Kryeministri Kurti bëri homazhe në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, thotë se Serbia ende nuk i hap arkivat

Në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule.

Në 25-vjetorin e kësaj masakre, kryeministri përkujtoi 54 civilët shqiptarë, të vrarë mizorisht nga gjenocidi i ushtrisë serbe.

Kurti u shpreh se kjo masakër brutale nuk fshihet nga kujtesa e popullit shqiptar. Ai tha se kjo paraqet plagë të hapur e që kullon, meqenëse ende nuk ka drejtësi për krimet e kryera nga Serbia.

“Gjaku i derdhur, e kufomat të bëra hi, të cilat nuk kanë mundur të ndahen për t’u varrosur në mënyrë të dinjitetshme ndaras por është dashur që të bëhen bashkërisht, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës”, tha kryeministri.

Ai shtoi se fakti qe pasi që i kanë vrarë, i kanë grumbulluar e i kanë djegur në përpjekje për ta zhdukur gjurmën e krimit, tregon se sa fajtor janë ata kriminelë.

Kryeministri Kurti, ritheksoi se gjatë vitit të kaluar, më 1 qershor,  kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i ka dërguar letër presidentit të Serbisë që të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave. E njëjta kërkesë i është dërguar edhe zëvendës presidentit të Komisionit Evropian, përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, por që ende nuk ka ndonjë përgjigje në lidhje me domosdoshmërinë e hapjes së arkivës.

Pas homazheve dhe vendosjes së luleve tek varrezat e të vrarëve, kryeministri vizitoi edhe shtëpinë muze të familjes Muqolli, në të cilën janë vrarë dhe djegur civilë shqiptarë të pambrojtur, të paarmatosur.

Në këto homazhe kryeministri Kurti, ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Shëndrrimi në muze i shtëpisë së masakrës së Poklekut në fazën finale, Çeku: Është thirrje për drejtësinë e munguar

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se punimet për shëndrrimin në muze të shtëpisë ku ndodhi masakra e Pokleku nga e cila mbetën të vrarë 53 civil, është në fazën finale, shkruan KultPlus.

Më datën 17 prill 1999, në këtë shtëpi u vranë 53 civilë nga familjet Muqolli, Caraku, Elshani, dhe Hoxha.

“Jemi në fazën e fundit të muzealizimit të shtëpisë së masakrës në Poklek të Drenasit. Sivjet me 17 prill bëhet një çerek shekulli prejse forcat serbe masakruan 53 civilë nga familjet Muqolli, Caraku, Elshani, dhe Hoxha. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, ku viktima më e vogël ishte gjashtë muajshe, ajo më e vjetër 75 vjeçe.

Muzeu mbi masakrën e Poklekut brenda shtëpisë së familjes Muqolli është thirrje për drejtësinë e munguar”, ka shkruar Çeku./KultPlus.com

Sot bëhen 22 vjet nga masakra në Poklek dhe Çikatovë të Drenasit

Sot bëhen 22 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.

Me këtë rast presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca do të bëjnë homazhe për të kujtuar jetën dhe veprën e tyre. / KultPlus.com