‘Zogu i ujit’ nga Afrim Demiri, poezia fituese e çmimit të parë në festivalin ‘Flaka e Janarit 2025’

Poezi nga Afrim Demiri

Ra një shi curril
sa qel e i mshel
sytë

E mbushi një pus
me ujë
Pas kësaj
Shiu u ndal

Pikat e fundit
përmbyllën
vizatimin
e zogut n’ujë

Nuk vonoi
ai filloi t’i rrah
krihët
u ngjit në qiell

Sa më shpejtë
që ngjitej
pusi shterohej

Kur zogu i ujit
nuk shihej ma

Në pusin e zbrazun
një mace e zezë
mashtrohej pas
siluetës së qulltë
të zogut të ujit/ KultPlus.com

Fustani i nanës

Kjo është poezia fituese e ‘Takimet e Poeteshave’ e shkruar nga Arlinda Baftiu.

I butë fustani i nanës si zemra e çikës,
i kuq si turpi që ulet mbi qerpik,
i bukur,
i bukur si pranvera e hershme,
rrej gjerdanit me lule, lule shumë,
vjen tue u ngulfatë shtëngut për kërthizë
ku këputen kordelet e lidhuna nyje për shpirti,
e mbasandaj zvarritet fundit të këmbëve me një dantellë të zbehun që ka marr pluhnin e viteve,
të shkelun me thembra të lodhta….

Nana ka dashtë me ma falë,
e kam veshë kur isha lule pranvere
e rrotullohesha me sy kah qielli
tue i davarit dantellat në ajër bashkë me gazin e fëmisë
Tue u rrit stina, nisa me i njohë aromat e jetës,
fustanit të nanës i vike era kujtime të shkrumosta,
i vike era andrra të djeguna,
shpirt i ngulfatun,
zbehun ish lâ me lot.
Nanë, nuk po më bjen tamam,
asht i ngushtë e i madh për zemrën teme
asht i ftohtë e i lagshtë për ditët e mia
asht i zbehun për dritën që due nanë,
po m’i merr kambët, jam rrxu, jam përgjakë me fjalt’ e plakave,
nanë, un u zhvesha
fustanin e kam palue
në dollapin ku m’i ke lanë ato gjanat që na bajnë ma të forta../ KultPlus.com