën time dhe shikoj rreptë përreth meje: Akulli nuk më lejon të kapërcej Lumin e Verdhë, Borërat nga qielli stër të ngjitem në Bjeshkën T’ai-hang. Në paqe marr një kthesë te një përrua, pa një pa dy gjendem në një varkë por duke lundruar me diellin në sy… (I rëndë është Udhëtimi, I rëndë është Udhëtimi, Me shumë kthesa, e tash ku jam unë?) Kur një erë e lehtë thyen valët, duke sjellë mot të mbarë shtroj një re për lundrim, dhe kapërcej oqeanin e kaltër!
***
Udhëtimi në titull dhe në vargjet e strofës së pestë është Udhëtimi i Jetës. Titulli, ca nga hollësitë dhe një pjesë e mirë e shpirtit të poezive të Li Po-së (në tri pjesë, nga të cilat kjo, shpesh e marr si poezi në vete, është e para), rrjedhin të gjitha nga këngë të vjetra, por posaçërisht nga një poezi e vonë e gjatë e Pao Chao-s (421-63 e.s.). Pao Chao ishte një prej poetëve të preferuar të Li Po-së; ndërsa Tu Fu e kishte krahasuar me të në një prej poezive të tij; po ashtu ishte një pararendës i rëndësishëm një pjese të mirë të poezisë T’ang, veçanërisht në zhvillimin e metrit shtatë-fjalësh si formë për kompozime serioze. Poezia e tij është një prej mendimeve melankolike e ditëve më të lume të Perandorisë, e ambicieve të tij të parritura dhe me gjasë e një martese të dështuar (sado që edhe kjo, po ashtu, mund të jetë një simbolizëm politik), përzier me harenë provokatore. Në tërësinë e saj edhe poezia e Li Po-së (ca sosh tashmë na duken njëmend të errëta), në njëfarë mënyre është e ngjashme me të; por prologu i tij është më i paharrueshëm, si një prej shprehjeve më të qarta të mospërfilljes së ambicieve tokësore (shumica e shohin ‘të nxirresh në gjyq’ si një prej domethënieve të ‘duke lundruar me diellin në sy’) dhe doktrinës së tij të arratisjes përmes imagjinatës. Në të njëjtën kohë, i gjithë prologu duket se ka diçka nga vetë forma e Lumit të Verdhë; lumit, siç shpesh besohet, që simbolizon rrjedhën e jetës së njeriut.
/Marrë nga Li Po and Tu Fu, “Poems”, (Selected and translated by Arthur Cooper), Penguin Books Ltd, 2013/Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com
Kur atdheut i rrxohen kështjellat I shemben pirgjet urat kullat I zihet fryma I mpikset gjaku Themelet kur i luejnë vendit Rozafë ajo bahet Sall gjinin e djathtë e len përjashta Gjergji Muji Halili Ademi Shabani Hamza Pijnë tambël Forcadë marrin Për lufta t’rrebta Tevona Si rr’fe prej qielle Veç nji za ndihet “Oj Kosovë, mos thuej mbarova, Se djemtë tu ende janë gjallë…”./ KultPlus.com
Edhe kur të të mundin (Të mundurve vetëm kjo u mbetet), Edhe kur zgjedhën ta venë në qafë Edhe kur këmbanën në fyt ta varin, Edhe kur të heqin në vargonj qeni, Edhe kur thonjtë t’i çkulin me darë, Edhe kur varrin ta gërmojnë, Rri drejt! Le të shohin se vetëm ashtu di.
Rri drejt! Rri drejt edhe kur të çlirohesh Çlirimtari është çlirimtar Nëse rri krejtësisht drejt. Ç’na duhet Çlirimtari i kërrusur! Rri drejt! Liria është barrë e madhe njerëzore Ndoshta më e madhe se çdo barrë. Kush ngrihet nën atë peshë, Ai është i lirë dhe i drejtë, Atij nuk i duhet shkollë tjetër.
Rri drejt! Edhe kur asgjë nuk të pranohet, Kur të lënë pa medale e pa grada Kur parzmën ta ndukin e krahët t’i lakuriqojnë Kur je i dyshimtë e nën sogjë, Kur edhe emrin në varr ta rrafin Rri drejt! Edhe kur pushteti yt të shpie në burg Para tij patjetër drejtohu Le të shohin Përse ke luftuar dhe ke fituar. / KultPlus.com
Mos më thuaj që nuk të kam dashur, o lule e livadhit të virgjër! Thuamë që është shuar dielli, thuamë që toka është në flakë, thuamë që hëna është ngjethur, thuamë që qielli është në gjëmë, thuamë që s’ka më agshole, por mos më thuaj që nuk të kam dashur…
O NËNË
Nuk i ndiej më ledhatimet e tua të ëmbla ashtu si era e prillit që përkëdhel lulet, o nënë. Ku je fshehur? Nuk e shoh më buzëqeshjen tënde, sytë e tu, sytë e tu gjithë vëmendje, që asnjëherë nuk lodheshin së ndjekuri ecjen time të pasigurt. Ishe gjithçka për mua. Fytyra jote: më e bukura mes muzave. Dhe flokët e tu të gjatë e të zinj mbulonin faqet e gëzueshme, kur gjoksi ngjallte ngrohtësinë nëpër venat fëminore. Tani ku je fshehur? E freskët në kujtesën time, rikthehu, o nënë, të përkëdhelësh fytyrën time të lodhur.
(Sot është 106-vjetori i lindjes së piktorit Ibrahim Kodra. Ka pirë uiski me Heminguein, ka ndejtur me Kadarenë, të cilin e ka propozuar me shkrim për çmimin “Nobel” si akademik që është, madje dhe i Akademisë Franceze. Pak veta e dinë që Kodra ka shkruar dhe poezi. Në shqip, por më shumë në italisht. I janë botuar disa dikur në Prishtinë, ku dhe ka shkuar më shpesh e hapur ekspozita… )/ KultPlus.com
Ka shumë të cilëve sytë i janë të hapura Dhe të cilëve zemrat e fjetura; Sidoqoftë, çfarë mund të shihet Nga krijesat e thjeshta të ujit dhe baltës? Por ai i cili e ka zemrën e zgjuar Do të di dhe do jetojë këtë mister; Derisa sytë e kokës së tij do flejnë. Nëse zemra yte nuk është ende e ndriçuar Ji gjithë i zgjuar, ji kërkimtar i zemrës, Ji vazhdimisht në luftë me shpirtin. Por nëse zemra juaj është veçse e zgjuar, Flej paqësisht, flej në duart e Dashurisë, Sepse syri yt shpirtëror nuk mungon Prej shtatë qiejve dhe shtatë drejtimeve./ KultPlus.com
O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka Më je nënë, më je motër, më je vlla. Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je, Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé. Ty përditë të pat parë ime nënë, Dheu yt në fund atë e pati ngrënë. Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj. Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj. Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi, Edhe eshtërat tretur ua ke po ti. Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë. Pranë teje patën qeshur, patën qarë. Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë, Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë, Numri prapë në vend mbetet kurdoherë. Begatoje, o Zot, ti këtë vend! Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend! Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij! Gas përjetë paçin zotërit e tij! I begatë, i lulëzuar qoftë ai, Një të ardhme pastë plot me lumturi!/KultPlus.com
kur dikush të kërkon bukë ndaje koren e fundit me të bija ime më mirë të jeni bashkë pak të uritur se të ngopesh vetëm
kur dikush ta lyp një pikë ujë në orë zori shpije te pusi i oborrit nën man ka vite që është prerë ajo pemë e vjetër por hija i bën ende fllad
kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime prishi krejt urat digji tërë anijet mos ji kurrë as grua as nënë as bijë e askujt po s’qe së pari njeri. /KultPlus.com
Ta themelojmë një stinë të re, lë të quhet stinë e dashurisë, pak pranverë, verë sa për t’i pjekë frutat, vjeshtë sa për t’i rregulluar ngjyrat dhe dimër sa për t’i zbardhë ëndrrat.
Ta themelojmë stinën tonë, një gramatikë të re fjalësh.
Tingujt të mos jenë stinë, të jenë diçka në mes, dhe foljet të mos jenë të parregullta.
Dhe pastaj ta themelojnë mbretërinë tonë, me lumenj dëshirash që nuk ndalen kurrë, me lumenj dëshirash që kthehen në secilën stinë – e gurgullojnë – e gurgullojnë, dhe ne e thyejmë rregullin e moçëm, dhe lahemi dy herë në të njëjtin ujë.
Yje, lule, buzëqeshje dhe sy të gëzuar dhe piktura dashurie, dhe askund pemë të ndaluara, as gjarpër, as Kain.
Lë ta themelojmë stinën tonë, e malet të mos duken të larta, e luginat të mos jenë të thella, e ne të ulemi mbi maja malesh, e të themi fjalë lartësish për ujdhesat, fushat dhe luginat e fatit.
Lë ta themelojmë stinën tonë, në një djep plot ëndrra dhe t’i përkundim duke kënduar ninulla dashurie, për veten dhe për të tjerët.
Dhe në fund, lë të shkundim pluhurin dhe historitë që janë ngjitë nëpër thembrat tona e të hyjmë triumfalisht në këtë stinë, të mbështjellë me të gjitha stinët nga pak./KultPlus.com
Poezi e shkruar nga Cesare Pavese. Përktheu: Orjela Stafasani
Ti je për mua një krijesë e trishtë një lule e përkohshme poezie që bash në çastin kur e gëzoj dhe provoj të dehem e ndjej që ikën larg shumë larg, për mjerimin e shpirtit tim mjerimi im i trishtë. Kur të shtrëngoj çmendurisht në zemër dhe ta thith gojën, gjatë, papushim, jam i trishtuar, vogëlushe, sepse e ndjej zemrën time shumë të lodhur duke të dashur kaq keq. Ti ma jep gojën tënde dhe bashkë përpiqemi ta gëzojmë dashurinë tonë që kurrë s’do të jetë e lumtur sepse shpirti në ne është shumë i lodhur nga ëndrra tash t’ëndërruara. Por jam unë, jam unë frikacaku, dhe ti je kaq lart saqë, kur mendoj për ty, nuk më mbetet veçse të shkrihem prej dashurie për atë pak gëzim që më jep, s’di a për tekë a për mëshirë. Bukuria jote është bukuri e trishtë të cilën s’do të guxoja kurrë ta ëndërroja, por, siç më ke thënë ti, është veç një ëndërr. Kur të flas për gjërat më të ëmbla dhe të shtrëngoj në zemrën time dhe ti nuk mendon për mua, ke të drejtë, vogëlushe: unë jam i trishtë, i trishtë dhe shumë frikacak. Dhe ja, ti je për mua asgjë tjetër veçse një iluzion i brishtë me sy të mëdhenj ëndrre, që për një orë më shtrëngohet në zemër dhe më mbush plot me gjëra të ëmbla, plot keqardhje. Kështu më ndodh kur i dërrmuar shtrydhem për të futur në vargjet e lehta një hov timin të trishtë. Një lule e përkohshme poezie asgjë më shumë, dashuria ime. Por ti nuk e di, vogëlushe, dhe kurrë nuk do ta dish çka më bën të vuaj. Do të vazhdoj, lule e vogël bionde, që kaq shumë ke vuajtur në jetë, të ta sodis fytyrën që të qan edhe kur buzëqesh -oh ëmbëlsia e trishtë e fytyrës tënde! nuk do ta dish kurrë, vogëlushe – do të vazhdoj të adhuroj pranë teje gjymtyrët e tua të vogla melodioze që kanë ëmbëlsinë e pranverës dhe janë kaq prekëse dhe aromatike saqë unë gati sa nuk çmendem nga mendimi se dikush tjetër do t’i dojë duke i mbërthyer në trupin e tij. Do të vazhdoj të të adhuroj, të të puth dhe të vuaj, deri kur ti t’më thuash një ditë se gjithçka duhet të marrë fund. Dhe atëherë ti nuk do të jesh më larg dhe nuk do ta ndjej më të lodhur zemrën, por do të çirrem nga dhimbja dhe do të puth në ëndërr dhe do të shtrëngoj në gjoks iluzionin e zhdukur. Dhe do të shkruaj për ty, për kujtimin tënd zemërthyes pak vargje vajtuese që ti nuk do t’i lexosh kurrë. Por mua do të më qëndrojnë mizorisht të gozhduara në zemër përgjithmonë./KultPlus.com