Poezi nga Rozafa Shpuza
N’qytetin tem
mullagat lulojnë pa bujë
si mirazhe të bjerruna ndër djerrinat
që len peng historia e mbrame e dashnisë.
Ylberi i petaleve
i përgjet kopertës kafide t’palueme n’sepetin e pajës,
ku varet nji dry naziq
që kurrë s’u kyç…
N’qytetin tem
s’përban ma lajm pse shinat bien me rrëshekë
e qylymat shkunden me pirajkë,
as pse saksitë e mullagave
t’sajueme me kuti boje
lyhen me gëlqere e stivohen prajshëm bri pusit,
pasqyrës ku kqyren gjokset e zgaquna t’reve…
Çudi…
sado rrekem me hamendësue
s’di pse pos krejt luleve,
n’qytetin tem,
jaret s’ranë kurrë n’dashni me mullagat,
që s’prajnë tue shprishë dremitjen e oborreve,
ku teshat nderen me kapsa drunit
e avllitë naltohen
njaq sa kureshtja e kojshisë… / KultPlus.com