Pasioni, dashuria për profesionin dhe puna e palodhur ishin ato që shtynë përpara artisten e madhe Margarita Xhepën që të arrinte majën e karrierës, pavarësisht vlerësimit të ulët monetar.
Teksa rrëfen për ‘Report Tv’ jetën e saj artistike, poezia ruhet si kujtim për daljen e parë të Margarita Xhepës në skenë.
Që në fëmijëri, Xhepa kujton se poezia e shkrimtarit të madh Naim Frashëri, ishte indicia e rrugëtimit të saj kinematografik…
“Poezia më ka ngjitur në skenë për herë të parë…më ka bërë përshtypje vargu i Naim Frashërit, “Shqipëri o nëna ime”, isha fare e vogël në bankat e shkollës, kur nisa ta interpretoj, dhe që nga ajo kohë, e kam dashur dhe do e dua gjithmonë poezinë….poezia është forca e fjalës. Mendoj se sot, marrëdhëniet njerëzore janë tronditur paksa, dhe në çdo poezi gjej plot ngjarje”, thotë aktorja.
Pa para, net pa ngrëne e pa gjumë, kështu e kujton Xhepa vështirësinë e suksesit…
“Ka vështirësi ç’është e vërteta, unë e krahasoj me jetën tonë, kur shoh disa filma them shyqyr që i kam bërë, nuk kemi fituar gjë por ishte pasioni i madh për punën. Ne kemi punuar pa para, sot janë të prirur më tepër të dhënë mbas fitimit. Është dashuri për profesionin. Janë xhiruar filma që punohej më orë të tëra pa u ankuar, shumë sakrificia, kemi fjet edhe pa ngrënë, nëpër dëborë, me filmin e fundit kemi qëndruar 8-9 orë në dëborë, të gjithë gra”, rrëfen ajo.
E teksa sot arti nuk ka më ‘fuqinë e dikurshme’, Xhepa bashkëpunimin me plejadën e vjetër të aktorëve e quan ‘koha e të mëdhenjve’.
“Po të them 3 emra do të gaboj, por edhe 13 emra po të të them, prapë do të gaboj, ishte koha e të mëdhenjve…ishin aktorë të zgjedhur, që vinin me pasion të madh dhe në emër të artit. Ajo kohë nuk e di nëse do të ekzistoj më, ndihmonin njërit-tjetrin, bashkëpunim i ngushtë. Më mungojnë tani, kam nostalgji të madhe për atë kohë, për ato aktorë që mbeten të pa vdekshëm në memorien e aktorit”, shprehet e madhja Margarita Xhepa.
I vetmi peng i artistes, ishte roli nga antikiteti…
“Kisha peng të luaja mbretëreshën e trojanit, te Euripidi, por një regjisor grek ma besoi dhe ishte rol i pjekurisë time artistike dhe fituam disa çmime, ai peng mu realizua”.
Xhepa ka një mesazh për të rinjtë sot: “Të rinjtë duhet të kenë dashuri përgjegjësi, të mos mendojnë direkt anën materiale, por mbi të gjitha të provojnë të bëjnë diçka cilësore dhe gjithçka vjen vetë, i ftoj ta duan artin, të mos kënaqen më pak.” / KultPlus.com
Vëllimi “Lulet e Verës” nga Naim Frashëri përmban 16 poezi lirike, si dhe poemthin erotik “Bukuria”, vlerësuar si vëllimi më i mirë i tij.
Ishte i pari që krijoi në letërsinë shqiptare poezinë e mirëfilltë filozofike dhe është cilësuar si poeti kombëtar shqiptar, për shkak të ndikimit që pati tek populli.
Edhe pse dy poemat e gjata janë me karakter epik, Naimi është poet lirik. Tematika e veprës së tij mund të ndahet sipas motiveve, meditative-filozofike, erotik dhe atdhetar. Naimi mendonte thoshte se shkenca dhe filozofia zbulojnë të vërtetën dhe e vërteta është fytyra e perëndisë.
Botëkuptimi i Naimit mendimtar është mbrojtur nga literatura fetare dhe shkencore, pa gjetur kundërvënie mes të dyjave. Autori pranon teorinë e Darvinit dhe La Plasit po ashtu pranon elementet e krijimit të materies dhe ndikohet nga filozofët e lashtë grekë në botëkuptimin e tij.
Si filozof ndien fuqinë dhe pafuqinë e njeriut për të rrokur gjithë natyrën. Ai pohon se sa më shumë të dijë njeriu, aq më shumë ka nevojë të dijë. Por nga ana tjetër pohon se njeriu mund të depërtojë në të fshehtat e natyrës dhe të njohë Zotin.
Krijimtaria e tij artistike përqendrohet në këto drejtime:
Jetën, e cila është burim gazi, dashurie, lulëzimi. Simbol i saj është pranvera, e cila përshkruhet me ngjyra të gjalla. Shpesh gjejmë të pasqyruar dhimbjen nga lumturia, e cila ndeshet edhe në motivin erotik.
Vdekjen, që shfaqet në kuptimin e humbjes se njerëzve të dashur, si dhe në kuptimin filozofik. Në rastin e parë ndeshim dhimbje e trishtim të pa ngushëlluar.
Por në konceptin filozofik ai hedh idenë se shpirti jeton pas vdekjes, ndërsa simbol i vdekjes është dimri. Vend të rëndësishëm zë meditimi mbi kohën e shkuar. Vuajtjet për kohën e djalërisë janë të dukshme.
Ndërkohë në këtë tip poezie gjejmë shfaqje të hedonizmit, si mënyrë për të përballuar hallet e jetës. Nga ana stilistike dialektika e meditimit në këto poezi vjen përmes kundërvënieve: lulëzim/vyshkje, e zeza/e bardha, e vërteta/gënjeshtra.
Kulmi i filozofisë aktive te Naimi vjen te “Fjalët e qiririt” dhe “Fyelli”, ku sillet dhe simboli i poetit në shërbim të njerëzimit. Këtu shkrihet uni filozofik, me unin lirik, me atë fetar dhe naimian.
Disa prej figurave: qiriri, flutura, bilbili janë të pranishme dhe në poezinë e Lindjes, por mënyra se si e sjell atë Naimi e afron më pranë poezisë popullore shqiptare. Bektashizmi e ndihmon për t’u shfaqur liberal dhe i emancipuar në temat e zemrës dhe femrës.
Poezia erotike
Si dhe në poezitë e grupit të parë ndihet spontaniteti. Në këtë tip poezie ndjeshmëria e tij zbërthehet përmes këndvështrimit mediativ-filozofik. Tipari kryesor i kësaj poezie është karakteri soditës, mahnitja prej bukurisë femërore dhe vuajtja nga dashuria. Të gjitha krahasimet për vashën ai i kërkon në bukurinë qiellore: sy -yje, balli-hënë, flokët-dritë qiejsh.
Sipas Naimit, bukuria dhe dashuria janë në lidhje të pandashme dhe të përjetshme me njëra-tjetrën. E bukura shfaqet në dy plane atë filozofik dhe njerëzor, si bukuri hyjnore dhe tokësore.
Edhe këtu vjen pikëpamja panteiste e Naimit, bukuria është kudo në univers, aty ku gjendet Perëndia dhe formën më të përsosur e ka te vetë njeriu. Kulmi i ndjeshmërisë naimiane arrihet kur ai pohon se është e kotë ta shpjegosh dashurinë dhe bukurinë: ato mund të zotërohen vetëm me anë të ndjenjës.
Poezia atdhetare
Poezia atdhetare e Naimit u bë ushqimi kryesor i atdhetarisë. Gjejmë të shkrira ide iluministe, humaniste e filozofike. Kjo tematikë gjen shprehjen e vet në këto forma. Dashuria dhe malli për vendlindjen, lidhja e pashmangshme me vendlindjen, përshkrimi i bukurive të natyrës, lartësimi i jehonës që u bëhet ngjarjeve të ndryshme historike, dëshirës për ndryshimin e gjendjes, humanizmit për popullin e thjeshtë dhe krenarisë kombëtare.
Një pjesë e poezive u drejtohet ngjarjeve të kohës. Trajtohet kështu fati i atdheut në ngjarjet historike dhe politike pas Kongresit të Berlinit. Atdheu sillet në kuptim universal, duke theksuar sa i rëndësishëm është ai në jetën e njerëzve. Dashuria për atdheun njëjtësohet me dashurinë për familjen, në kuptim filozofik është dheu që ha bijtë e vet, duke nënvizuar përjetësinë e tij.
Vlerëson ngjarje të tilla si hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë, ku i thur himn gjuhës shqipe si shenja e parë dalluese e kombit. Ai e shpirtëzon gjuhën shqipe.
Tek “Gjuha jonë” shpreh pikëpamje iluministe për nevojën e diturisë për ndriçimin e mendjes njerëzore. Ndihet toni solemn përmes të cilit shpreh besimin dhe shpresën për të ardhmen. Dënon tradhtinë si mëkatin më të madh ndaj vendit.
Në asnjë rast nuk predikohet përqafimi i filozofisë fetare në dëm të asaj atdhetare. Disa poezi sjellin simpatinë për njerëzit e thjeshtë, hedh pikëpamje të barazisë shoqërore dhe mëshirës kristiane. Evokimi i së kaluarës vjen jo vetëm përmes figurës së Skënderbeut, por edhe të Pirros, Aleksandrit të Madh, Marko Bocarit etj.
Ndërkaq figura e Skënderbeut himnizohet nën dritën e humanizmit evropian, duke e sjellë atë të përsosur dhe me prejardhje hyjnore. Historia rrëfehet nga pozicioni i patriotit, brenda idesë filozofike se historia do të përsëritet./KultPlus.com