‘Mos u ngut, humbe minutin, e jo jetën për minutin’, Policia e Kosovës me video sensibilizuese për kujdes në trafik

Policia e Kosovës ka ndarë në Facebook një video sensibilizuese për kujdes të shtuar në trafik.

“Mos u ngut, humbe minutin, e jo jetën për minuti. Mos e përdor telefonin gjatë vozitjes, se mund t’ju kushtojë me jetë” thuhet në mbishkrimin e videos.

Dokumenti që tregon prejardhjen e Hasan Prishtinës dhe kush ishte truproja…

Kjo video sensibilizuese vjen pasi ditëve të fundit, vendi ynë është tronditur nga disa aksidente ku pati edhe viktima./KultPlus.com

Konkursi për policë në veri, PK-ja inkurajon qytetarët e të gjitha komuniteteve pakicë që të aplikojnë

Policia e Kosovës më 4 janar kishte shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak, turq, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat, malazez dhe maqedonas.

Përmes një njoftimi, Polica ka bërë të ditur se vendi i punës do të jetë Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut.

Konkursi në fjalë ishte paraparë që të mbetej i hapur deri më 26 janar, mirëpo në po të njëjtën ditë, nga ana e Policinë ishte njoftuar se afati për aplikim do të zgjatej edhe për 10 ditë të tjera.

Për këtë konkurs që do të jetë i hapur deri më 10 shkurt 2023, Policia sot ka lëshuar një njoftim ky është thënë se janë duke vazhduar me kampanja sensibilizuese për konkursin e hapur për komunitetet pakicë.

“Policia e Kosovës, përmes video mesazheve, fushatave sensibilizuese dhe takimeve zyrtare që po mbahen në të gjitha rajonet, vazhdon t’i inkurajojë dhe ftojë qytetarët e të gjitha komuniteteve pakicë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës” – thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se këtë kampanjë e kanë përkrahur edhe personalitete të larta nga institucione të ndryshme ndërkombëtare.

Në nëntor të vitit të kaluar, qindra zyrtarë policor serbë patën dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, në shenjë proteste për masat e qeverisë për targat ilegale serbe në veri të vendit.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale. /Telegrafi /KultPlus.com

Keqpërdori seksualisht persona nën 16 vjet, Gjykata Themelore e Ferizajt e dënon me tri vjet

Policia e Kosovës ka arrestuar në mëngjesin e sotëm një person me iniciale I.LL të moshës 39 vjeçare,  i cili ishte kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Ferizaj, për vepër penale “Keqpërdorim seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare”.

KultPlus ju sjell të plotë komunikatën e Policisë së Kosovës.

Komunikata e plotë:

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Arrestohet një person i kërkuar në Ferizaj
Policët e stacionit në Ferizaj nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, sot në orën 09:30 në Ferizaj kanë arrestuar personin e kërkuar me inicialet I.L (M/K) i moshës 30 vjeçar.
Ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale ‘’ Keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare’’  me dënim burgimi prej tri ( 3 ) viteve.
Pas kompletimit të dokumentacionit, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.
Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me realizimin e urdhëresave të gjykatës ndaj personave që ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së gjykatës.
Me respekt./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Policia jonë të zhvillohet edhe më tej, duke pasur gjithnjë synim sundimin e ligjit

Në 23 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, presidentja e Reoublikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ‘Polica e Kosovës është jo vetëm njëra ndër shtyllat më të rëndësishme të Republikës sonë, por edhe një nga shembujt se si mund të themelojmë e të ngremë institucione të qëndrueshme, për t’u shërbyer me zell qytetarëve e atdheut’.

“Në 23-vjetorin e themelimit, ua shpreha mirënjohjen tonë të thellë për angazhimin e tyre përgjatë këtyre 23 vjetëve dhe gatishmërinë tonë të plotë që të mos reshtim së punuari që Policia jonë të zhvillohet edhe më tej, duke pasur gjithnjë synim sundimin e ligjit dhe barazinë e të gjithëve para ligjit. Anëtarësimi në INTERPOL dhe në organizata të tjera ndërkombëtare është vizioni ynë për të ardhmen”, ka deklaruar mes të tjerash presidentja Osmani./ KultPlus.com

Prokuroria jep detaje për dy të arrestuarit e tjerë si të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares

Dy personat e tjerë të arrestuar të hënën, si të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, janë të mitur. I dyshuari i pestë është identifikuar dhe ndodhet në kërkim policor.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, dy të dyshuarit e mitur janë dërguar në mbajtje për 24-orë.

Këto informacione i ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar edhe dy persona të tjerë të përfshirë në këtë rast (të mitur). Të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 24 orë, për të vazhduar tutje me veprimet të tjera procedurale ligjore”, tha Ulaj për Gazetën Express.

I moshës madhore, si i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares është Ekrem Rexhepi (26-vjeç), ndërsa vëllai i tij dhe dy të tjerët janë të mitur. Teksa personi i pestë është kërkuar në shtëpinë e tij por nuk është hasur, ka njoftuar policia.

Ekrem Rexhepi (26-vjeç), në databazën e Policisë së Kosovës figuron si i dyshuar edhe për vepra penale të ngjashme dhe për vepra penale tjera, thuhet në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Gazeta Express merr vesh se 26-vjeçari kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje, në seancën dëgjimore për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Vëllezërve ua ka caktuar gjykata nga një muaj paraburgim, të hënën.

Prokuroria në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj 26-vjeçarit, përshkruan sesi ka ndodhur dhunimi i së miturës.

“Përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria, transmeton Gazeta Express.

Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara. Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhenie me të./KultPlus.com

Policia e Kosovës identifikon edhe të dyshuarin e pestë për rastin e dhunimit të 11 vjeçares

Policia ka njoftuar se është identifikuar edhe i dyshuari i pestë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se policia është në kërkim të tij.

“Lidhur me rastin e “dhunimit” të raportuar dje në Prishtinë, hetues nga drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë gjatë reagimit të shpejt dhe arrestimit të dy (2) personave të dyshuar, në vazhdimësi ka punuar me intensitet të lartë në identifikimin edhe të personave tjerë, hetimin dhe sqarimin e rrethanave të plota të këtij rasti.Pas hetimeve intensive të kryera nga hetuesit rajonal kompetentë, sot më 29.08.2022 janë arrestuar edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar, përderisa është identifikuar edhe personi i pestë (5) i dyshuar për përfshirje në rastin “dhunim””, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej katër persona.

“Pra, lidhur me rastin e “ dhunimit” policia deri në këtë fazë ka arrestuar gjithsej katër (4) persona, personi i pestë (5) është identifikuar, është kërkuar në shtëpinë e tij, nuk është gjet në shtëpi dhe i njëjti ndodhet në kërkim policor.Polica e Kosovës është e përkushtuar në trajtimin e rastit të lartcekur në mënyrë sa më profesionale dhe kryerësit e këtij akti të sillen para organeve të drejtësisë”, thuhet tutje në komunikatë. /KultPlus.com

Policia: Janë larguar të gjitha barrikadat në veri

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se janë larguar të gjitha barrikadat në veri të Kosovës.

Sipas tij, situata është aktualisht e qetë.

Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Vendimi për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, po zbatohet në katër pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës. / KultPlus.com

Fillon trajnimi profesional i Policisë së Kosovës

Ka filluar trajnimi profesional “gjenerata e 57 e Policisë së Kosovës”.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se “pas nënshtrimit të të gjitha procedurave të parapara testuese për të gjithë aplikantët nga konkursi i fundit për zyrtarë policorë për fillim të trajnimit bazik, sipas parimeve të meritokracisë janë përzgjedhur 448 pjesëtarë të cilët i janë bashkangjitur Policisë së Kosovës, si punonjësit më të ri të saj”.

“Kjo gjeneratë përbehet nga gjithësej 448 pjesëmarrës në të cilën janë përfshirë kadetë policorë të të dy gjinive, e të cilët njëkohësisht përfaqësojnë komunitet e të gjitha grupeve etnike të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Me qëllim të mbarëvajtjes sa më të mirë të trajnimit, kadetët policorë janë të ndarë në 14 klasa, gjersa ky trajnim është planifikuar të zgjasë për 31 javë sipas planprogramit të akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.

Në mesin e kadetëve policorë të gjeneratës së 57-të numërojmë 54 kadetë të gjinisë femërore si dhe 32 kadetë të pakicave të tjera etnike”, mbaron njoftimi i PK-së. / KultPlus.com

Arrestohet rreshteri në Pejë, i shkaktoi lëndime të rënda trupore koleges së tij

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtar policor në Pejë, me gradën rreshter, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje”, ndaj një zyrtareje policore.

Informacionet e para hetuesit e IPK-së lidhur me këtë rast i kishin pranuar nga Policia e Kosovës në Pejë se një zyrtar policor (me gradën e rreshterit) jashtë detyrës zyrtare është i përfshirë si i dyshuar në një rast të lëndimit të rëndë trupor.

“Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Prokurorin  kujdestar kanë ndërmarrë disa veprime hetimore kurse viktima (zyrtare policore) është dërguar për trajtim mjekësor”, njofton IPK, transmeton Gazeta Express.

Pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje”.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Policia e Kosovës sulmohet me armë zjarri në veri

Një njësi patrulluese e Policisë së Kosovës është sulmuar mëngjesin e sotëm me armë zjarri në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar policia.

Sulmi i sotëm ndaj Policisë së Kosovës është vazhdimësi e disa sulmeve të ndodhura ditëve të fundit.

Konfirmimi i plotë i policisë:

Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve. / KultPlus.com

Konkursi për kadetë, njoftim i rëndësishëm nga Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën do të fillojë faza e parë e testimeve për aplikantët që i kanë plotësuar kriteret e konkursit për kadetë policor.

Sipas njoftimit, testimi me shkrim do të mbahet në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri dhe do të zgjasë deri më 28.02.2022.

Policia ka njoftuar edhe për masat që duhet të respektohen nga aplikantët.

“Kandidatët ditën e zhvillimit të testimit me shkrim duhet të kenë: maskën mbrojtëse, certifikatën e vaksinimit me të paktën dy doza të vaksinës ose një dozë e vaksinës Johnson kundër Covid-19. Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundër indikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi duhet të paraqesin testin RT-PCR brenda 48 orëve ose certifikatën me një dozë jo më e vjetër se një muaj, numrin e aplikacionit dhe letërnjoftimin”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, më 28 tetor 2021, ka shpallur konkursin publik për zyrtarë policorë, i cili ka qenë i hapur deri më 26 nëntor 2021.

Pas përfundimit të procedurave të parapara dhe përgatitjeve teknike, më 21.02.2022, do të fillojë faza e parë e testimeve (testi me shkrim) i aplikantëve të cilët i kanë plotësuar kriteret e konkursit publik.

Testimi me shkrim do të jetë i hapur dhe transparent. Testimi me shkrim do të mbahet në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri dhe do të zgjasë deri më 28.02.2022.

Kandidatët ditën e zhvillimit të testimit me shkrim duhet të kenë: maskën mbrojtëse, certifikatën e vaksinimit me të paktën dy doza të vaksinës ose një dozë e vaksinës Johnson kundër Covid-19. Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundër indikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi duhet të paraqesin testin RT-PCR brenda 48 orëve ose certifikatën me një dozë jo më e vjetër se një muaj,  numrin e aplikacionit dhe letërnjoftimin.

Rekomandojmë kandidatët (aplikantët) që të kontrollojnë listat tashmë të bëra publike në linkun: https://ëëë.kosovopolice.com/ëp-content/uploads/2022/02/21.02.2022-1.pdf / KultPlus.com

Personat që kanë tatuazhe dhe iu vërehet nuk do të pranohen në Policinë e Kosovës

Policia e Kosovës ditë më parë ka hapur konkurs për pranimin e policëve të rinj.

Në njoftim bëhet e ditur se kandidatët që aplikojnë për zyrtarë policorë në Policinë e Kosovës duhet t’i përmbushin kriteret e moshës nga 18-30 vjeçar dhe të jenë në gjendje të mirë fizike mentale e emocionale.

Ndër të tjera aty potencohet se kandidatët nuk duhet të posedojnë në vend të dukshëm tatuazh (fytyrë, qafë, duar).

Këto janë disa nga kriteret kryesore:

a) Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës;
b) Të jetë i moshës 18-30 vjeçar;
c) Të ketë të përfunduar shkollimin e mesëm;
d) Të jetë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale;
e) Të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale;
f) Të mos posedojë në vend të dukshëm tatuazh (fytyrë, qafë, duar);
g) Të ketë integritet personal dhe vlera të larta etike./ KultPlus.com

Ish-drejtori i parë i Policisë së Kosovës: Operacioni më i madh i yni ishte varrimi i ish-presidentit Rugova

Ish-drejtori i parë i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, ka kujtuar se para 22 vjetësh të gjithë kadetët që donin t’i bashkoheshin policisë ishin shumë të vullnetshëm për t’i dalë në ndihmë vendit.

“Të gjithë kadetët e Policisë së Kosovës ishin të vullnetshëm t’i dalin në ndihmë vendit dhe gjithmonë i zbatonin urdhrat gjatë trajnimeve të ndryshme. Të gjitha djemtë dhe vashat kishin shumë gatishmëri dhe ishin në gjendje toi kryenin të gjitha këshillat dhe trajnimet profesionale”.

Ahmeti në Klan Kosova tregoi se cila ishte sfida më e madhe në fillimet e para të shkollës së Policisë së Kosovës, transmeton KultPlus.

“Pas luftës njerëzit e kishin të vështirë të besonin se kjo polici ishte e tyre dhe në shërbim të tyre – është dashur bukur shumë të punohet që të pranoheshim nga qytetarët që jemi polici e qytetarëve dhe policinë shërbim të tyre”.

Ish-drejtori Ahmeti mes tjerash tregon se operacioni më i madh i Policisë së Kosovës ishte më 6 janar të vitit 2006 kur u varros ish-presidenti i vendit, Ibrahim Rugova.

“Kam qenë shumë gjatë në menaxhim të Policisë së Kosovës padyshim se shumë nga operacionet që kemi realizuar njëri nga operacionet më të mëdha që kemi realizuar ka qenë varrimi i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ku të gjithë policët e vendit kanë qenë të angazhuar”, transmeton KultPlus.

“Një operacion tjetër shumë i madh ka qenë vizita në Kosovë e tashmë presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Angazhimet tona kanë qenë të shumta dhe me shumë profesionalizëm i kemi realizuar ato”, tha Ahmeti.

Kujtojmë se para 22 vjetësh pjesë e Policisë së Kosovës ishin 176 pjesëtarë teksa tani janë 9,180 policë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Gra e burra të Policisë së Kosovës janë shembull i përkushtimit dhe devotshmërisë ndaj shtetit

Sot, në 22 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës ka reaguar presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku ka uruar Policinë e Kosovës në 22 vjetorin e themelimit, përcjell KultPlus.

Ndër të tjera, presidentja Osmani ka theksuar se Policia e Kosovës për këto dy dekada ka rritur shkallën e profesionalizmit.

Statusi i plotë i presidentes Osmani:

Në 22-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, respekt e nderim për profesionistët, ruajtësit e rendit, kujdestarët e sigurisë sonë.

Megjithëse forcë e re e rendit, Policia e Kosovës prej dy dekadash ka rritur shkallën e profesionalizmit me të cilën mburremi.

Gra e burra të policisë së Kosovës janë shembull i përkushtimit dhe devotshmërisë ndaj shtetit dhe për këtë ju jemi mirënjohës.

Përpjekja jonë për sundimin e ligjit nuk duhet pushojë asnjëherë. Këtë rrugë të nisur duhet ta kemi synim të çdoditshëm në ofrimin i sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Police e policë të dashur të Kosovës, urime 22- vjetori themelimit! Faleminderit që çdo ditë kujdeseni për garantimin e një mjedisi të qetë, të cilin e dëshirojmë të gjithë, e i cili bëhet i mundshëm në saje të profesionalizmit tuaj! / KultPlus.com

Raporti i Policisë për zjarret në Kosovë

Për situatën e krijuar me zjarre, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe përmes raportit 24 orësh.

Në raport thuhet se në 24 orët e fundit ka arrestuar  një person, i cili i kishte vënë zjarr arës së tij, e që më pas zjarri është përhapur.

Rastet e ndara sipas raportit:

Fsh.Leshkoshiq, Obiliq, 06.08.2021-15:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti i kishte vënë zjarrin arës së tij e me pas zjarri është përhapë edhe në arën e ankuesit mashkull kosovar të cilit i janë djegur 15 trupa pemë dhe një pjesë e murit të gjelbër. Zjarri është lokalizuar ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Fsh.Llashticë, Gjilan. 08.2021-18:10. Raportohet se në rrethana të panjohura janë përfshi nga zjarri mbeturinat. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse dhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin.

Fsh. Cececo, Zubin Potok 05.08.2021 – 14:15. Ankuesi kosovar ka njoftua policinë se nga persona të panjohur i është vënë zjarri pemishtes së tij ku janë djegur 50 trupa të pemëve dhe një shtylle elektrike. Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar. / KultPlus.com

Mehmeti: Për çdo aksident me fatalitet do të kërkohet përgjegjësi duke filluar prej policisë e deri tek eprorët

Policia e Kosovës ka mbajtur konferencë për media lidhur me aksidentet me fatalitet që po ndodhin në vendin tonë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti tha se kanë filluar të instalojnë një procedurë ku çdo aksident me fatalitet do të hetohet, madje ai tha se përgjegjësi për këto aksidente do të kërkohet edhe nga policia e deri tek eprorët për të kuptuar se a është mbuluar në mënyrë preventive  ajo rrugë ku ka ndodhur aksidenti.

“Ne kemi filluar me instalua një procedurë ku çdo aksident me fatalitet duhet të bëhen hetime nëse rruga është mbuluar në mënyrë preventive, nëse ka pasur patrulla të policisë të mjaftueshme, nëse ka pasur plane opoeracionale, nëse janë shqiptuar gjoba në atë rrugë çfarë gjobash janë shqiptuar. në përudhën në vijim ne do të kërkojmë përgjegjësi prej çdo njërit brenda policisë rreth aksidentit prej policit e deri tek eprorët,“- është shprehur Mehmeti. /AtvLive / KultPlus.com

Policia deklarohet për rastin e abuzimit seksual nga të miturit në oborr të shkollës në Prishtinë

Policia e Kosovës ka reaguar pas publikimit të një videoje në disa portale, sipas së cilës pretendohet se ka ndodhur një rast i abuzimit seksual në mes të nxënësve në oborrin e një shkolle në kryeqytet.

Në njoftimin e Policisë thuhet se nga zyrtarët e shkollës Policia ka pranuar një informacion me ndjeshmëri, i cili është trajtuar në koordinim me drejtuesit e shkollës, zyrtarët e Qendrës për punë dhe mirëqenie Sociale si dhe Prokurorin e shtetit.

“Për shkak të moshës së personave të përfshirë në këtë ngjarje dhe rrethanave specifike, me rekomandim të prokurorit, rasti po trajtohet nga Qendra për punë dhe mirëqenie sociale”, thuhet në njoftim.

Sot në media është raportuar për një rast të abuzimit seksual në një shkollë në Prishtinë. Për këtë rast është publikuar edhe një video./ KultPlus.com

‘Qasi t’rreme as n’kohën e okupimit t’Serbisë nuk kom pa’, Bakija jep versionin se si u rrah nga policët

Bardhyl Bakija i cili u rrah nga shtatë policë pasi kishte hyrë në dritën e kuqe të semaforit ka rrëfyer se si ishte rrahur nga shtatë policë deri në thyerjen e tri brive.

Ai rrëfen që fillimisht nuk e kishte respektuar dritën e kuqe të semaforit, dhe teksa po voziste kishte parë policët që i ishin vënë pas, me ç’rast e kishte kapur paniku.

“M’kapi paniku, kuku thashë e hupa patentin, çu t’iki nshpi. Ik ik ik ik, dikur thashë nuk muj me ikë. Kur dashta me ardhë n’shpi, thashë pe hi n’shpi po mshefna, pe iki. Grun e kam t’smutë prej zemrës, e kanë bo holandezët operacion. U nala pak ma nelt”, ka thënë Bakija për Klan Kosovën.

“Edhe jom nalë. E kom vrejtë, dy patrolla t’policisë. Si e kom qitë kamën e majtë, ata t’u ngajtë e t’u ngajtë e t’u piskatë e t’u shajtë. I kom qitë durt nalt se e vrejta që po dojnë me m’rrehë”.

Sipas tij, kur policët i ishin sulur, ai i kishte kërkuar falje, por ata nuk ia kishin vënë veshin duke fillaur ta rrahin gjersa ia kishin thyer britë dhe ia kishin dërrmuar tërë trupin.

“I thashë: m’falni se kom gabu ju lutem, m’falni! M’ka ra njoni boks n’kry përmas, m’ka qitë n’tokë. Atëherë kanë fillu ma kanë kapë dorën e djathtë përmas shpinës, e ka fillu rremja që qasi t’rreme as n’kohën e okupimit t’Serbisë nuk kom pa”.

“Dej sa m’rrenën a që u lodhën t’u m’rrehë. M’i thynë britë, tri bri. Kryt e kom pleh, krejt trupin e kom pleh, krahin e kom pleh”.

Shtatë policët e përfshirë në këtë rast janë suspenduar nga puna, ndërkaq tre prej tyre edhe janë arrestuar. /klankosova/ KultPlus.com

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës: Zyrtarët policorë janë duke shkaktuar problemë pranë lokaleve të gastronomisë

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar për problemet e shkaktuara nga Policia e Kosovës, pranë lokaleve të gastronomisë, shkruan KultPlus.

“Kjo ka të bëjë me sjelljet e tyre që janë të pahijshme dhe drejtohen ndaj klientëve dhe stafit në hapësirat e lokaleve”, thuhet në reagim.

Veprimet e tilla të Policisë, Shoqata i ka vlerësuar si shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përkatësisht barazisë para ligjit, dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“SHGK, i’u bën thirrje zyrtarëve policorë dhe inspektorateve përgjegjëse që të zbatojnë në përpikmëri Vendimet e Qeverisë për kontrollin e pandemisë”, thekson Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

Tutje, ata bëjnë thirrje për raportim të çdo rasti që është në kundërshtim me ligjin. / KultPlus.com

GShP reagon për policin që e rrahu 18 vjeçarin: Abuzues si në kohën e regjimit serb (VIDEO)

Organizata Jo-Qeveritare Global Shapers Prishtina ka reaguar ndaj rrahjes së një 18 vjeçari nga polici me uniformë, videoja e së cilës është shpërndarë nëpër rrjete sociale.

Kjo organizatë e ka quajtur veprimin e policit tejet skandaloze, e në anën tjetër ata e vlerësojnë se kjo është “fytyra e vërtetë e nepotizmit dhe korrupsionit që e ka kapluar këtë institucion”.

Në deklaratën e tyre përmendet që rinia kosovare ka shumë mungesa, teksa këto shkaktojnë lehtësim për përfundimin e tyre në polici.

“Në shumë Komuna nuk ka qendra rinore, kinema, teatro, që nënkupton jeta kulturore e sportive është skajshmërisht e varfër. Në anën tjetër, mundësitë e edukimit janë shumë të varfëra, në një sistem që nuk e promovon talentin, por e shtyp atë. Nuk ka programe edukative, nuk ka mundësi për aktivitete rekreative, e aq më pak bursa që zhvillojnë talentin e rinisë”, thuhet tutje në reagim.

Global Shapers Kosova kanë përmendur edhe papunësinë prej 51%, shkeljen e të drejtave të punëtorëve dhe mungesën e inspektorëve për hulumtim të rasteve të shkeljeve, teksa kanë vlerësuar se jeta e të rinjve në Kosovë në këto rrethana është e pasigurtë.

“Në këtë kaos, Inspektorati Policor i Kosovës lejon që zyrtarët abuzues të qëndrojnë në polici për më tepër se 2 vite duke rrafur qytetarët e Kosovës si në kohën e regjimit serb. Kjo është e dhimbshme, e patolerueshme dhe e rrezikshme”, deklarojnë Global Shapers Kosova.

Tutje, ata kërkojnë largimin e policit në fjalë nga puna, fillimin e reformimit në procesin e rekrutimit të Policisë së Kosovë.

Global Shapers Kosova së shpejti do të organizojnë edhe një aktivitet lidhur me këtë situatë. / KultPlus.com

Fotografi e realizuar nga Anesa R Metlillo

Hapet ekspozita ‘Uniforma blu gjatë pandemisë Covid19’, falenderohet puna e palodhshme e Policisë së Kosovës

Puna e tyre është ndër më të vështirat, janë ata të parët të cilët në raste emergjente janë ballë për ballë me luftën me të cilën përballet vendi ynë. Orari i tejzgjatur, ndihma ndaj qytetarëve e rreziku që vjen me punën e tyre, janë vetëm disa nga elementet qe zënë vend në përditshmërinë e Policisë së vendit tonë, shkruan KultPlus.

E për të nderuar punën e palodhshme të Policisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe aspak të lehtë edhe për vendin tonë, OJQ ‘CULTURAT’, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sot në hapësirën e Sheshit ‘Skënderbeu’, shfaqën para publikut ekspozitën ‘Uniforma blu gjatë pandemisë Covid19’.

Ekspozita u hap para një publiku modest, ku të pranishëm ishin disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe organizatorët.

Fjalën hyrëse të kësaj ekspozite e mori nënkoloneli, Basri Shabani, i cili shprehi falenderimin për pjesëmarrësit e organizatorët, duke potencuar se kjo ekspozitë është ndër aktivitetet që shënon 21 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Ai ndër të tjera tregoi se krahas këtij aktiviteti hyjnë edhe aktivitete të tjera si dhurimi i gjakut dhe lansimi i aplikacionit ‘Lajmëro policinë’, aktivitete këto që konsiderohen mjaft të rëndësishme për shoqërinë tonë.

“Përmes kësaj ekspozite është munduar që të paraqitet puna e Policisë së Kosovës gjatë kohës së pandemisë e cila ka qenë e angazhuar në orar 12 orësh dhe vazhdon të jetë, për t’i dal në ndihmë qytetarëve dhe për të respektuar vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, theksoj ndër të tjera nënkoloneli Shabani.

Ekspozita përbëhet nga fotografi të Policisë së Kosovës nëpër aktivitete të ndryshme si: shërbimi gjatë periudhës së karantinës në Aereportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe në Qendrën Studentore; gjatë dhurimit të gjakut nga njësitet e specializuara të Policisë së Kosovës bashkë me drejtorin e përgjithshëm, Rashit Qelaj; aplikacioni “Lajmëro policinë” i cili është një projekt që dhuron alternativë më të lehtë te qytetarët për raportime; patrullimi i komunës së Kamenicës nga KFOR-i dhe Policia; projekti “Bashkë kundër dhunës”; patrullime policore nëpër kryeqytet si dhe falenderimet e qytetarëve nëpërmjet punimeve artistike për Policinë e Kosovës.

Organizatorja e kësaj ekspozite, njëkohësisht drejtoresha e OJQ “Culturat”, Mihane Hoxha theksoj për KultPlus se ky aktivitet është realizuar për të pasqyruar mundin dhe sakrificën e Policisë së Kosovës.

“Rëndësia e kesaj ekspozite është që t’ia bëjmë me dije Policisë së Kosovës se ne qytetarët e vlersojmë kontributin, angazhimin e tyre dhe kjo është një shenjë falenderimi”, shprehet organizatorja Hoxha për KultPlus.

Ekspozita pritet të qëndrojë e hapur për publikun deri në fund të kësaj jave. / KultPlus.com

Policia konfirmon se është intervistuar 13-vjeçari që xhiroi mësuesin tek rrihte një nxënës në Drenas

Policia e Kosovës e ka konfirmuar intervistimin e 13 vjeçarit në Drenas, i cili dyshohej se e ka xhiruar mësuesin tek e rrihte një nxënës në klasë.

Megjithatë, PK-ja përmes këtij reagimi thotë se intervistimi i tij ka zgjatur më pak se 2 orë, meqenëse, në raport theksohet vetëm ora kur ai është futur në stacionin policor dhe dalja nga aty.

Policia thotë se intervistimi i tij ka ndodhur në orët e darkës, prej 17:38 deri 19:21, megjithatë familjarët të nxënësit kanë konfirmuar mbrëmë për Koha.net se ai është marrë prej shtëpisë shumë orë më herët për intervistim.

“PK-ja sqaron me sa vijon: referuar raporteve zyrtare, me 24.02.2020, policia pasi ka pranuar informatën për një rast, ku një mësimdhënës rrah një nxënës në një klasë mësimi, ka iniciuar rastin ‘sulm’. Policia ka intervistuar viktimën (nxënës) në prezencë të prindit dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale dhe të dyshuarin (mësimdhënës). Vlen të ceket se as viktima, as i dyshuari nuk e kanë pranuar se ka ndodhur rasti. Policia për rastin dhe ecurinë ka njoftuar prokurorin. Prokurori ka autorizuar policinë që të vazhdojë ta hetojë rastin”, thuhet në reagimin e PK-së.

Intervistimi i nxënësit është bërë në orët e darkës, dhe vetëm një ditë pasi është publikuar videoja.

“Me 25.02.2020 policia në vazhdën e hetimit dhe kompletimit të rastit ka ftuar si dëshmitarë dy nxënës të klasës, ku dyshohet se është kryer vepra. Që të dy nxënësit kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre, ku për shkak të moshës së dëshmitarëve është ftuar edhe punëtori nga QPS-ja. Po ashtu është thirrur edhe viktima i cili ka qenë i shoqëruar nga prindi”, thuhet në reagim.

Policia thotë se nga njëri dëshmitar ka marrë deklaratë, kurse dy të mitur (njëri në cilësi të viktimës, tjetri të dëshmitarit), nën moshën 14 vjeçare, janë dëgjuar nga punëtori i QPS-së dhe ai ka përpiluar procesverbal pas dëgjimit të tyre.

“Të gjitha veprimet janë ndërmarrë komform rregulloreve të trajtimit të rasteve kur kemi të bëjmë me të mitur, duke pasur parasysh në çdo moment sjellje miqësore ndaj të miturve, të cilët në këtë rast asnjëri nuk ka qenë në cilësi të të dyshuarit. Koha e qëndrimit në stacion policor ka qenë më pak se dy orë (hyrja në stacion policor 17:38h dhe dalja në orën 19:21h, bazuar në incizimet e kamerave), për arsye të procedurave të inkuadrimit edhe të punëtorit të QPS-së, por qëndrimi nuk ka zgjatur assesi katër orë siç pretendohet në shkrim”, thotë PK-ja.

PK-ja thotë se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin.

“Pas, dëgjimit të dëshmitarëve dhe ridëgjimit të viktimës, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, përfundon reagimi.

Nisin sot aktivitetet për shënimin e 20-vjetorit të Policisë së Kosovës

Me rastin e 20 vjetorit të themelimit të saj, Policia e Kosovës ka paraparë disa aktivitete të ndryshme të cilat do të zhvillohen përgjatë një jave.

Sot prej orës 09:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve Prishtinë bëhet hapja solemne e këtyre aktiviteteve, e cila do të bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i PK-së Rashit Qalaj.

Hapjes së këtyre aktiviteteve do t’i paraprijë edhe një ndeshje sportive e futbollit, ku do të marrin pjesë menaxhmenti i lartë i PK-së.

Agjenda për javën policore:

• Data 31 gusht dhe 1 shtator ora 09:00 – 16:00 lojëra sportive-futboll – vendi Pallati i Rinisë dhe Sporteve Prishtinë.

• Data 02 shtator ora 09:00 -16:00 lojëra sportive -volejboll – vendi Pallati i Sporteve “Bill Clinton” Ferizaj.

• Datën 02 Shtator ekspozita Policore në Muzeun e Kosovës ora 19:00, do të qëndrojë e hapur deri me datën 09 shtator.

• Data 03 shtator garat e vrapimit (kros) –vendi Mitrovicë, stadiumi “Adem Jashari”

• Data 03 Shtator ora 11:00- 13:00 -Aktivitet Policore në Kryeqytet -Sheshi Zahir Pajaziti.

• Data 04 shtator lojërat në pingpong , vendi Pallati i Rinisë dhe Sporteve Prishtinë.

• Data 04 Shtator –ora 08:00 – 16:00 – ‘Porta e Hapur’ (në të gjitha Stacionet Policor)

• Data 05 Shtator ora 10:00 finalja në futboll – vendi Pallati i Rinisë dhe Sporteve Prishtinë

• Data 06 Shtator ora 10:00 – Ceremonia kryesore vendi ‘Wait Garden Event’ –magjistralja Prishtine –Ferizaj ( km i 12-të). / KultPlus.com

Policia e Kosovës sqaron pse u gjobit prishtinasja që qeshi pas mesnate

Policia e Kosovës ka sqaruar se pse është gjobitur një qytetare në Prishtinë, e cila pas mesnate, tha se veç pse qeshi me zë mori gjobë nga një polic.

Policia e Kosovës, në interesim e Koha.net për të dhënë më shumë detaje rreth këtij rasti, ka thënë se po atë natë, zyrtarët policorë kanë hasur në një grup të personave në mesin e të cilëve, një person i gjinisë femërore, përpos mospërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policorë, “ka bërtitur me zë të lartë” dhe nuk iu bind urdhrave të zyrtarëve policorë.

“Si rrjedhojë e këtyre sjelljeve të cilat bien ndesh me ligjin 03/L-142 për ‘prishjen e rendit dhe qetësisë publike’, të njëjtës i është shqiptuar një kundërvajtje, duke u bazuar në Ligjin për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike, 03/L-142”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Koha.net.

Policia e Kosovës, thuhet tutje në përgjigje, vetëm në dy javët e para të muajit korrik, Stacioni Policor Qendra ka pranuar gjithsej 65 thirrje/ankesa nga qytetarët e zonës Qendër të Prishtinës për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Pas pranimit të ankesave të qytetarëve për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’, konform autorizimeve policore ka ndërmarrë veprime policore ndaj zhurmës së lokaleve, për të cilat janë shfaqur pakënaqësi të për shqetësim nga ndotja akustike”, thuhet tutje.

PK-ja, shton se me datën 18 korrik 2019 në rrugën “Rexhep Luci”, pas ankesave të qytetarëve zyrtarët policorë u janë përgjigjur thirrjeve dhe kanë identifikuar lokalet dhe hapësirat të cilat bien ndesh me ligjin, pasi që të njëjtat nuk kanë zbatuar kufizimin kohor të paraparë me Ligjin 03/L-142, aty ku edhe është gjobitur prishtinasja.

Policia ka sqaruar edhe ku është bazuar në gjobitjen ndaj saj:

Neni 8

Bezdisjet Publike– Shkeljet që kanë të bëjnë me zhurmën

1. Kushdo që shkakton zhurmë të pa nevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet të banorët për rreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri ne orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje.

2. Nëse kundërvajtjet nga paragrafët 1 të këtij neni janë kryer nga personi fizik, ai /ajo dënohet me gjobë prej tridhjetë (30) deri pesëqind (500) Euro.

3. Nëse kundërvajtjet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni janë kryer nga pronari ose personi përgjegjës i një subjekti juridik, ai/ajo dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) deri shtatëqind (700) Euro.