Nga Daut Dauti
‘Rrahje në mes policëve dhe qytetarëve në Ferizaj’, ‘Përleshje e policisë me qytetarët’ … këto ishin disa nga titujt e mediave tona. Kështu përshkruhej një ngjarje në Ferizaj që e shihnim në një video inçizim. Këta tituj nuk janë vetëm joprofesionalë por janë komplet edhe idiotik. Nga titull krijohet përshtypja që janë pëleshur dy banda, dy grupe kriminale, dy grupe rrugaqësh …
Policia nuk rrahet e as nuk përleshet me qytetarë. Policia intervenon dhe gazetari apo redaktori duhet t’i perdorë termet zyrtare e jo gjuhën e rrugaqëve. Natyrisht që policia intervenon me dhunë dhe kjo punë është e ligjshme. Çfarë policie do të ishte ajo që nuk përdorë dhunë?
Në rastin kur policia intervenon dhe nëse qytetari nuk i bindet urdhërit dhe madje përdorë dhunë ndaj policit, kemi të bëjmë me një rast serioz. Rasti në Ferizaj ishte i gërditshëm. Dy qytetarët kthenin dorë, apo ishin iniciatorë të përdorimit të dhunës ndaj policëve që shiheshin se tentonin t’i arrestonin këta përsona që silleshin si banditë. Kjo flet për diçka që është më shumë se mungesë e vetëdijes qytetare të këtyre individëve që numri i tyre në shoqërinë tonë nuk është i vogël me siguri.
Qyetari i Kosovës duhet ta kuptoj, një herë e përgjithmonë, që nuk duhet të përdorë dhunë ndaj policisë, pa marrë parasyshë se çfarë është rasti e madje edhe nëse polici ndodhë që të jetë gabim. Nëse e grushtoni policin, duhet ta dini se e keni grushtuar përfaqësuesin e shtetit ose shtetin.
Sikur kjo dhunë që e pamë në Ferizaj, të kishte ndodhur ndaj policëve në Basel, Frankfurt, Paris e Londër, duhet ta dini se këta persona nuk dalin nga burgu pa qëndruar disa vite në të. Në Britani të Madhe, sikur edhe në shumë vende perëndimore, rrezistimi ndaj arrestimit është vepër serioze penale. Shto tash edhe përdorimin e grushtave dhe shkelmave ndaj policit dhe mund ta merrni me mend se kur mund të dilni nga burgu. Plus, hyni në regjistër të delikuentëve që kanë përdorë dhunë ndaj policisë dhe harroni se do të gjeni punë të mirë gjatë jetës që ju mbetet pasi të dilni nga burgu.
Mos harroni, shtetet Perëndimore janë demokratike për shkak se iu funksionon policia. Nëse policia iu ndalon në këto shtete dhe nëse ju e dini se jeni gabim, keni me u dridhë para policit dhe përdorimi i dhunës ndaj policit, kurrë nuk iu bie ndërmend. Kështu duhet të jetë edhe në Kosovë. / KultPlus.com