‘Një copëz hëne në xhep është hajmali më e mbrothët edhe se putra e lepurit’

Poezi nga Jaime Sabines

Hëna

Hëna mund të gëlltitet me lugë
ose me kapsula rregullisht çdo dy orë.
Është tepër e vyer si përgjumëse dhe qetësues
ndërsa gjithashtu ua lehtëson rropatjet
atyre që janë marrosur nga filozofia.
Një copëz hëne në xhep
është hajmali më e mbrothët edhe se putra e lepurit:
ndihmon në gjetjen e dikujt që dashurojmë,
për t’u pasuruar pa e ditur askush tjetër
dhe për t’i mbajtur larg mjekët dhe klinikat.
Ajo mund t’u jepet si ëmbëlsirë çiliminjve
që akoma nuk i ka zënë gjumi mbrëmjeve,
kurse disa pikëla hëne të derdhura në sytë e të moshuarve
ndihmojnë në vdekjen e mbrothët.
Mjafton të vendosim një gjethe të brishtë hënore
poshtë nënkresës
dhe menjëherë do të ëndërrojmë sipas ëndjes çdo vegim.
Mbani një pagure me ajër hënor me vete për çdo rast
kur t’ju merret fryma,
ndërsa çelësin e hënës t’ua jepni patjetër
gjithë të burgosurve dhe të zhgënjyerve.
Për këdo që është dënuar me vdekje
dhe për të dënuarit që duhet ta jetojnë këtë gjallim
nuk ka nxitje më të çmuar se hëna
me doza të sakta dhe të matura syresh.

Përktheu: Elvi Sidheri / KultPlus.com