Qielli i vendlindjes mbet larg pas shtatëdhjetë e shtatë bjeshkëve atje një copë e zemrës, syri i djathtë këtu malli që s’do të soset kurrë atje vatrat me unat e shuar, një rini e fikur këtu dhembja, lot i padukshëm, kënga e vrarë.
Oh sa gjatë u sollën rrotat E më dukej se silleshin në vend, s’mund t’i ndal Më këputen mijëra vrera, mijëra ylberë digjen s’mund t’i ndal. Tani qielli, tani syri i huaj, gjuha e huaj.
‘Ç’keni në këtë kuti?» thotë dora e huaj dhe don ta çelë zemrën e guacës çilet syri i blertë i nënës atje larg, larg kërkon buzëqeshjen time, don ta dëgjojë zërin tim:
“Një gursht dheu nga varri i nënës,” thashë ai nuk më kupton, kujton kam florid he perla (me çka mund të matet ky grusht i vendlindjes);
E hap kutinë, sytë ia verbon syri i bleruar i nënës: ‘Ç’është kjo marri?,” thotë. “Një grusht dheu nga varri I nënës,” them
Ai e hedh me tërim kutinë dhe e shkel me këmbë, derdhet dheu si gruri më i mirë, inxhi shkelen lulet e pambira të vendlindjes shkelen qytetet e thneglave të dashurisë, bari pranvera, shkelet zemra e nënës, ai gjakun s’e sheh i namatisur vetëm «marri» llomott mos, kujtim e kam, dielli që s’do ta puthë kurrë më mos ma shkel verën, kurrë më shiu s’do ta shuajë rreshkun aty i kam eshtrat e katragjyshërve, ylberat e dashurive të mia…
Shembem dhe e mbledh pluhurin, ai m’i shkel gishtërinjtë Ai qesh, qesh dhe tundet e shkundet «marri!» Në asfaltin e huaj, pluhuri i varit të nënës… /KultPlus.com
Ç’mbet nga ajo kohë e çoroditur Shenja NoLockdown te xhamat e kafeve te fakulteti aty afër shenjës NoSmoking, mbeten ca maska të harruar në fund të sirtarit dhe shishe gelli apo xhelli gjysëm të zbrazëta apo gjysëm të mbushura. Erdhën kohëra edhe më të çmendura, luftëra të një lloji tjetër. Njeri kurrë mos me u bo rahat. / KultPlus.com
Sa të rëndë janë ditët. Në asnjë zjarr nuk mund të ngrohem, nuk më qesh më asnjë diell, gjithçka është bosh, çdo gjë është e akullt e pa mëshirë madje edhe të shtrenjtat yje të qarta më shikojnë pa ngushëllim, qysh kur kam kuptuar në zemrën time, që edhe dashuria mund te vdesë./ KultPlus.com
Nëna foto nuk ka veç të pasaportës që gjendet dhe në varrin e saj, ku u fal. Shteti veç njëherë e dërgoi fotografin për robërit e tij deri lart në mal… Ja të rris dhe këtë fëmijë unë e mjera, Sa t’i ndërroj këto këpucë të vjetra. Fotografi nuk kaloi më kurrë asaj ane Qyteti më tej katër kilometra. Kur më rriti mua, të gjashtin, rrudhat i kishin zbritur hartën e Shqipërisë nga balli tek mjekra, po ajo nuk qau që unë të mos e shihja; “Ç’e dua një foto tani…. Unë e zeza?!”
E u nis një ditë pa foto për Andej, ku nuk bëhen dot shkrepje në errësirën e Hadit. Dhe unë u bëra kineast, që tallja të fekste, ta filmoja të plotë ironinë e fatit…
Mijëra foto në jetë i bëri Vjosa e kaltër dhe kroi i fshatit të bukurës sime, po unë si t’i mbledh, se ato shkuan në det, i bëri kripa e lotit cipë e thërrime…
Një aparat dymijë euro tani mbaj në studio dhe netëve kur dremis, besoj si i marrë, mos më shfaqet në ëndërr e i bëj një foto një foto nga ato që bota s’ka parë… / KultPlus.com
përhumbur pa dashje në të padukshmen shpirt çiltërsie që sheh përtej qiell i kaltër! pa re, pa vranësira që turbullojnë sy drejtuar qiellit të heshtur, në pritje… si Toka që pret shiun Tokë që përcëllon nga afshi nga mallëngjimi për shiun që kur t’bie shuan gjithçka etjen.., afshin.., zjarrin ai i bashkon plasaritjet, që janë të hapura prej kohe pikojnë… nuk mbyllen… përveçse me shi! / KultPlus.com
Si ta mbaj këtë shpirtin tim, që të mos preket në tëndin? Si t’a ngre tej teje në diçka më të mirë? Ah sa dëshiroj t’a vë diku të humbur n’errësirë, në një vënd të qetë, të huaj nga s’ndihen dridhje, kur dridhet e jotja thellësirë.
Dhe gjithçka na prek, afër e larg, na merr së bashku si një hark, që nga dy tela një tingull të vetëm nxjerr. Në ç’instrument jemi tendosur vallë? E ç’violinist na ka në dorë te gjallë? O këngë e ndjerë./ KultPlus.com
Nga një tryezë poste që kurrë s’mbetet shkretë ku rrinë kujtimi, brenga zemra dhe heshtja vetë, posi pëllumba letrat degdisen që me natë. I ndiej tek flatrojnë për në shtegtim të gjatë.
Dhe ja, ku jam rrethuar me burra e me gra, plagosur nga mungesat, nga ndarjet e mëdha.
Letra, pusulla, fjalë: që nisen në hapësirë, ëndrra ende pa çelur, mendime ende pa gdhirë, të gjitha marrin rrugën drejt vatrës e drejt pragut, si ndjenjë dërguar ndjenjës, si gjak dërguar gjakut.
Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj. Një shtresë e trashë pluhuri mbulon letrat që s’duhen, aty u zverdhën faqet, aty germat u shuhen, aty humbasin radhët.
Ku mallet derdhur qenë, aty jep shpirt gëzimi. Pasi cepat u brenë,aty rropaten thellë (ç’varrezë e llahtarshme!) hem ndjenjat e kaluara, hem dashuritë e tashme
Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj.
Po kur të shkruaj unë do dridhet kallamari: do skuqet bojë e zezë, me flakërima zjarri. Se kur të shkruaj unë, do shkruajnë eshtrat e mia: do shkruaj gjaku im gjithë gulç nga dashuria
Do marrë letra udhë, si shpend në zjarr kalitur, me dy flatra të forta dhe një adresë të ndritur. Si zog që për fole qiell- ajër do të ketë, mishin, gishtërinjtë e tu dhe frymëmarrjen vetë. Do mbetesh ti e zhveshur tek dridhesh me ngadalë, e gatshme ta ndiesh letrën pas gjoksit tënd të valë.
Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj.
Një letër dje kam parë sesi mbeti pa zot, mbi sy tek i flatëronte dikujt që s’ngrihej dot. Letrat që mbesin gjallë dhe për të rënë tregojnë: që regëtijnë si njerëz, veç sy s’kanë të shikojnë.
Kur dhëmbëqenzit rriten, unë ndiej pranë veshit tim ërmimn’ e letrës sate tamam si një gjëmim. Dhe mos e marsha zgjuar, në gjumë do e marr atë letër. /KultPlus.com
Më bjen ngusht Shqipnia si ndonji kostum i qepun herët në kohë masë standarde të gjithë njëlloj. Por shpirti jem ka kohë që nuk përputhet, imagjinata i kalon koret e kresë, mendimi ka kohë që e ka ndryshue hartën. Bota jeme asht kontinent tjetër, e qënia ime një grue pa zingjirë.
Kthehem, në krye më sillen do qënie njëjetike, me mendime të kalbuna, do kufij imagjinarë, do thëngjij idhnakë që me gjithë njohuritë e botës nuk bahen art…
Shpirtit tem prej andrrash danteske i bjen ngusht Shqipnia, nuk mund të jetoj në rrathët e ferrit, as në mendjet e kalbuna, asesi në zemra pa peshë.
Jam muza e Zotit në çdo dimension i përkas qiellit. / KultPlus.com
Mjaft o tallaz, de, mjaft! Pa zbrit, se s’të shoh dot. Kurrë ndonj’herë s’je ngritur kaqë sa sot. Po ç’ke, vallë, që dukesh kaq i ngrysur, i nxirë? Përse këlthet kështu së thelli si egërsirë? Përse ky shi i fortë, ky rrebesh e ky terr? Kjo shqot’ e zezë, e marrë, që sokëllin si Ferr? Vala jote po ngjitet lart e më lart gjithmonë! Qëndro! Mos shko më tutje! S’ke lejë! Ndal të thonë! Ligjet e vjetra, frenat, të vjetërat kufi, Injorancën, mjerimin, hiçin, – këto qeli, Këto burgje të shpirtit, ku vdes e fundmja shpresë, Edhe gostin’ e madhe ku horat s’kanë pjesë, Gjith’ supersticionet, fatalitetet krejt Dhe pushtetin e burrit mbi gruan drejtpërdrejt, – Sakën! sakën se i prek këto të shënjta gjëra! Pa zbrit aty dhe hesht! Këto mure të gjëra plot kulla, i ndërtova rreth mbarë njerëzimit. Po ti gjith ulërin! Gjith çohesh prej tërbimit! Çdo gjëje po i turresh me sulm e me vërtik: Vate ungjilli i vjetër, vate kanuni antik! Trekëmbëshi vala jote e shëmbi, e gllaburoi. Mos, mbretin! Mzos e prek! – O qiell! E rrëzoi. Mos, njerëzit e shënjtë! Mos, priftin! Mos, gjyqtarin! Ndalu të thonë! – I fshiu të gjithë, u bëri varrin! Zoti të tha: – Tallaz, më tutje ti mos shko! Po ç’është kshtu? O Zot! Po mbytem! Obobo! Deti s’po bindet, deti po shfryn me gjëmë e dhunë./ KultPlus.com
Eshtë e vështirë të thuash me fjalët e një biri, atij të cilit në zemër fare pak i ngjasoj. Ti je e vetmja në botë që din, për zemrën time, atë që ish ngahera, përpara secilës tjetër dashuri.
Prandaj duhet të t’them çfarë është e tmerrshme të njohësh: është brënda hirësisë tënde që lind pikëllimi im. Je e pa-ndërrueshme, prandaj është e dënuar me vetmi jeta që më ke dhuruar. Dhe s’dua të jem vetëm. Kam një uri të pasosur dashurie, të dashurive prej trupave të pashpirt. Ngaqë shpirti është në ty, je ti, por ti je nëna ime dhe dashuria jote është skllavëria ime: kam kaluar një fëmijëri skllav i kësaj ndjenje të madhe e pa-shpëtueshme, të një detyrimi të pasosur. Ishte e vetmja mënyrë për të ndjerë jetën, e vetmja ngjyrë, e vetmja formë: tani ka mbaruar.
Mbijetojmë: dhe është çrregullsia e një jete të rilindur jashtë arsyes./KultPlus.com
Por, s’ din Shkjau me mbajtë miqsí! Aman, Zot, kur duel Serdari, Se ç’ kje ndezë Vranina zhari! Aman, Zot, kur mrrîni Pera, Se shum krisi atbotë potera! Por kur rán Shkjét e Vraninës Shum u krisi plumja shpinës! Porsi shé, qi m’ nji natë gjâmet Rritet turr e del prej âmet Tuj ushtue – e tue shkumue, Shkaperderdhet nper zallina, Ashtû u derdh Shkjau te Vranina, N’ valë Shqyptarët krejt tue i pershî. S’ lufton ndryshe e rrebtë kulshetra E me dhâmbë edhè me kthetra, Zjarm e surfull tue flakrue, Kur drangojt t’ a kenë rrethue; Si i qindron sod Shkjaut Shqyptari Per dhé t’ amel, qi i la i Pari: Kâmbë per kâmbë, tuj qitë pá dá, Tue korrë krena neper Shkjá. U janë ndezun flakë breshânat, U kullojn gjak n’ dorë tagânat, E u kullon gjak edhè zêmra, Veç se vendit s’ u lot thêmra. Por ç’ dobí: dielli tue lé Isht’ tue lé m’ at ditë per Shkjé! – I rán ndore Shkjaut t’ terbuem Tridhjetë t’ vrám e dhetë t’ shituem!… O ata t’ lumt, qi dhane jeten, O ata t’ lumt, qi shkrîne veten, Qi per Mbret e vend të t’ Parve, Qi per erz e nderë t’ Shqyptarve Derdhen gjakun tuj luftue, Porsi t’ Parët u pa’n punue! Letë u kjoftë mbí vorr ledina, Butë u kjoshin moti e stina, Aklli, bora e serotina: E dér t’ kndoje n’ mal ndo ‘i Zânë, E dér t’ ketë n’ dét ujë e rânë, Dér sá t’ shndrisin diell e hânë, Ata kurr mos u harrojshin, N’ kângë e n’ valle por u kndojshin/KultPlus.com
Porsi kanga e zogut t’verës, qi vallzon n’blerim të prillit; porsi i ambli flladi i erës, qi lmon gjit e drandofillit; porsi vala e bregut t’detit, porsi gjâma e rrfès zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare. Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë, porsi gjumi m’nji kërthi, porsi drita plot uzdajë, porsi gazi i pamashtri; edhè ndihet tue kumbue; porsi fleta e Kerubinit, ka’i bien qiellvet tue flutrue n’t’zjarrtat valle t’amëshimit. Pra, mallkue njai bir Shqyptari, qi këtë gjuhë të Perëndis’, trashigim, që na la i Pari, trashigim s’ia len ai fmis; edhe atij iu thaftë, po, goja, që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja, flet e t’veten e lèn mbas dore. Në gjuhë shqype nanat tona qi prej djepit na kanë thânun, se asht një Zot, qi do ta dona; njatë, qi jetën na ka dhânun; edhe shqyp na thanë se Zoti për shqyptarë Shqypninë e fali, se sa t’enden stina e moti, do ta gzojn kta djalë mbas djali. Shqyp na vete, po pik’ mâ para, n’agim t’jetës kur kemi shkue, tue ndjekë flutra nëpër ara, shqyp mâ s’pari kemi kndue: kemi kndue, po armët besnike, qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet, kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet. Në këtë gjuhë edhe njai Leka, qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni, në këtë gjuhë edhe Kastriota u pat folë njatyne ushtrive, qi sa t’drisë e diellit rrota, kanë me kênë ndera e trimnive. Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini, gegë e toskë, malci e qyteta, gjuhën t’uej kurr mos ta lini, mos ta lini sa t’jetë jeta, por për tê gjithmonë punoni; pse, sa t’mbani gjuhën t’uej, fisi juej, vendi e zakoni kanë me u mbajtë larg kambës s’huej, Nper gjuhë shqype bota mbarë ka me ju njohtë se ç’fis ju kini, ka me ju njohtë për shqyptarë; trimi n’za, sikurse jini. Prandaj, pra, n’e doni fisin, mali, bregu edhe Malcija prej njaj goje sod t’brohrisim: Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!/KultPlus.com
Ç’ma ke ballin-o me lule- Është këngë dasme që këndohet kur hyn nusja në shtëpinë e dhëndrit:
Ç’ma ke ballin-o me lule Moj Bardhule, Lulet-o jepi hua Ballin-o nëma mua, Lulet o jepja Ylberit Ballinëmua të mjerit. Ç’mi ke faqet-o me lule Moj Bardhule, Lulet-o jepi hua Faqet- o nëmi mua Lulet-o falja Ylberit Faqet-o mua të mjerit* Merri lulet po i do Dhëndër-o, Nuk t’i jap u** faqet-o Jo mor jo**/KultPlus.com
Në u takofshim sonte në mbrëmje në rrugën përmbytur me mjegull do të thaheshin gjithë pellgjet qark nesh do qe nxehur dheu: dhe faqja ime mbi teshat e tua shpëtim për jetën do të qe. Por balli i vajzave, i lëmuar vitet e mia më kujton: një pemë vetëm kam si mik në këtë rrebesh në terr dhe dritat e venitura të karrocave më bëjnë të dridhem të fërgëlloj e vdekjen të thërras./ KultPlus.com
Në mes tuaj kam qëndruar e jam duke përvëluar, që t’u ap pakëzë dritë, natënë t’ua bënj ditë.
do të tretem, të kullohem, të digjem, të përvëlohem, që t’u ndrinj mir’ e të shihni, njëri-tjatërin të njihni.
për ju do të rri të tretem, asnjë çikë të mos mbetem, të digjem e të qanj me lot, se dëshirën s’e duronj dot.
unë zjarrit nuk i druhem dhe kurrë s’dua të shuhem, po të digjem me dëshirë, sa të munt t’u ndrinj më mirë.
kur më shihni se jam tretur, mos pandehni se kam vdekur; jam i gjall’ e jam ndë jetë jam në dritët të vërtetë,
unë jam në shpirtin tuaj, mos më kini për të huaj, m’është falurë durimi, andaj po digjem si trimi,
se ma k’ënda t’u bënj mirë, të mos mbeti n’errësirë. jakëni rreth meje rrini, flisni, qeshni, hani, pini,
në shpirt kam dashurinë, pa digjem për njerëzinë, lemëni të përvëlohem, nukë dua më të ftohem,
dua ta djek trupn’ e kretë për atë zotn’ e vërtetë. me zjarr ta djek mushkërinë e të tretem për njerinë,
bashkë me gëzimt të tija të vete te perëndia. unë dua njerëzinë, mirësin’ e urtësinë.
në bëhi shokë me mua, në më doni si u dua, njëri-tjetërin në doni, të paudhë mos punoni.
o zëmëra fluturake, qasju pakë kësaj flake! mase krahët t’i përvëlon, po dhe shpirtin ta shënjtëron.
unë duke përvëluar, njerëzit i kam ndrituar. kam qënë mik me njerinë, andaj i di e më dinë.
gjithë tuajt’ i kam parë, mëm’ e at’ e fis e farë, si tani gjithë i kam ndër mënt, që rrininë më këtë vënt.
edhe sot nër ju ata shoh, se shpirtin e tyre ua njoh, dhe unë si ju jam ndruar e jam përzjer’ e ndryshuar,
pa jam bërë shumë herë zjar e uj’ e balt’ e erë. jam një shkëndijë pej qielli dhe një drudhëzë pej dielli.
edhe ndër qiej fluturonj, edhe brënda në det qëndronj, shumë herë fle në baltë, diku ndodhem dhe në mjaltë
bënem qëngj e kec i pirë, lul’ e bar e gjeth i mbirë. dua shumë fjalë t’u them, po trëmbem mos i bënj ujem. e ku shkruhenë në kartë fjalët’ e gjuhësë zjarrtë? / KultPlus.com
(ja ku jam) dhe do të qëndrojmë këtu të rrënuar sepse mendojmë, patetikë sepse ndjejmë shumë, dyshues sepse heshtim.
I
Shpesh mendoj sikur të isha në turmën që del shesheve të mbështesi idenë e një politike që nuk e beson. Që di se “Zoti i tyre” i gënjen para syve dhe mrekullohen. Tani dëgjoj si dikush më thotë: “Ti s’di asgjë vogëlushe, pse më mirë nuk hesht?” Po, sikur të kisha zërin e politikanit që jep premtime që vetë nuk i kupton se janë skenare të shkruar nga njerëz të stërvitur për të bindur… E mbani mend -“Opiumin e popullit”? Ftohtësia e xhamtë po mbështjellë zemrën tuaj. Shpirtit i përgatitët kafaz mbushur me para. Ngrohni zemrat me idealet e djegura. Qysh e tek u robëruat në shfrenimet tuaja?
—
Po do të qëndroja para atij që pranon se jemi katandisur keq, por përpiqet të shpëtojë anijen nga përmbytjet. Që nuk na shtyp zërin, që nuk na dallon nga ngjyra, nga gjinia, nga orientimi seksual. Nuk duam mëshirë, ia dalim edhe vetë, fundja një jetë është, do ia bëjmë disi për t’i shkuar në fund, por do të ishte pak më e lehtë sikur…
II
Të isha para atij që del të flasi për poezinë dhe kërkon të kuptojë saktësisht çka thënë autori pas fjalës “sëmundje” dhe pas fjalës “ngjyrë” dhe pastaj kruan kokën, fytyrën, hundën… pasiguria fshihet në gjeste… Dhe gënjehet sikur kupton diçka… Do të doja të kisha vullnetin e atij poeti që del para publikut dhe flet për poezinë sikur të ishte çështje marketingu. Dhe t’i thoja se s’ka të bëjë as me marketingun as me shërimin, ka të bëjë me arratisjen. Por unë jam me njerëzit e dobët. Ngase më rritën të atillë.
III
Do të doja të isha gruaja e cila kthen kokën aty ku i hidhen vështrimet. Dhe të kundërshtoja… Dhe të thoja fjalët që ndalon gjuha ime femërore. Gjuha ime femërore!- uh, ç’peshë. Por unë jam me njerëzit e dobët. Ngase më rritën të atillë.
IV
Do të doja të dija të ruaja pak gjëra të mira që i ka bota: Të dija përmendësh vargjet që më shëruan atë ditë vjeshte kur në vend të kafes mendova Sylvia Plathin, Ana Kareninën që veç fundin lexova… Të mbaja mend fjalët e Budës kur pashë me sytë e mi se prindi urren fëmijën, dhe kjo besoj është në rregull? Jo, jo, Buda duhet hap sytë veç për dashuri?! Do të doja të isha aq e fortë sa këtë ta pranoj. Por unë jam me të dobëtit… Ndaluni, është lojë e mendjes, sepse të fortët jemi ne që jetojmë sipas bindjeve tona. Babai im qe i pashkolluar por njerëzor që më mësoi veç tri rregulla: “Mos gënje, mos bëj kurthe, mos vidh!” Dhe mendoja se veç këto fjalë ekzistojnë, sikur të më kishte paralajmëruar për të kundërtën e tyre, sikur… Por ai ishte me njerëzit e dobët. Ngase e rritën të atillë.
V
Tani, gjithsesi jemi ne të fortët ngase dashuruam, jetuam, përjetuam… Shpirt fëmije në fytyrë të plakur, i buzëqeshëm çiltërsisht diellit dhe u folëm luleve, përkëdhelëm zogjtë, ndjemë rrënjët e drunjve nëpër trupin tonë. Dhe kur thamë të dua zemra u mbush plot gjak qershie.
–
Ju mund të thoni se jeta është dikund tjetër, Jepini, thuajeni… Por s’do ta humb rehatinë e shpirtit për asgjë në botë edhe sikur… edhe sikur….
Jam me të dobëtit, por këtu dielli ngroh… / KultPlus.com
Verës sa nji mëngjes me vesë nuk ia pau kush ballin simjet me sy të përlotun të sjellun kah mali.
Vjetit nuk i mungon asnji ditë në kalendar e i dhimbet e mbramja pikë e dyllit në djegie: e sotmja ka ndijen e dridhjes së fletëve të shqemes para dhambëve të sutës./ KultPlus.com
Ti vogëlush nuk i njeh rranjët e tua, me fasada baroku je rrit e ndër streha të bardha të Europës, belbëzove tingujt e parë të panjohun për ne. Nuk të vranë zingjirët e kolonizimit , e as rrethprerjet e detyrueme , tradicionale , me gjase rite krejt idiote. Kurbat e statistikave, nuk ta zbehen lumtuninë, e mbi ne gjithmonë Zoti pati nji emen. As lindjen e mesme nuk e dijte, globit i re vizë aty ku lapsi yt i zi, si gjaku i yne , ndaloi. Në Algjeri, Marok, Shqipni, Berlin apo Athinë. kudo ku besohet jeta post vdekjes. E prapë në gjuhën e parë mu gjegje: ” Merci” kur ti putha duart. Terrorit nuk i dhamë emen as kombësi, se njeriu qe vret njeriun asht vetja kundër vetes, i kredhun në pasqyrën e së shkuemes. “Allahu Akbar” “Santa Maria” “Jesus Christo” “Nel nome del padre , del figlio, e dello spirito santo” E ne njisoj kjajmë, e po njisoj vrasim në ajrin e trandun , në tokën e mysët e nën të njëjtin qiell, përsërisim vetveten: “Allahu Akber versus Dio” Ne , të zhbamunit e Babelit, me gjuhen, ndërruem dhe shpirtin… / KultPlus.com
Ja ç’më ndodhi: nuk ia dola të shtiresha, në fund të fundit nuk doja. Nuk kisha ç’bëja tjetër veç të përpiqesha me të marrë me vete, me gjithë shpirt, për egoizëm, ndoshta për t’u ndjerë mirë për vete.
Edhe pse e dija që s’mundesha. Edhe pse qe e rrezikshme. Edhe pse ti nuk do, edhe pse, e di, lumturia jote nuk varet prej meje. Megjithatë, s’kam ç’bëj po të pyes përsëri. Sa për t’u siguruar mirë … … Do të vije? / KultPlus.com