Fillon ‘Festa e Verës dhe Gështenjës’, promovohet produkti vendas në Pogradec

Promovimi i produkteve tradicionale vendase, është fokusi kryesor i festës së “Verërave dhe gështenjave”, që është çelur sot në Pogradec.

E kthyer tashmë në traditë në qytetin e Pogradecit, kjo festë tërheqë vizitorë të shumtë dhe turistë të huaj të cilët shijojnë produktet vendase.

Festa e “Verërave dhe gështenjave” është shndërruar tashmë në një festë të përvitshme që tërheq gjithmonë e më shumë vizitorë në qytetin juglindor të vendit.

Entela Gusho, nënkryetare e bashkisë Pogradec tha ATSH-së, se ” këto dy ditë dhe netë (29-30 tetor) të mbushura me aktivitete dhe shije të veçantë ushqimesh tradicionale të zonës, janë një ftesë e hapur për të gjithë vizitorët, që të zgjidhin Pogradecin këtë fundjavë”.

Gusho u shpreh se, festa do të kalojë bukur me verë buti, gështenja të pjekura dhe nën tingujt e një koncerti të larmishëm muzikor.

“Edhe këtë vit nuk do të mungojnë tezgat në shërbim të të gjithë të interesuarve që dëshirojnë të tregtojnë verën e tyre apo produkte ushqimore tradicionale. Po ashtu, bizneseve u krijohet mundësia që të promovojnë gatimet e tyre tradicionale, punimet artizanale si dhe të vendosin kontakte për shitjen e prodhimeve të zonës në tregje të reja”, tha ajo.

Prodhimi i verës mbetet një traditë për qytetin e Pogradecit, ndërsa verërat pogradecare në vite, kanë marrë edhe disa çmime ndërkombëtare.Aktualisht juria ka degustuar verërat që janë bërë pjesë e konkursit të Festës së Verërave dhe Gështenjës dhe do të ndaj tre çmime për: Vera më e mirë e kuqe artizanale; Vera më e mirë e bardhë artizanale dhe çmimi i Kantinës më të mirë. /atsh/ KultPlus.com

Miratohet projekti për ndërhyrje restauruese në Urën e Niçës në Pogradec

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve konsoliduese, restauruese në Urën e Niçës, në fshatin Niçë, Pogradec.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila theksoi se kjo urë është një tjetër monument kulture i shpëtuar.

“Ura e Niçës është një monument kulture i kategorisë I, punuar në gurë, që paraqet një seri problematikash. Projekti që sapo kemi miratuar parashikon kryerjen e ndërhyrjeve përforcuese në konstruksion, zëvendësimin e gurëve të dëmtuar, pastrimin e vegjetacionit etj”, tha Margariti.

Ura ndodhet mbi lumin e Niçës në rrethin e Pogradecit. Nga ana kronologjike kjo urë daton në shekullin XVIII./ KultPlus.com

Pogradeci rindërton skenat e filmave të realizuar aty, si atraksion turistik

Janë 15 filma artistikë të Kinostudios dhe dy të RTSH të xhiruar në Pogradec, dhe bashkia e këtij qyteti ka ndërmarrë nismën e veçantë për të rindërtuar skena të tyre.

Duke pasur parasysh suksesin e Teto Ollgës në Tushemisht që tashmë është një atraksion turistik mjaft i njohur dhe frekuentuar, plan i afërt është ndërtimi i skenës së filmit “Mëngjese lufte” që sjell edhe historinë e qytetit të vjetër.

“Bashkia Pogradec krahas prioriteteve të tjera që ka për investime dhe zbukurimin e qytetit menduam të krijojë dhe këndin e filmave shqiptare, sepse janë plot 15 filma prodhim i Kinostudios dhe dy të RTSH, menduam se duke pasur sukses si pjesa e teto Ollgës në Tushemisht të sjellim pjesë nga skena të ndryshme të filmave shqiptare, ajo çka është kryesorja dhe ai filmi për të cilin ka nostalgji çdo pogradecar është filmi “Mëngjese Lufte” pasi shpaloset jo vetëm qyteti i vjetër por një pjesë reale e historisë së këtij”, thotë për “Wake Up” në Top Channel, nënkryetarja e bashkisë Pogradec, Entela Gusho.

Konsiderohet si një nga projektet e afërta të bashkisë, sepse nuk është vetëm një rastësi por është pjesë e realitetit që ka qenë në vitet para Luftës së Dytë Botërore. Kurse, skenografia është bazuar mbi fotot e vjetra të fotografit të njohur Misto Cici në vitin 1925 dhe të arkivave të ndryshme që kanë qenë prezent në Pogradec.

Por krahas këtij projekti të afërt, Gusho përmendi dhe zona të tjera të Pogradecit ku janë luajtur të tjera filma, si zona e Uçkave, shtyllat e ish molit të vjetër, dhe në zona të tjera si pyjet e Dishnicës, liqenet e Lukovës etj. / KultPlus.com

Koleksioni i mjeteve historike ‘Retro’ zbret në Pogradec (FOTO)

Këtë fundjavë në shëtitoren e Pogradecit dhe buzë liqenit, do të ekspozohen për herë të parë mjetet e koleksionit historik shqiptar Retro.

Vizita nis me tinguj të bukur muzike Jazz & Swing, të shtunën që prej paradites e do vijojë deri në orët e vona të mbrëmjes. Të dielën, përgjatë qytetit në brigjet e Ohrit, do të vazhdojë parada e mjeteve drejt Parkut Kombëtar të Drilonit.

Këtë vit, për ta shijuar edhe më shumë sezonin turistik, Retro mbërrin me flotën e mjeteve të çmuara, të cilave u janë bashkuar për herë të parë edhe koleksionistë nga Shkupi dhe Ohri, që udhëtojnë drejt Shqipërisë.

Aktivitetet RETRO që sjellin kulturën e koleksionimit, të restaurimit dhe të ruajtjes së vlerave të mjeteve historike, vijnë shpesh me një program artistik, të ftuar, DJ e balerina duke sjellë festë, kërcime, interes nga çdo brez e moshë dhe duke krijuar një atmosferë të hareshme për qytetarët e vendit dhe turistët.

Në bashkëpunim me bashkinë Pogradec, shfaqja do të jetë në amfiteatrin e Odeon me grupin “Albanian Jazz Society” të cilët do t’ia shtojnë magjinë dhe elegancën atmosferës së liqenit me muzikë të pakohë.

Të apasionuarit, kalimtarët, turistët e të gjithë kuriozët pas klasikes do të kenë mundësinë t’i shohin dhe të njihen më nga afër me historitë dhe pasionin e madh të koleksionuesve.

Retro do të jetë aty me dëshirën për të shpërndarë këtë pasion e duke e bërë fundjavën një event tejet interesant e për të mos u humbur. /atsh/ KultPlus.com

Rikthehet pas 5 vitesh shkëputje festivali i kukullave në Pogradec

Festivali i famshëm i kukullave në Pogradec “Xinxifilo” rikthehet sërish pas 5 vitesh shkëputje për spektatorët dhe sidomos fëmijët.

Qendra Kulturore Lasgush Poradeci tashmë ka çdo gjë gati për të vënë në skenë të gjitha shfaqjet që do të jenë pjesë e festivalit 4 ditor në qytetin liqenor.

Por ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit pjesë e festivalit do të jenë vetëm trupat teatrore të Shqipërisë.

Eritan Kamolli, drejtor i Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, tha se “festivali ka krijuar tashmë një traditë. Këtë vit do të ketë një pjesëmarrje kombëtare nga trupa e Tiranës, Elbasanit, Korçës, Vlorës, Beratit e Gjirokastrës”.

Sipas tij, festivali e çel siparin me trupën e Pogradecit dhe fëmijët do të kenë mundësi të ndjekin shfaqet çdo ditë gjatë katër ditëve të këtij eventi, nga ora 10:00 e paradites dhe ora 17:00 e pasdites.

“Shfaqet janë me tematika të ndryshme me aspekte edhe nga jeta e përditshme, që do të tërheqin vëmendjen dhe kureshtjen e vogëlushëve”, – tha Kamolli.

Ndërsa Burinilda Shkurti, një nga aktoret e cila ka qenë pjesë e festivalit në 15 edicione dhe rikthimi i këtij festivali është një emocion i veçantë.

Shkurti tha se ndihej e emocionuar dhe njëherazi e gëzuar që rikthehen në skenë me shfaqje kushtuar fëmijëve.

“Xinxifilo” është një festival kukullash i cili ndër vite ka bërë bashkë trupat e aktorëve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Ballkani, këtë vit për shkak edhe të pandemisë nuk u arrit që këto trupa të ribashkoheshin.

Festivali starton mbrëmjen e 16 qershorit./atsh/ KultPlus.com

“Skulpturë magjepsëse që ia vlen të vizitohet”, pamje nga Guri i Kamjes në Pogradec

Guri i Kamjes është një monument i natyrës pranë fshatit Dardhë të Pogradecit, ku era ka gdhendur në shekuj mikroforma të çuditshme, plot vlera shkencore gjeomorfologjike e gjeologjike, por edhe ka krijuar një skulpturë magjepsëse që ia vlen të vizitohet.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama ndërsa ndau një material spektakolar të përgatitur nga djemtë e talentuar të “Albania by Drone”.

Guri i Kamjes, një monument i natyrës, ndodhet pranë fshatit Dardhë të rrethit të Pogradecit, në afërsi të Qafës së Lipovës, 1461 m mbi nivelin e detit.

Përfaqëson një formë interesante relievi në trajtën e “një anije që lundron në një det të hapur”.

Është i gjatë rreth 100 m, i gjerë rreth 80 m dhe i lartë rreth 70 m. Forma e tij lidhet me rezistencën më të madhe të konglomerateve që e përbëjnë, në krahasim me argjilat që ndërtojnë territorin përreth tij.

Mbi këtë formë relievi veprojnë proceset e erozionit dhe era, që kanë gdhendur në mikroforma të çuditshme. Ka vlera shkencore gjeomorfologjike e gjeologjike, por edhe kulturore, turistike dhe didaktike me rëndësi lokale.

Mund të vizitohet sipas itinerarit: Pogradec-Leshnicë-Trebinjë dhe vlen si një destinacion për turizmin e natyrës. /atsh / KultPlus.com

Lin, fshati piktoresk shqiptar

Lini është një fshat i bukur piktoresk buzë liqenit të Pogradecit, me shtëpitë e vogla ngritura puqazi njëra-tjetrës me shpinë nga kodra.

Fshati zgjon kuriozitetin e çdo udhëtari apo turisti që udhëton në rrugën Qafë Thanë – Pogradec

Në pjesën më të madhe të këtyre shtëpive, sidomos natën, dëgjohet llokoçitja e valëve të liqenit, lopatat e varkëtarëve dhe zëri i pulëbardhave.

Hapet Këndi Arkivor në Pogradec

Në bibliotekën e qytetit të Pogradecit u hap Këndi Arkivor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Ky kënd është një hapësirë për të lexuar, studiuar dhe punuar, e hapur për akademikët, studentët dhe për publikun e gjerë të qytetit të Pogradecit, njësoj sikur të ishin në sallën e studimit në Tiranë, sepse teknologjia e informacionit, dhe procedurat e ngritura tashmë nga DPA mundësojnë këtë lehtësi qasjeje në dokumente arkivore.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli përuruan Këndin Arkivor Pogradec të DPA-së.

Gjatë fjalës së tij, Bido tregoi se kjo nismë është një projekt madhor që ka për qëllim hapjen e 100 sallave të tilla studimi në të gjithë hapësirat shqiptare.

“Ne i përqendruam arkivat dhe bëmë pastaj gjithë pjesën tjetër, shërbimin e delokalizuar, në mënyrë që ky shërbim i delokalizuar të shkojë në çdo qytet të mundshëm, kudo ku ka një sallë biblioteke, që studiuesi vjen. Në atë sallë studimi ku studiuesi vjen nuk sheh vetëm librin por edhe dokumentin, kështu që na duhej partneri lokal”, tha Bido.

Falë bashkëpunimit me DPA, siç u shpreh kryebashkiaku Xhakolli, kjo nismë do t’i vijë në ndihmë studiuesve por edhe të gjithë qytetarëve të Pogradecit.

“Ky është një projekt i rëndësishëm për qytetarët por edhe i institucionin”, tha Ilir Xhakolli.

Këndi Arkivor Pogradec është hapësira më e re e krijuar nga DPA pas hapjes së Këndit Arkivor në Gjirokastër, Shkup dhe Prishtinë. / KultPlus.com

Fillon Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec

Në Pogradec nis të dielën edicioni i 10-të i Festivalit Ballkanik për filmin dhe kulinarinë, në kushtet e masave të mbrojtjes ndaj covid-19.

Pogradeci ka hapur dyert për të mikpritur regjisorë, producentë dhe aktorë nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Qyteti bregliqenor do të jetë për një javë nga data 13-17 shtator kryeqendra e kinematografisë ballkanike.

Eventi, i cili tashmë është kthyer në traditë, por që këtë vit do të zhvillohet në masat e respektimit të protokolleve të sigurisë ndaj covid-19, synon evidentimin e arritjeve të kinemasë bashkëkohore ballkanase si dhe krijimin e hapësirave për të ndërvepruar midis kineastëve.

Më tepër se 40 filma artistikë dhe dokumentarë, të producentëve dhe regjisorëve të afirmuar dhe të rinj do të shfaqen për publikun pogradecar dhe turistët në kinemanë e qytetit.

Ndërsa pjesë e Festivalit do të jetë edhe gatimet apo kulinaria tradicionale e Pogradecit që shquhet për shije dhe receta të veçanta. /atsh/ KultPlus.com

Bienalja e karikaturës, sjell artistë nga 50 vende të botës në Pogradec

Artistë nga 50 vende të botës janë pjesë e fazës së parë të biennales ndërkombëtare të Karikaturës që do të mbahet në muajin shtator në Pogradec. Bujar Kapexhiu, pret që ky aktivitet ndërkombëtar t’i japë nxitje kësaj gjinie arti edhe në Shqipëri.

300 punime nga artistë nga 50 vende të botës u  bënë pjesë e garës për bienalen e parë të karrikaturës që do të mbahet në Pogradec!

Juria ka përzgjedhur 120 më të mirat që do të prezantohen në muajin shtator fillimisht në qytetin buzë liqenit dhe më pas në të gjithë Shqipërinë.

“Për mua është një kënaqësi që të organizojmë këtë aktivitet që do të sjellë prurjet më të fundit të karikaturës në botë. Pogradeci është përfaqësuesi i Shqipërisë i karikaturës në botë.”

Artisti, Bujar Kapexhiu si pjesë e jurisë pret që festivali të rizgjojë gjininë e karikaturës edhe në Shqipëri.

“Kjo është hera e parë që krijohet një festival ndërkombëtar i karikaturës në Shqipëri dhe fillon në Pogradec. Ne jemi përballë një përgjegjësi për të zgjedhur fituesit. Hapja e bienales dhe ekspozitës do të bëhet në shtator dhe do të jepen edhe çmimet ndërkombëtare.”

Tematika e karikaturave  të prezantuara është e shumëllojtë duke nisur nga probleme të  mprehta të gadishullit ballkanik, por edhe problemeve te ndryshme te para në planin global.

Bienalja e karikaturës dhe ditët e humorit “Niko Nikolla” do të kurorëzohen më 18-20 shtator. /Ora News /KultPlus.com

Natyrë si “e pikturuar”, Pogradeci, ky destinacion turistik që duhet shijuar në çdo stinë

Në Pogradec nuk të pret vetëm natyra e bukur dhe turizmi familjar, por edhe një botë plot aventura dhe histori.

Pogradeci dhe rrethinat e tij, ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa Liqeni i jep hijeshinë.

Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh.

Pogradeci ofron shumë mundësi për turizëm ujor, malor dhe historik. Gjithashtu edhe kuzhina dhe kulinaria pogradecare është shumë e veçantë dhe e pëlqyeshme nga vizitorët shqiptarë dhe të huaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi një video me pamje nga Pogradeci për promovimin e qytetit në juglindje të vendit, që mbledh rreth vetes mijëra turistë në çdo stinë të vitit.

“Pogradeci, ky destinacion turistik që duhet shijuar. Aty gjen njerëz mikpritës e të buzëqeshur, peizazhe fantastike, atraksione që duhen shijuar”, – tha Klosi.

Në këtë qytet kudo ka bukuri si Lini, një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër.

Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit, si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar.

Ndërsa burimet e Drilonit që ndodhen rrëzë kodrave afër fshatit Tushemisht dhe Gurras, 4 km nga Pogradeci kanë një pamje të pakrahasueshme.

Këtë monument natyre mund ta vizitoni në qoftë se ndiqni rrugën Pogradec-Doganë-Shën Naum. Ai është një burim i madh gëlqeror që buron me rrjedhje vertikale të ujit në fund të bllokut gëlqeror, duke vazhduar më pas rrjedhjen në liqenin e Ohrit. Uji vjen nga liqeni i Prespës përmes Malit të Thatë. Uji del jashtë si një burim i madh i veçantë me një rrjedhje prej 7 m3 /sek. Zona është e rrethuar me bimësi të dendur.

Pogradeci ka edhe mjaft kisha mesjetare si Kisha e Shën Bitrit, që vendasit janë mësuar ta thërrasin kisha e Shën Bitrit, ndodhet disa qindra metra larg fshatit Potkozhan.
Kjo ndërtesë e vogël prej guri, mbuluar me plloça është me vlera unikale përsa i përket dy kupolave të vogla në anën lindore dhe murit shumë të veçantë pikturuar me afreske në pjesën e brendshme të tij. Edhe pse afresket janë dëmtuar, vizitorët përseri mund të admirojnë misterin dhe bukurinë e shenjtorëve pikturuar në muret e tij.

Një tjetër kishë është ajo e Shën Marenës në veri të fshatit Llenge, zonë e Pogradecit, me një pamje dominuese në majë të malit mbi lumin Shkumbin. Kisha është një ndërtesë e vogël afërsisht 8-12 metra e gjatë. Altari është i ndarë nga pjesa qendrore e kishës me një ikonostas druri 6 m të gjerë dhe 4 m të lartë. Ikonostasi është gdhendur me motive luleje. Gjithë pjesa e brendshme e kishës është e mbuluar me afreske që i përkasin dorës së mjeshtrit të këtyre zonave, Kostandin Shpataraku.

Qyteti i Liqenit, Pogradeci, është qyteti elitar i Shqipërisë i cili vizitohet në të katër stinët./atsh / KultPlus.com

Mokra, destiancioni turistik mes pafundësive të bukurive natyrore dhe historike

Bukuritë e Mokrës janë të pafundme. Mokra është një nga 76 fshatrat më të bukur të rrethit të Pogradecit. Mes mijëra përrenjve, qindra fshatrave, dhjetëra liqeneve, krahina e mullinjve nga fshati Kozici në Shkumbin të lë pa frymë.

Natyra bujare nuk i ka kursyer asgjë Mokrës. Njerëz punëtorë, të dashur, mikpritës i gjen në çdo fshat të Mokrës. Pozita gjeografike pranë liqenit të Ohrit dhe kushtet klimaterike, e kanë favorizuar këtë krahinë që të popullohet që në kohët antike.

Fshatrat ‘flasin’ për shekuj histori, për sakrifica, e legjenda të rralla.Nga varret ilire të Selcës, rruga Egnatia, Gurët e Nuses, Ura e Golikut, e deri tek liqenet mahnitëse të Lukovës mbi Bishnicë, liqenet e Shën Marenës, Liqenet e Lenies. Mokra të qetëson shpirtin dhe mendjen.

“2 orë nga Tirana të presin pafundësi me bukuri dhe histori. Eja në Mokër”, është ftesa që bashkia Pogradec, i bën të gjithë qytetarëve, që këtë vit të vizitojnë dhe të kalojnë pushimet në fshatin me bukuri të veçanta. / atsh/ KultPlus.com

Pogradeci në vitet ’80, publikohet koleksioni i rrallë i fotografive

Bashkia e Pogradecit sjell një koleksion të rrallë fotosh, të viteve  ’80 të qytetit Pogradecit që shtrihet në bregun e liqenit të Ohrit.

Foto i përkasin një periudhe 30 – 40 viteve më parë ku spikat pamja e liqenit dhe bukuritë  natyrore që identifikojnë qytetin e Pogradecit.

Fotot janë të fiksuara nga aparati i mjeshtrit Kristaq Sotiri dhe janë publikuar sot nga bashkia e Pogradecit, si një aset i veçantë nga koleksioni i këtij fotografi. /atsh/ KultPlus.com