Përse moj hënë argjendore, ti larg nga retë pa pushim, përmbi kanatet e dritores, vërshon të mëkurin shkëlqim?
Sa herë që më shfaqesh ti, në shpirt më zgjohen shqetësime, dhe brenga plot me dhembshuri, dëshirë plot me flakërime.
Oh,ikni,ikni o kujtime! o dashuri fatkeqe fli! O,le të mos më shfaqet më, te perdja e errët ne dritare, nën dritën tënde argjendore, fytyr’ e dashur si gjithnjë, fytyr’ e embël engjëllore e vashës që s’do ta shoh më.
O embëlsi e dashurisë, plot ledhatime,plot me gaz, plot me shkëlqim të lumturisë, a mund të kthehesh rishmez pas?
I shpejtë porsi një vegim, me ndrite ti në fluturim; U zhdukën hijet krejt papritur, se erdh agimi menjëherë, dhe ti moj hënë e ndritur në qiell u mbyte atëherë! Agimi dritën pse shpërndau? Nga vash’ e shtrenjtë pse me ndau?./KultPlus.com
Një natë vjeshte me hënë Vetmia pajtohet me mllefin e vet Pa përfunduar orari i ri i ëndrrave Derisa shikimet luajnë me zjarr Çka më thua Jorge Luis Borges A duhet të verbohem edhe unë Një ditë kur hesht shpirti Kush ma kthen dritën e syve Kur e lidhin vdekjen me zinxhirë Për ta emërtuar një rrugë me emrin tim A duhet t’i zbusim gjarpërinjtë Për ta pakësuar zemërimin Kur pëlcet ai çast i frikësuar Disa dhimbje të tjera Shkojnë atje ku s’vdes malli i shpirtrave Çka më thua Jorge Luis Borges A i harrojmë gjithmonë hijet e dehura Kur shtrëngata e humb rrugën Ndoshta vjen ajo ditë e lumtur T’i japim fund lojës së mëkatit Çka më thua Jorge Luis Borges Nëse i grisim të gjitha fjalët e pathëna Edhe kur toka sillet rreth dashurisë Një natë vjeshte me hënë.
Lulet janë e kundërta e egërsisë. Të zbutin, me rrëfimin madhështor, ta davaritin vetminë, trishtimin. Ato kanë gjuhë, tinguj e duar të gjata, me të cilat përqafojnë hidhërimin, mposhtin dëshpërimin. Parfumi i tyre të deh dhe të bën ëndërrimtar. Ato i ndukim vetëm për raste të veçanta: një buqetë për nusen kur vë kurorë ose për një banket madhështor. Ato kurrë s’i ndukim prej kopshtit për gjëra të kota. Lulet janë tunduese dhe predikojnë gjëra të bukura. Ato s’e njohin gjuhën e llahtarisë, as të dashurive të mallkuara. Kur je në kopshtin e tyre, përpara rrafshohen kodrat e pamundësisë. Lulet s’kanë frikë nga terri, stuhitë, vetmia, duart e pabesa. Ato edhe kur i godet stuhia, ose duart e pabesa, s’ndërrojnë trajtë, lule mbesin./KultPlus.com
Nganjëherë ndihem porsi kodra e mjerë të tjera herë ndihem si mali dhe majat e tij të shumta.
Nganjëherë ndihem porsi shkëmbinjtë e thepisur të tjera herë si qielli i kaltër, por tepër i largët.
Nganjëherë ndihemi porsi burimet gurgulluese shkëmbore të tjera herë si pema me gjethet e fundit. Ndonëse sot ndihem thjesht si një lagunë e pagjumë me një liman ku asnjë varkë nuk ndodhet një lagunë e blertë e paqtë dhe e durueshme njëlloj si algat myshqet dhe peshqit e saj, prehem në bindjen time bindjen se një mbrëmje do të afrohesh dhe vetes do t’ia shohësh pasqyrimin, sepse do të pasqyrohesh duke më shikuar mua.
Përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri. / KultPlus.com
T’kqyri me flok’t prishuna, me rrathin e synit pa mblùem, me teshën e gjumit t’pâ bâmë, e t’rroki dashninë.
T’kqyri flok’t e mbledhuna, e rrathin e synit mblùem, teshën e gjumit ndrrùem, e t’qafi sojninë.
E di se ti sa mali bân, si ti e di dhimtën e barkut, hapin ta ndij pa randùe, Njifná, pa m’njoftë mùe, se un’ jam si ti, femën, ti si un’, grùe/KultPlus.com
Më kërko kur ndjen që të rrëshket një pikë lot. Më kërko kur në vetmi shtrin dorën tënde në boshllëk. Më kërko kur muzika bashkohet me shpirtin tënd. Më kërko kur mendja jote është bosh, Pa ëndrra, pa dashuri …. Më kërko dhe unë do të të marr përdore, E do të çoj në botën time. Plot emocione të ëmbla dhe buzëqeshje. Më kërko, unë jam këtu për ty.
Stuhi dëbore në New York, avionët gjithë vonojnë. Në qiejt lart diçka nuk shkon, dikush po mbyt dikë. Janë ernat ndoshta që s’meren vesh, radarët janë nervozë. Një puç qiellor ka ndodhur ndoshta e ne nuk dimë asgjë.
Ne si përherë asgjë nuk dimë, ndërkaq në aeroporte Në salla pritjesh gratë nxjerrin pasqyrëzat me ngut. Parfumi i vënë qysh në mëngjes në trup të tyre shqetësohet, Errësimi i ëmbël mbi pubis besimin prore humb.
Shtjellë dëbore. Rrokaqiejt ngjasojnë si të dehur. Do të besosh se e humbën peshën, si retë do ngrihen lart. Ne si përherë asgjë s’kuptojmë, ne prapë drejt krimit rendim. “Ah, ç’kohë e keqe!” përsërisim si papagaj të ngratë.
Avioni lejohet të zbresë më në fund. Duke shkërbyer engjëjt flatron sërish. Mbi rrokaqiejt shenjat e kryqit Të zotin e presin të zbresë lartësisht.
Kurrkund në botë bujtësin e largët S’e presin kaq dehshëm e me kaq bujë. I varur humnershëm midis tokës e qiellit Midisësi i madh dëgjon “alelujan”.
Vallë kujt i përket, ka plot dy mijë vite Që enigmën e hershme s’e gjejmë ne dot. “Ndorë të qiejve”, tha toka kur lart e ngriti, “Ndorë të tokës” tha qielli kur e zbriti poshtë.
Ai mbeti në mes: shestimi ynë i thyer, Ndërgjegja e vrarë, fluturimi që vdiq. Është vonë që qielli prapë ta tërheqë, Është vonë që toka ta tretë në gji.
Është vonë për të gjithë… Ndaj na sheh pikëllueshëm. Vdekjejetshëm tek mërzitet njeriu – hyjni, Dëshmitar i një pakti, i një bese të thyer, I ëndrrës sonë tragjike për qiellsi.
Qielli ngryset më shumë. Dyer makinash përplasen. Ndriçimi që dita me ngut e tret Shpejton të strehohet në gurë unazash, E në qafa grashë në, Avenunë e Pestë.
Është ora e diamanteve. Në Blumengdale Ngadhnjimi i tyre vezullon që larg. Krenarë pa dyshim që vdekjen s’e njohin, Ndonëse jetën gjithashtu s’e njohin aspak.
Qielli nxin. Ora jonë po bie. Nën panikun E kambanave të saj dyndemi gjithkund. Te Rruga Dyzetedy, te kishë e Shën Patrikut Ne apostujt, gjykatësit, judët e pafund.
Ecim nën ca shenja e shigjeta ndonëse e dimë Se një rrugë veç njohim: atë që çon në mort. Të vetmin në botë që të dy kahjet i kishte E mbytëm, e tani i themi: kthehu, Zot.
Kthehu, bir i Zotit, na trego drejtimin. Zbërthena shenjat që s’i marrim vesh. Humnershëm ai hesht e në vend të përgjigjes Si drita semaforësh katër plagët i ndez.
Pushoi stuhia në New York, avionët me kohë mbërrijnë. Në salla pritjesh s’ka më frikë, parfumet s’vuajnë më. Atë që ndodhi sipër nesh, ne natyrshëm s’e dimë, Çfarë u përmbys e çfarë u ngrit, ne prapë s’dimë asgjë.
Ne shohim veç emblema bankash nën qiellin e hirtë, Ca “Dow Jones”, ca “Dax”, ca shifra që shfaqen si në makth. E në kartat tona të kreditit kërkojmë plagët e Krishtit, E shenjat tona, që mes shifrash e zerosh rrjedhin gjak.
Ne s’dimë ku i morëm plagët, ku ramë e ku u thyem. Afatet tona ne s’i dimë, verdiktin aq më pak. Ndaj n’aeroporte rendim prapë, me shpresë të gjejmë prapë qiellin, Por tokë e rëndë nuk na lë, s’na lë e zeza në baltë. Ne pjellë e saj, robër të saj, mbretër të saj të rremë, Gjer kur i themi do na mbash në kurthin tënd të zi. Ajo s’përgjigjet, veç në heshtje, ashtu siç gatit barin, Për pabesinë tonë gatit ndëshkimi tonë të ri./KultPlus.com
Ndonjëherë s’ke kohë as ta vësh re. Në pak sekonda ndodh gjithçka. Gjërat ndryshojnë. Mbetesh gjallë. Vdes. Bota vazhdon, ecën. Të brishtë jemi, si fije letër. Jetojme në zgrip të përqindjeve, me kohë të kufizuar. Dhe kjo është e mira dhe e keqja e kësaj, i thonë “faktori kohë”. Dhe nuk ke ç’bën. Mund të shkosh e të rrish në majë të malit, të rrish atje duke përsiatur dhjetëra vjet dhe të mos ndryshosh gjë. Mund të ndryshosh vetveten në një farë mënyre, por dhe kjo mund të të dalë për keq. Ndoshta shumë e vrasim mendjen. Ndje më shumë, mendo më pak./KultPlus.com
O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush te ka qitë me krye n’hi? Ti ke pas kenë një zojë e randë, Burrat e dheut të thirrshin nanë. Ke pasë shumë t’mira e begati, Me varza t’bukura e me djelm t’ri, Gja e vend shumë, ara e bashtina, Me armë të bardha, me pushkë ltina, Me burra trima, me gra të dlira; Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira. Kur kriste pushka si me shkrep moti, Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun. Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë, I ka shti dridhën gjithë Rumelisë; Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra, Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe, Shkon bota sipri, me kambë, të shklet E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet. Si mal me borë, si fushë me lule Ke pas qenë veshun, sot je me crule, E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë. Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra, Ndër nji qind ceta jeni shpërnda; Ca thone kam fè ca thonë kam din; Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin” Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë, Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë! Priftnit e hoxhët ju kanë hutue, Për me ju damun me ju vorfnue! Vjen njeri i huej e ju rri n’votër, Me ju turpnue me grue e motër, E për sa pare qi do t’fitoni, Besën e t’parëve t’gjith e harroni, Baheni robt e njerit t’huej, Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej. Qani ju shpata e ju dyfeqe, Shqiptari u zu si zog ndër leqe! Qani ju trima bashkë me ne, Se ra Shqypnia me faqe n’dhe! E s’i ka mbetun as bukë as mish, As zjarm në votër, as dritë, as pishë; As gjak në faqe, as nder ndër shokë, Por asht rrëxue e bamun trokë! Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra, M’ata sy t’bukur q’dini me qa, Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë, Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder; Ka mbet e vejë si grue pa burrë, Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë! Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë? Këtë nanë të dashtun a do ta lamë, Qi njeri i huej ta shklasë me kambë? Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro! Para se t’hupet kështu Shqypnia, Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia! Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu, E mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqyptarit asht shqyptaria! Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë, Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë Kush mos na e preki, se desim t’tanë Të desim si burrat që vdiqnë motit Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com
Diellin ta shikosh nga hija e plepit Dhe ta matësh Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake Besnik i madh i Njeriut Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë të dëgjohesh në shkretëtirë Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush nuk të beson: Sa më pak shikoje veten në pasqyrë Dhe kurrë mos mendo: I pari Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë të natës në pikë të vapës Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë Rast i humbur nuk je edhe pse pylli dendësohet Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar në botë Dhe si të duash Ti Lumi Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë e saj e zezë Bashkudhëtari im Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë./ KultPlus.com
Për t’u dashuruar unë me ty, spanjollët u desh ta pushtonin Amerikën e gjyshërit e mi të shpërnguleshin nga Xhenova me një anije tregtare dikur.
Për t’u dashuruar unë me ty, Marksit iu desh ta shkruante Kapitalin e tij, kurse Neruda, Odën kushtuar Leningradit.
Për t’u dashuruar unë me ty, në Spanjë shpërtheu Lufta Civile, ndërsa Lorkën e pushkatuan, kur ishte kthyer nga një udhëtim në Nju Jork.
Për t’u dashuruar unë me ty, Katulusi u dashurua me Lesbian, Romeo ra në dashuri me Xhulietën gjithaq, Ingrid Bergman xhiroi filmin Stromboli, e Pier Paolo Pasolini “Njëqind Ditët e Salosë”.
Për t’u dashuruar unë me ty, Lluís Llach këndoi “Els Segadors”, e Milva poemat e Bertold Brecht.
Për t’u dashuruar unë me ty, dikush mbolli një pemë qershie pranë murit të kopshtit të shtëpisë tënde, teksa Garibaldi përleshej në Montevideo.
Për t’u dashuruar unë me ty, larvat u shndërruan në flutura e gjeneralët morën pushtetin.
Për t’u dashuruar unë me ty, u detyrova të arratisesha me varkë nga qyteti ku pata lindur, kurse ti i bëje ballë Frankos ndërkaq.
Për t’u dashuruar ne të dy, në fund të fundit, ndodhi gjithçka e mundshme në këtë botë
e qëkur më nuk duhemi gjithçka është kaos.
(Christina Peri Rossi, poete e shquar bashkëkohore uruguajano-spanjolle, fituese e Çmimit Miguel de Cervantes në vitin 2021.) / KultPlus.com
Nuk di në ç’vetull të qëndroj, Nuk di ku të të puth më parë. Shikoj një buzë që flakë lëshon I tëri një hijeshi e rrallë! Dhe le të digjem, shkrumb të bëhem Mbi ato buzë do të qëndroj, S’dua të mbetesh imazh ëndrre Të të humbas jo dot s’guxoj…/KultPlus.com
U habita kur e pashë papritur Ajo kishte një buzëqeshje më ndryshe Një shikim të tretur Një frikë më pak Sepse i kishte parë të gjitha tashmë Ikjen e papritur Mungesën që nuk mbushej me asgjë Kërkimin e syve të njohur nëpër turmë Madje edhe tani pa e ditur përse E sheh shikimin tim të vrazhdë Si rend pas saj Duke mos e kuptuar Duke mos ditur në çfarë ëndrre të saj Kisha hyrë pa e ditur Dhe ashtu humburazi kisha dalë.
U habita kur e pashë papritur Të nesërmen do ta lija edhe vendin tim Edhe ëndrrat e mija Edhe ëndrrat e saj Ishte një qytet i huaj atë mëngjes Qyteti i tërë pandalë zbrazej prej nesh Dhe zbrazej diku në një pikëllim të bardhë…/KultPlus.com
Një çorientim kohe e hapësire Lëbyrje shikimi mbi Urë t’Gallatës Bie t’i falesh Perëndisë dhe s’e gjen dot anën Kërkon kyblen nga jugu dhe të duket e kthyer nga lindja Në të gdhirë sikur dielli lind nga perëndimi vendtakim kohësh në një Sot kaosi
Një e kaluar pa të ardhme dergjet Kaq shumë lëngatë n’bregmallin e Detit t’Zi, S’ka mjekues as mëkues, s’ka vend planeti që shkakton aq dhimbje askush nuk flet shqip në “Arnautkoj”[1]
Të gjallë zëlëmekur me pak shpirt në grahmën e fundit n’hon historie shkuan gjithë karavanet e natës Të dëbuar nga mbretër të joshur nga dovletër një det varr Sot’n e ndan nga Djeja n’Stamboll “Shoku” i Muharem Qenës është kalbur në varr një pus dhimbjesh mbledh kujtimet kënga
S’ka murnajë pa mistri shqiptari as bedena kalaje, as istikame Çanakalaje, shumë flijesa pa emblemë atdheu
Dhembjet e Stambollit një zverdhanik kujtese Koha Sot –një gur varri mbi Djenë Epitaf mbi të pakthyeshmen
[1] Arnautkoy, paralagje që ka marrë emrin sipas shqiptarëve, por që në ditët e sodit konsiderohet si lagje pa shqiptarë! / KultPlus.com
Anja, kërkojmë veten tonë, nën luhatjet e egos së besimit. Çapitjet e hapave tuaja i preku syri, kurrë nuk i ndkeu shpirti. Lundroj në thellësinë e shpirtit tënd, syri yt ma zgjon zemrën e fjalës. Trupat përqafohen, lëkura që puthitet, shkërmoqet… Asgjë e re, si vetë Cikli i Krebsit. Frymënxjerrja e rënduar, sytë flasin më shumë se duhet dhe fjalët heshtin në një ditë, si vetë frymëmarrja jonë. Përqafimet tona valviten me erën, përdridhen, trembin qerpikun. Fryma jote shpirtit i jep frymë, qiellin e ngushton… Lotët sikur i bien me grusht tokës. Muskujt tendosen, rinia ikën, eshtrat lëshojnë zë krisme. Në kabare, Anja qëndron, me vellon e reve të bardha vallëzon. Shpirti mban aromë limoni, vetminë tënde. Buzët ndizen, të gjitha digjen zjarr! Eh… bota sa herët kishte rënë për t’fjetur! Tinguj fjalësh, krim dhe ndëshkim. Anja, në qiellin blu vetëm lutje përpëliten. Të guximshmit janë fitues të puthjeve hajdute, vetëm frikacakët bëjnë luftë. Të gjithë në qiell t’zhveshur jemi. Në sytë e tu, Anja, çdo gjë është art. Anja, Itaka rënkon përherë, dashuritë bien me natën e errët. Nesër, me të tjera ëndrra ato zgjohen. Në kabare muzika dëgjohet… Shpirtin e zjarrtë vetëm unë ta njoha, Anja, askujt mos i beso, as hijes tënde! Të gjithë në qiell t’zhveshur jemi Ti mbete fëmijë në udhëkryqet e jetës/ KultPlus.com
Së pari kafshojnë, pastaj lehin. Qentë e Sodomës, racë e çuditshme! Dhe ec e dije kur luajnë bishtin në shenjë miqësie; kur skërmitin dhëmbët në shenjë kërcënimi. Së pari kafshojnë, pastaj lehin (Kafshojnë natën, lehin ditën) – Shprehi e lashtë e pedigresë së tyre. Njësoj i trajtojnë të gjallët dhe të vdekurit: gërmojnë eshtrat, gërryejnë zorrët. Gjithmonë kështu. Gjithmonë kështu. Qentë e Sodomës, racë fisnike!