Policia e Kosovës sqaron pse u gjobit prishtinasja që qeshi pas mesnate

Policia e Kosovës ka sqaruar se pse është gjobitur një qytetare në Prishtinë, e cila pas mesnate, tha se veç pse qeshi me zë mori gjobë nga një polic.

Policia e Kosovës, në interesim e Koha.net për të dhënë më shumë detaje rreth këtij rasti, ka thënë se po atë natë, zyrtarët policorë kanë hasur në një grup të personave në mesin e të cilëve, një person i gjinisë femërore, përpos mospërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policorë, “ka bërtitur me zë të lartë” dhe nuk iu bind urdhrave të zyrtarëve policorë.

“Si rrjedhojë e këtyre sjelljeve të cilat bien ndesh me ligjin 03/L-142 për ‘prishjen e rendit dhe qetësisë publike’, të njëjtës i është shqiptuar një kundërvajtje, duke u bazuar në Ligjin për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike, 03/L-142”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Koha.net.

Policia e Kosovës, thuhet tutje në përgjigje, vetëm në dy javët e para të muajit korrik, Stacioni Policor Qendra ka pranuar gjithsej 65 thirrje/ankesa nga qytetarët e zonës Qendër të Prishtinës për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Pas pranimit të ankesave të qytetarëve për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’, konform autorizimeve policore ka ndërmarrë veprime policore ndaj zhurmës së lokaleve, për të cilat janë shfaqur pakënaqësi të për shqetësim nga ndotja akustike”, thuhet tutje.

PK-ja, shton se me datën 18 korrik 2019 në rrugën “Rexhep Luci”, pas ankesave të qytetarëve zyrtarët policorë u janë përgjigjur thirrjeve dhe kanë identifikuar lokalet dhe hapësirat të cilat bien ndesh me ligjin, pasi që të njëjtat nuk kanë zbatuar kufizimin kohor të paraparë me Ligjin 03/L-142, aty ku edhe është gjobitur prishtinasja.

Policia ka sqaruar edhe ku është bazuar në gjobitjen ndaj saj:

Neni 8

Bezdisjet Publike– Shkeljet që kanë të bëjnë me zhurmën

1. Kushdo që shkakton zhurmë të pa nevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet të banorët për rreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri ne orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje.

2. Nëse kundërvajtjet nga paragrafët 1 të këtij neni janë kryer nga personi fizik, ai /ajo dënohet me gjobë prej tridhjetë (30) deri pesëqind (500) Euro.

3. Nëse kundërvajtjet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni janë kryer nga pronari ose personi përgjegjës i një subjekti juridik, ai/ajo dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) deri shtatëqind (700) Euro.

Qeshi me zë në qendër të Prishtinës, polici e dënoi me 100 euro

Një ngjarje e pazakontë i ka ndodhur, Aida Gashit qytetare e cila po qëndronte ulur në një pushimore në rrugën “Rexhep Luci” në kryeqytet.

Gashi, e cila pas orës 24:00 po priste një taksi dhe po bisedonte me shoqe dhe qeshte me zë, është dënuar me 100 euro gjobë nga Fatmir Miftari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, shkruan Gazeta Blic.

Të gjithë situatën e ka treguar edhe vet Aida e cila ka publikuar gjobën e vënë dhe emrin e policit në fjalë. Madje, ajo ka rrëfyer edhe bisedën me policin Fatmir Miftari, i cili e gjobiti atë për shkak të të qeshurave të saj.

“Çka po kesh me zë?”, ishin fjalët e Miftarit (pjesëtar i Policisë së Kosovës). E habitur me pyetjen e policit, Aida iu është drejtuar atij: A seriozisht po më pyet?

Fatmiri: Je tu keshë shumë, mos kesh!

Aida: Me çka po e matë që po keshi shumë?

Fatmiri: Me veshtë e mi!.

Kaq ishte biseda mes Aidës dhe Fatmirit i cili pa hezituar edhe ia ka vënë gjobën prej 100 eurove vetëm pse ajo qeshi me zë.

E Aida, për gjithë këtë situatë edhe ka ironizuar me vendimin e policit në fjalë.

“Dënim me 100 euro gjobë, se po qeshesh me za! Dhunohet dhe vritet një femijë 12 vjeçar, policia e neglizhon rastin! Unë dënohem me 100 euro gjobë pse qesha me za!”, ka shkruar ajo.

Tutje, ajo ka vazhduar se “1 person pa leje, me shpejtësi dyfish ma shumë se që është e lejume, i shkel 2 gra për vdekje; policia neglizhente sepse duhet me më denu mu të pacipën që po qeshi me za mas 12ve te natës! Tjetri e dhunon një të mitur, tjetri e mbyt gruan me femijë, krejt këto pasojë e neglizhencës së policisë sepse ma së lehti e ka me dalë në qytet e me më denu mu me 100 euro gjobë se qesha me za!”, ka shkruar ajo.

Nxënësit realizojnë gjashtë vepra arti për 20 vjetorin e Policisë së Kosovës

Për nder të 20 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës është zhvilluar aktiviteti “20 vjet me Policinë e Kosovës”, ku në kuadër të këtij aktiviteti janë mbajtur punëtori disa ditore, ku pjesëmarrës kanë qenë nxënës të shkollave fillore dhe atyre të mesme, shkruan KultPlus.

Gjithashtu, në aktivitetin “20 vjet me Policinë e Kosovës” të ftuar kanë qenë fëmijët nga SOS Fshatrat e fëmijëve të Kosovës si dhe fëmijë nga Down Syndrome Kosova.

Gjatë punëtorisë është realizuar mozaiku me logon e Policisë së Kosovës, ku edhe në fund të realizimit mozaiku është vendosur në objektet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Pastaj, realizimi i flamurit të Policisë së Kosovës me dimensione 9mX3m, ku edhe është shfaqur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, shoqëruar nga pjesëtarë të njësive të ndryshme me anë të të cilëve është realizuar numri 20.

Nxënësit pjesëmarrës kanë realizuar gjashtë vepra arti, me motive nga Policia e Kosovës. Krejt në fund të aktivitetit fëmijët kanë mbjellë rreth 200 lule duke krijuar numrin 20-simbolikë e 20 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës. 

Ky aktivitet është organizuar nga OJQ “Culturat” në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Si janë realizuar këto aktiviteti dhe atmosferën e punës KultPlus ju sjell përmes një video të përmbledhur:

Dua Lipa bën shqiponjën bashkë me policët e Kosovës

Festivali “Sunny Hill”, është mbajtur edhe më 11 gusht, ku kjo natë i është kushtuar muzikës hip-hop. Emra të njohur të estradës kanë perfomruar në skenën e festivalit, për sigurinë e këtij festivali përkujdesen edhe Policia e Kosovës.

Në krahë të tyre është parë duke pozuar, ylli me famë botërore, Dua Lipa duke bërë shqiponjën. Këtë moment e kanë bërë publike vetë faqja e festivalit ku edhe kanë lënë një shkrim mbi foto: Heronjët tanë.