Shkrimtaret polake dhe franceze në Festivalin e Letërsisë Evropiane në Tiranë

Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë (FELT) vazhdoi mbrëmë në sallën franceze të Bibliotekës Kombëtare “Sotir Kolea”, duke sjellë biseda frymëzuese dhe lexime nga dy autorë evropianë të radhës.

Autorja polake Margo Rejmer, e cila erdhi në FELT me mbështetjen e Ambasadës polake, ndau lidhjen e saj të thellë me Shqipërinë përmes veprës së saj.

Duke reflektuar mbi librin “Balta më e ëmbël se mjalti: Zëra nga Shqipëria komuniste”, ajo tregoi sesi përpiqej të zhytej në jetët e atyre që vuajtën, rebeluan dhe mbijetuan gjatë diktaturës.

Përmes historive të gjalla dhe të papërpunuara që mblodhi, Margo përshkroi se si pa dhimbjen dhe qëndresën e tyre përmes syve të saj.

Autorja franceze Dominique Barbéris, e cila erdhi në FELT me mbështetjen e ambasadës së Francës, solli një reflektim thellësisht introspektiv mbi romanin e saj të vlerësuar “Une façon d’aimer”, fitues i Grand Prix du Roman de l’Académie Française 2023.

Përmes jetës së heshtur dhe melankolike të Madeleine, historia na çon në Francën e pasluftës dhe Kamerunin që po dekolonizohej, duke kapur emocionet e pashprehura të një gruaje që kërkon diçka të papërcaktuar.

FELT vazhdon sot me autorin kroat Miro Gavran dhe autorin italian Paolo Giordano, ndjekur nga një koncert unik i Musica Nova./atsh/ KultPlus.com

Artistja polake, murale në pikëkalimet kufitare të Kapshticës dhe Qafë Thanës

Artistja polake Maria-Rosa Szychowska po realizon muralen në fasadën e godinës në pikën kufitare e doganore të Kapshticës.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole zhvilloi një vizitë në pikën kufitare të Kapshticës, ku u takua me artisten polake Szychowska.

“Artistja është surprizuar nga bukuria e natyrës shqiptare dhe mikpritja në qarkun tonë, gjë që e ka frymëzuar edhe më shumë për punën e saj”, tha Jole në një postim në rrjetet sociale.

Jole theksoi se “pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës, si dy pikat kryesore të lëvizjes së qytetarëve në juglindje të vendit, kanë marrë të gjitha masat për një mjedis sa më mikpritës, në nisje të sezonit turistik veror”.

“Edhe ky sezon veror pritet të shënojë një numër të lartë qytetarësh e turistësh, që do të kalojnë në këto pika kufitare”, tha Jole.

Pas murales në Kapshticë artistja polake do të vijojë me atë Qafë Thanës.

Me anë të këtyre muraleve do të mundësohet një imazh i veçantë për turistët dhe qytetarët që lëvizin në të dy anët e kufirit./ atsh/ KultPlus.com

Media polake, ‘Tychy.pl’: Shqipëria një nga perlat e pazbuluara të Ballkanit

Shqipëria është një vend, e cila deri vonë ishte anashkaluar në hartën e destinacioneve evropiane të pushimeve. Megjithatë, vitet e fundit, Shqipëria ka fituar popullaritet si një nga perlat e pazbuluara të Ballkanit, duke tërhequr turistët me historinë e sa të pasur dhe njerëzit mikpritës, shkruan në një artikull e përditshmja polake “Tychy.pl”.

Bukuria e natyrës së pazbuluar

Shqipëria ofron një peizazh jashtëzakonisht të larmishëm, duke filluar nga malet madhështore në pjesën veriore të vendit deri te plazhet e bukura dhe të paeksploruara në bregun perëndimor.

Deti Jon, me ujin e tij të pastër kristal, është një vend ideal për adhuruesit e diellit dhe detit.

Parku Kombëtar i Llogarasë është një parajsë për adhuruesit e trekking.

Historia dhe kultura e pasur

Historia e Shqipërisë është po aq e larmishme sa edhe peizazhi i saj.

Nga rrënojat e lashta si ato në Butrint e deri te kështjellat mesjetare të shpërndara në të gjithë vendin.

Qytete si Gjirokastra dhe Berati do t’ju befasojnë me arkitekturën e tyre osmane dhe zonat historike të listuara në UNESCO.

Banorë mikprites

Shqiptarët shquhen për mikpritjen dhe ngrohtësinë e tyre. Mos kini frikë të kërkoni ndihmë ose të kërkoni udhëzime, vendasit do të jenë të lumtur t’ju ndihmojnë, shpesh me një buzëqeshje në fytyrën e tyre.

Ekonomia dhe çmimet

Shqipëria është një nga destinacionet më ekonomike të pushimeve në Evropë.

Akomodimi, ushqimi dhe transporti janë shumë më të lira këtu sesa në destinacionet e tjera të njohura evropiane për pushime.

Përmbledhje

Shqipëria, një vend i kontrasteve, befason në çdo hap. A ia vlen ta duash këtë vend apo jo?

Kjo varet nga preferencat tuaja individuale. Nëse jeni në kërkim të autenticitetit, natyrës së paprekur dhe historisë së pasur, atëherë Shqipëria mund të jetë destinacioni i përsosur për pushimet tuaja të radhës.

Pavarësisht preferencave tuaja, një gjë është e sigurt; Shqipëria është një destinacion i jashtëzakonshëm në Ballkan, që ia vlen të zbulohet! /atsh/KultPlus.com