Nga Enver Gjerqeku
Dilema e këngës
A ky është kthimi, apo hap zbrazëtie?
Dielli kështu më zgjon? Apo rigon shi?
S’do t’i kthehem barit, as asaj errësie.
Kah do vemi, ditë, kur asgjë nuk ndi?
A jam tash i zgjuar, apo m’mashtron drita?
Ndëgjoj hap’n e vjeshtës, lulja fle në mua.
Çdo gjë që dash’rova – tek ajo s’arrita –
Askund ndonjë thnegël, sa për t’më shoqërua.
Kënga e munduar kishte për të treguar:
Se si njëherë moti ish feniks ndër ne.
Po. Është ajo vetë, që kurrë pa u friguar,
U la prore n’gjak, n’stuhi dhe rrufe.
Po ç’është tani kjo? Ëndërr o hap lashtësie?
Malli kështu më zgjon? Jo! Është hap’ humnera.
S’do t’i kthehem barit, as asaj errësie,
Që për sy të mi presin untë përhera. / KultPlus.com